Dua Lipa është këngëtare, tekstshkruese me prejardhje shqiptare, por jeton në Londër të Anglisë. Ajo ka lindur më 22 gusht të vitit 1995. Babai i saj, Dukagjin Lipa në profesion menaxher marketingu gjithashtu dhe artist, ka qenë vokalisti kryesor në grupin e rrokut “Oda” në Kosovë. Dua ndoqi një shkollë artistike teatrale ndërsa ishte fanse e artistëve të muzikës hip-hop, të cilët do të ndikonin në stilin e saj muzikor.

Në moshën 14-vjeçare, Dua Lipa filloi të postojë në YouTube versionet e kënduara nga vetë ajo, të këngëve të saj të preferuara nga artistët Pink, Nelly Furtado, etj. Pas një viti, ajo u rikthye në Londër me qëllim që të bëhej këngëtare, ku jetoi me një shoqe dhe studioi në “Parliament Hill School” gjatë javës dhe në “Silvya Young Theatre School”të shtunave. Ajo punoi edhe si modele në katalogun online “ASOS Marketplace”, kur ishte 16 vjeç, me qëllimin e vetëm që të takonte njerëz që mund ta ndihmonin të ndiqte karrierën e saj muzikore, por dha dorëheqjen pasi një menaxher i tha të humbte peshë. Në vitin 2013, këngëtarja mori pjesë në një reklamë televizive për “The X- Factor”.

Në vitin 2015, Dua Lipa nënshkroi kontratë me “Warner Music Group” dhe publikoi albumin e saj të parë në vitin 2017. Albumi u rendit në vend të tretë në grafikun e Albumeve të Mbretërisë së Bashkuar dhe përmbante nëntë këngë, duke përfshirë "Be the One" si dhe këngën numër një në Mbretërinë e Bashkuar, "New Rules", e cila u radhit në vend të gjashtë në SHBA. Në vitin 2018, Dua Lipa fitoi çmimin “Brit Awards” për kategoritë ‘Solo Artistja më e Mirë” dhe “Artistja më e mirë e Re”. Në muajin prill të vitit 2018, kënga "One Kiss" në bashkëpunim me Calvin Harris,u radhit e para në Mbretërinë e Bashkuar dhe ishte kënga që qëndroi më gjatë në vendin e parë nga një këngëtare. Me këtë këngë, ajo e fitoi çmimin “Brit Award” për këngën e vitit. Në vitin 2019, ajo fitoi çmimin “Grammy Award” për kategorinë “Artistja më e mirë e re”. Suksesi i këngëve të saj e ndihmoi që albumi të bëhej një nga albumet më të transmetuara në “Spotify” si dhe të arrijë të marrë vlerësime platini.

Albumi i saj i dytë “Future Nostalgia” zuri vendin e parë në Grafikun e Albumeve në Mbretërinë e Bashkuar si dhe në botë. Albumi remiks “Club Future Nostalgia”, pasoi në gusht të vitit 2020 dhe mori vlerësime kritike universale. Dua Lipa ka fituar shumë çmime gjatë karrierës së saj, duke përfshirë tri çmime Grammy, pesë çmime “Brit”, një çmim “American Music” dhe dy çmime “MTV Europe Music”. Ajo është nominuar edhe për shtatë Billboard dhe dhjetë çmime “MTV Video Music”. Emri i saj sot është ndër më lakuarit në botën e muzikës botërore.

Përgatiti Sava Lena