Kantautori i mirënjohur i skenës shqiptare Etmond Mancaku ka mbi tre dekada që jeton me muzikën. Ai i ka fillesat në vitin 1990 me grupin "Klandestin" ku ishte vokalist, kompozitor e kitarist. Në vitin 1994 publikoi albumin e parë "Engjëlli i rrëmbyer" ku ishte kompozitor, orkestrues dhe autor tekstesh. Në atë album morën pjesë këngëtarët më në zë të asaj periudhe si: Aleksandër Gjoka, Dashnor Diko, Elton Deda, Redon Makashi, Gjergj Jorgaqi, Grupi Shok, Grupi Ritfolk, Mimoza Selimi, Leonard Bulku etj. Gjatë gjithë karrierës së tij artistike ai ka realizuar mbi 180 këngë, të cilat kanë pjesë e albumeve muzikore, pjesëmarrje në festivalet shqiptare, ka kompozuar këngë për shumë artistë të rinj e të njohur të skenës, gjithashtu ka realizuar disa kolona muzikore si dhe muzikë për dokumentarë. Ai është gjithmonë pranë publikut si me krijime të reja, videoklipe kohë pas kohe duke trajtuar tema nga më të ndryshmet. Së fundi ai ka sjellë këngën e re “Pritja, stacion i vjetër” ku aktorja kryesore është mamaja e tij. Në intervistën për CMG Etmondi flet për xhirimet e videoklipit të kësaj kënge me telefon celular, fabulën e këngës, bashkëpunimin me vajzat e tij, që të dyja artiste, por dhe projektet në vazhdim.
Etmond Mancaku (Foto nga facebook)
CMG: Ti ke sjellë për publikun këngën e re, "Pritja stacioni i vjetër". Na trego për fabulën e saj.
Etmond Mancaku: Titulli është marrë nga tektsi i këngës dhe videoklipi është xhiruar me telefon celular. Sa i takon fabulës, secilit nga ne i vjen rradha për një stacion, por është një stacion i vjetër. Dikur prindërit tanë na prisnin kur ne vonoheshim, apo dhe kur largoheshim jashtë vendit, tani ka ardhur rradha jonë të provojmë të njejtën ndjesi, kur fëmijët tanë janë larguar jashtë për udhëtime të shkurtra apo edhe për studime, ne presim të flasim në telefon, apo presim se kur po vijnë. Brezat gjenerojnë dhe ndërkohë ne provojmë ato çfarë kanë povuar prindërit tanë.
Etmond Mancaku & Adhurim Demiri gjatë bashkëpunimit të fundit (Foto nga facebook)
CMG: Çfarë ndjesie pret t’i japë njerëzve dëgjimi i kësaj kënge?
Etmond Mancaku: Unë mendoj se i kam mbetur besnik rrymës sime. Kush dëshiron që të marrë atë çfarë unë ofroj, apo atë çfarë ndjej dhe unë mundem t’i jap publikut mund ta ndjekë këngën time, në të kundërt ka muzikë dhe zhanre të ndryshme në treg që çdokush mund të zgjedhë për të dëgjuar. Pritja është diçka e përgjithshme, mund të presësh fëmijën, vëllain, motrën, etj.
Elton Deda & Etmond Mancaku (Foto nga Facebook)
CMG: Sa po e ndjen sot ti këtë pritje?
Etmond Mancaku: Vajza ime e madhe Wendi është një natyrë disi e ftohtë. Momentalisht kemi komunikim nëpërmjet celularit dhe batutat që ne shkëmbejmë e thyejnë akullin e ndarjes. Kënga është bërë në një moment pandemie dhe ishte një përzjerje ndjenjash. Kjo është një temë, një këngë, të cilën nuk e kisha prekur më parë në krijimet e mia.
Etmond Mancaku & Aleksandër GJoka (Foto nga Facebook)
CMG: Ti e ke sjellë këngën edhe me videoklip, por e ke xhiruar me telefon celular. Si erdhi kjo ide e xhirimit ?
Etmond Mancaku: Vërtetë është me telefon celular, por ka një cilësi super të mirë, pasi është xhiruar me iphone 13 e cila ka një cilësi më të mirë sesa kamerat me 4k. Dhe kur e kemi montuar kemi vuajtur për ta transkiptuar e për ta çuar në montazh që bëhen videot. Idea erdhi nga një takim me mikun tim artist Çlirim Denaj, i cili kishte një celular të mirë dhe pasi pashë një fimim që kishte bërë për vete, mendova, përse të mos e xhirojmë videoklipin e këngës sime me këtë telefon. Filluam të bënim disa prova, ndërkohë Çlirimi kishte eksperienca të mëparshme pasi ka xhiruar dhe videoklipin e tij me telefon. Më pas gjetëm aktoren kryesore, e cila është mamaja ime dhe videoklipi doli si një film i shkurtër. Gjatë montazhit unë kam bërë një shkrirje me pamje nga filmi “Ilegalët” ku mamaja ime ka interpretuar, për të treguar se dhe ajo ka qenë e re dikur, duke bërë një shkrirje shumë të bukur me xhirimet që realizuam për videoklipin “Pritja, stacion i vjetër”.
Etmond Mancaku (Foto Facebook)
CMG: Sa e vështirë ishte për ta bindur mamanë të merrte pjesë në videoklip?
Etmond Mancaku: Nuk ishte e vështirë pasi në një moment vetmie që ndodhet ajo, pas largimit të babait tim nga kjo jetë, arriti ta kuptojë idenë time.
Etmond Mancaku (Foto nga facebook)
CMG: Videoklipin e xhirove me telefon për të mos shpenzuar shumë para?
