Luiza Mara është këngëtare e njohur e muzikës popullore qytetare, kryesisht asaj të juglindjes. Ajo ka gati 40 vite karrierë në muzikë dhe 24 vite si mësuese e muzikës. Luiza është nga ato artiste që dëshiron gjithmonë që para publikut të këndojë live, duke marrë më shumë kënaqësi dhe emocione. Znj.Mara ka realizuar disa materiale muzikore ku dominojnë këngët qytetare popullore korçare dhe pogradecare, si dhe disa prej materialeve muzikore me këngë moderne. Në një intervistë për CMG, ajo na tregon për rrugëtimin e saj muzikor si dhe projektet artistike që pret t’i realizojë së shpejti.
Luiza Mara me kolege artiste (Facebook)
CMG: Si ka nisur karriera juaj artistike?
Luiza Mara: Unë mbaj mend shumë pak kur kam qenë në moshën 5-6 vjeçe, kam qenë shumë e vogël dhe atëhere organizoheshin festivalet e fëmijëve. Me thënë të drejtën, aty kam marrë pjesë shumë vite dhe gjatë asaj kohe kur shkova në klasën e tetë dhe mbarova shkollën 8 vjeçare, mësuesja e muzikës me sugjeronte që unë me zërin që kisha si dhe me veshin e muzikës, më tha se është mirë që unë të vazhdoja studimet për muzikë, qoftë për kanto apo instrument. Unë e pëlqeja këngën, por ne ishim të lidhur me këngën në familje, si korçarë normalisht, dhe nuk ka korçarë që nuk di të këndojë. Unë e vazhdova kanton me shumë dëshirë dhe mbarova shumë mirë. Sapo përfundova studimet për kanto, emërohem mësuese muzike në një shkollë aty rreth qarkut të Korçës. Për 24 vite vazhdoi karriera ime si mësuese muzike dhe pastaj gjatë kësaj kohe unë merrja pjesë dhe në filarmoninë e qytetit, një kor me orkestër të madhe, që na dirigjonte Ilir Erzeni. Kori ishte prej 60 zërash shumë të mirë dhe të pjekur. Vazhdova në korin “Lira” në drejtimin e Gaqo Nanos, i cili njëkohësisht ishte dhe mësuesi im i harmonisë. Kështu vazhdova gjatë, pastaj u martova në Pogradec dhe karriera ime u shkëput nga Korça dhe u shpërngul në qyetin e Pogradecit. Kjo ka qenë zanafilla e jetës time muzikore
CMG: Çfarë repertori këngësh keni në arkivin tuaj muzikor gjatë ketyre viteve?
Luiza Mara: Në repertorin tim kryesisht zenë vend më tepër këngë qytetare popullore, dhe normale edhe këngët moderne.
Luiza Mara gjate realizimit te videoklipit te nje kenge (Facebook)
CMG: A keni marrë kënaqësinë maksimale nga muzika?
Luiza Mara: Që të marrësh kënaqësinë maksimale nga muzika është të gënjesh veten, sepse vetëm shpirti nuk ngopet me muzikë. Do të thoja që më shumë kënaqësinë e përçon tek publiku, dhe ti duke parë që publiku të vlerëson dhe kënaqet, atëhere kjo është kënaqësia që ti merr nga muzika.
CMG: Si e shihni muzikën popullore dhe tregun muzikor në ditët e sotme?
Luiza Mara: Unë e njoh shumë mirë muzikën popullore dhe jo vetëm. Muzika popullore është baza e folklorit tonë, pra tabani i folklorit. Do të thoja që muzika popullore është pasuria jonë muzikore. Në ditët e sotme tregu muzikor buçet nga këngët popullore, por mua më vjen shumë keq që është transformuar dhe është bërë komerciale, dhe kuptohet, kur muzika arrin të bëhet komerciale fillojnë gjërat dhe transformohen, bastardohen. Por, po të dëgjosh të rinjtë e kanë ndryshuar komplet dhe nuk e kanë idenë e folklorit. Kur ne këndonim përpara me iso, me një orkestrinë popullore dhe shumë të zgjedhur, të imagjinosh tani dhe të krahasosh të rinjtë me ne këngëtarët e vjetër, nuk krahasohen, pavarësisht se ata kanë vlerat e tyre për atë çfarë japin. Mua më vjen shumë keq që muzika popullore është bastarduar, por nuk ke se çfarë ti bësh sepse në ditët e sotme secili mundohet që ta përçojë muzikën në mënyrën e vet.
CMG: Ju keni shumë vite karrierë, cilat janë momentet që kanë lënë më shumë mbresa tek ju?