Etmond Mancaku: Në fakt më shkoi më shtrenjtë kështu, pasi mezi gjetëm programin për ta transkiptuar sepse telefoni kishte cilësi më të lartë se kamerat, dhe për këtë arsye na është dashur të xhirojmë disa herë. Unë nuk kam menduar asnjëherë për paratë kur kam nisur të xhiroj për videoklipin dhe sot kam shumë video në kanalin tim në Youtube. Po të mos kisha bërë videoklipe do kisha blerë një shtëpi të dytë.
Etmond Mancaku (Foto nga facebooku)
CMG: Sa i përket impenjimeve në xhirime, ka qenë më i lodhshëm xhirimi me telefon apo me kamera?
Etmond Mancaku: Xhirimi me telefon mund të them se ka qenë më praktik, sepse e kishim vetë në dorë dhe mund të kapmim emocionet në çdo moment.
Etmond Mancaku gjatë videoklipit (Foto nga youtube)
CMG: Vajza jote, artistja e talentuar Wendi Mancaku studion në SHBA. Sa e ndjen ti mungesën e saj? Si e priti ajo këtë këngë?
Etmond Mancaku: Wendi, duke qenë natyrë e ftohtë nuk para bën shumë komente, dhe po më tha “mirë”, çka do të thotë që kam bërë ndonjë kryevepër. Shpesh Wendi më thotë se “këngë si ajo, s’ke bërë” dhe e ka fjalën për këngën “Premtim në natë”. Edhe kur këndonim live, ajo nuk e këndonte ndonjë këngë popullore që mund ta kërkonte dikush në ambjentin ku këndonim bashkë live, pasi është selektive dhe këndon ato këngë që do. Në një farë mënyre më vjen mirë sepse nuk është si “tufa”, por do të ruajë një stil të vetin të veçantë.
Etmond Mancaku me bashkëshorten Alma dhe vajzën Melodajna
CMG: Si e sheh të ardhmen e Wendit, pas disa vitesh?
Etmond Mancaku: Ajo e ka vetë në dorë të ardhmen. Në Amerikë kanë shkuar edhe shumë këngëtarë shqiptarë, të cilët kanë qenë të afimuar në vend, por nuk u ka ecur dhe janë rikthyer. I vetmi avantazh i Wendit është se iku e re. Ajo më thotë se aty ka mrekullira nëpër rrugë e jo më nëpër skena. Deri tani jam i kënaqur, sepse ka ecur mire. Nuk dua t’i zbuloj planet se dhe ajo nuk do ishte dakord, por mund të them se ka disa arritje të mira, kontrata që pritet të vihen në zbatim me një nga studiot më në zë në New York. Unë dua që ajo të bëjë maksimumin për veten e saj dhe të bëjë edhe ndonjë rikthim në festivalet tona, në të ardhmen.
Etmond Mancaku me mamanë dhe motrën (Foto nga facebook)
CMG: Ti interpreton në netët live. A i këndon këngët e repertorit tënd aty dhe cilat prej tyre?
Etmond Mancaku :Këndoj disa nga këngët e mia, të cilat i kam realizuar edhe me video. Gjithashtu këndoj këngë të Aleksandër Gjokës, të Ritfolk, këngën “Si banania” që është kompozim i imi, por e ka kënduar Dashnor Diko. Janë ato këngët më picante, që i përkasin kryesisht pas viteve ’90-të, por edhe këngë të realizmit socialist si “Alo, alo”, kënga “Zemra e dashuruar” e Luan Manahasës, këngë të cilat kanë mbetur në memorien e publikut dhe janë materiale shumë të mira, për mendimin tim. Unë këndoj me vajzën time të dytë Melodajna, ndonëse ajo ka shijet e saj dhe këndon këngët e Elvana Gjatës, disa këngë të Wendit, por dhe të vetat dhe ka krijuar repertorin e vet.
Etmond Mancaku me vajat Melodajna & VVendi (Foto nga facebook)
CMG: Si e ndjen veten më mirë në prezantimin e një kënge, si kantautor apo si kompozitor?
Etmond Mancaku: Është më e lodhshme si kompozitor sepse duhet që emocionin tënd t’ja përcjellësh këngëtarit dhe këngëtari publikut, ndërsa kur këndon vetë e ke të qartë se çfarë do përcjellësh në publik.
Etmond Mancaku në skene (Foto nga facebook)
CMG: Sa ka arritur numri i këngëve që ke realizuar deri tani?
Etmond Mancaku: Rreth 180 këngë, 5 kolona muzikore dhe dy dokumentarë.
Etmond Mancaku në intervistë për CMG
CMG: Kohët e fundit ke qenë produktiv me realizimin e këngëve. Cilat janë planet e tua në vazhdim?
Etmond Mancaku: Kam disa projekte, ndër to kam në plan të marr pjesë në Festivalin “Kënga Magjike”, e cila titullohet “Mëkati i shpirtit”. Unë e kam përkufizuar në këtë mënyrë; “Duke dhënë një lëmoshë, ti shpëton shpirtin tënd”. Mendoj që të gjithë ne duhet të ndihmojnë dikë në nevojë. Njerëzit janë bërë shumë të ftohtë, nuk kemi qenë kështu më përpara.
Etmond Mancaku në skenë (Foto nga facebook)
CMG: Të uroj shumë suksese!
Etmond Mancaku: Faleminderit shumë dhe juve për këtë ndërmarrje shumë të mirë për artistët nga radio Ejani, CMG dhe programit “Muzika shqip”, gjë më të bukur nuk ka.
Intervistoi: Sava Lena