Luiza Mara: Karriera ime është gati 40 vjeçare, pra unë kam 40 vite që këndoj, por janë shumë momente që kanë lënë mbresa tek unë. Janë konkurimet me të cilat kam marrë pjesë, pjesëmarrja në koncerte ku jam vlerësuar dhe me çmime në rang republike dhe ballkani. Unë kam marrë shumë herë pjesë sidomos në festivalet e këngës qytetare, ku jam vlerësuar me çmime të para, të dyta dhe të treta. Mua më shumë mbresa më kanë lënë duartrokitjet e publikut dhe të kënduarit live. Unë për veten time kënaqësinë e marr vetëm nga muzika live, nuk e marr asnjëherë duke kënduar kot, dhe një nga këto që më kanë lënë mbresa janë koncertet që unë kam dhënë jashtë shtetit. Shikoj shqiptarët që mezi presin që të dëgjojnë dhe të kërcejnë me ty, duke të shoqëruar dhe duke kënduar me ty. Kjo është kënaqësia më e madhe dhe unë këto ruaj si mbresa më të mëdha.
Luiza Mara duke interpretuar (Facebook)
CMG: Cilë janë bashkëpunëtoret tuaj në realizimin e këngëve ?
Luiza Mara: Bashkëpunimet me të cilat unë realizoj këngët e mia janë kolegët e mi, por të shumtat e këngëve janë popullore qytetare sigurisht, por edhe moderne. Unë më shumë bashkëpunoj me kolegët pasi studjojmë bashkë, ndajmë mendimet për t’i realizuar sa më mirë këngët dhe kryesisht muzikën e bëj vetë, dhe tekstet pothuajse të shumtat i kam bërë vetë. Kështu që dua të veçoj Fatjon Toma, kompozitor i cili më ka dhënë goxha mbështetje të madhe në realizimin e këngëve, si në studio, në instrumente që i ka përfshirë te këngët e mia, po ashtu edhe me zërin tim dhe zërat e tjerë, pra më ka ndihmuar shumë.
CMG: Ju vazhdoni të jeni prezente në evente ku këndoni live? Çfarë emocioni përjetoni kur interpretoni live përpara publikut?
Luiza Mara: Unë vazhdoj vërtetë të marr pjesë në eventet live, por të them të drejtën emocionin më të madh unë e marr duke interpretuar live. Nuk e mendoj dot veten time të bëj sikur këndoj sepse nuk ka emocion, dhe në momentin që ti nuk ke emocion, natryrshëm dhe publiku nuk ta jep atë që ti kërkon.
Luiza Mara (Facebook)
CMG: Keni ndonjë projekt artistik së afërmi, apo ndonjë këngë të re?
Luiza Mara: Projketet e mia janë të shumta dhe unë jam duke bërë një projekt të madh për të nxjerrë breza, sepse brezi im sa vjen dhe po futemi në moshën e tretë, por ne duam të shikojmë sa më shumë breza që mos ta humbin këngën popullore. Unë dua të realizoj një audicion për të rinjtë, dhe projektin e kam bërë gati sepse unë punoj si këngëtare në qendrën kulturore “Lasgush Poradeci” në Pogradec dhe i kam mundësitë për ta zhvilluar këtë event. Në bashkëpunim me Qendrën Kulturore dua që të punojmë sa më shumë me zërat e rinj, dhe kryesisht me muzikën popullore, atë folklorike dhe atë qytetare për të lënë këngën të gjallë ashtu siç ka ardhur dhe ka lindur nga populli. Pastaj projekte për veten time jam duke bërë një kolazh këngësh popullore të vjetra pogradecare, por për t’i sjellë më bukur dhe për t’ju lënë të rinjve një arkivë për të cilën ata të motivohen. Kjo është një vlerë e shtuar për qytetin.
Luiza Mara me kostum popullor (Facebook)
CMG: Së fundi një mesazh urimi për dëgjuesit e radios dhe adhuruesit tuaj.
Luiza Mara: Mesazhi im do të ishte për dëgjuesit që të dëgjojnë sa më shumë muzikë të pastër, muzikë tabani dhe këngën qytetare sepse duke dëgjuar këto ne kultivojmë breza artëdashës. Sigurisht që do të lemë një pasuri të madhe për kulturën muzikore që e kemi aq të bukur dhe të ndjeshme. Ne brezat e vjetër duhet të punojmë shumë me të rinjtë.
Luiza Mara duke luajtur ne piano (Facebook)
CMG: Faleminderit për intervistën dhe ju uroj suskese.
Luiza Mara: Unë ju falenderoj dhe ju uroj sa më shumë suksese ju dhe stafit tuaj. Faleminderit edhe njëherë për ftesën.
Intervistoi: Gazmend Agaj