Këngëtarja e re me origjinë shqiptare Argjenda Aliu, ka mahnitur jurinë në spektaklin “The Voice of Finland” me performancën e këngës në gjuhën angleze “Yours” të këngëtares, Ella Henderson.Argjenda u përzgjodh për të marrë pjesë në spektaklin e talenteve “The Voice of Finland” mes 1500 kandidatëve. Që në fillim të spektaklit ajo i mahniti të gjithë anëtarët e jurisë me zërin e saj duke interpretuar aq bukur, kur të gjithë kthyen karriget e tyre duke e duartrokitur Argjendën, bashkë me publikun në sallë. Ajo po e vazhdon këtë rrugëtim të suksesshëm me shpresën për të shkëlqyer drejt finales. Për CMG ajo ka rrëfyer fillimet e saj në muzikë që në moshë shumë të vogël, lidhjen me instrumentet muzikore dhe planet e saj drejt skenave botërore.
CMG: Përshëndetje Argjenda! Mirë se erdhe në programin "Muzika shqip"! Urimet tona për pjesëmarrjen tënde në "The Voice of Finland"!
Argjenda Aliu: Faleminderit për komplimentet dhe ftesën për në programin "Muzika shqip"!
CMG: Argjenda, ti bëre të ndjehen krenar të gjithë shqiptarët me paraqitjen tënde në skenën e "The Voice of Finland". Na trego si nisi ky rrugëtim, dhe cili ishte ideatori për t’u regjistruar në audicion?
Argjenda Aliu: Ky rrugëtim ka filluar me përkrahjen e madhe të familjes. Babi im më ka mbështetur më së shumti, ndërsa idenë për të konkuruar në "The Voice of Finland" ma ka dhënë motra ime, e cila quhet Kosovarja, ku së bashku me motrën kemi punuar shumë, jemi ushtruar shumë për të dalë sa më mirë në audicion.
CMG: Ti u përzgjodhe në fazën e parë midis 1500 talenteve finlandezë. Si u ndjeve kur gjatë interpretimit tënd, e gjithë juria u ngrit në këmbë vetëm për ty?
Argjenda Aliu: Ajo ka qenë një ndjenjë shumë speciale, një ndjenjë të cilën nuk mund ta shpjegoj dot me fjalë. Në atë moment isha shumë krenare për veten dhe shumë e lumtur njëkohësisht.
CMG: Ishte e lehtë apo e vështirë për ty që të depërtoje talentin tënd aty?
Argjenda Aliu: Do thoja se ka qenë e vështirë, por edhe e lehtë. Ka qenë e vështirë për arsye se më duhej të ushtrohesha jashtëzakonisht shumë, por ishte gjithashtu e lehtë, për arsyen e ndihmës së mësueses sime, këngëtares, Teuta Kurti.
CMG: Videoja jote u shpërnda menjëherë nga këngëtarja Teuta Kurti, e cila në rrjetet sociale ka shkruar: "E lumtur, e lumtur, e lumtur! Argjenda ti bëre që të kthehen të gjithë pjestarët e jurisë, kemi rrugë të gjatë për të bërë. Të dua!”, ka shkruar Teuta Kurti. Na trego pak për bashkëpunimin që ke me Teutën?
Argjenda Aliu: Puna që unë bëj me Teutën nuk është gjithçka që ajo do të thotë për mua. Ajo është një femër shumë zemërgjerë dhe me një zemër të artë. Unë e dua shumë.
CMG: Ti ke lindur dhe je rritur në Finlandë. Si është marrëdhënia jote me vendlindjen e prindërve të tu?
Argjenda Aliu: Unë jam shumë e afërt me Kosovën, e vizitoj dy herë në vit dhe kaloj kohë me familjarët të cilët jetojnë aty, më së shumti me gjyshen dhe gjyshin.
CMG: Në çfarë moshe ke filluar të merresh me muzikë ?
Argjenda Aliu: Unë kam filluar të këndoj që në moshën 6 vjeçare. Muzika është shumë speciale për mua.
CMG: Studion në shkollë muzike?
Argjenda Aliu: Po, unë studioj muzikën në shkollë dhe gjithashtu luaj në disa instrumenta si në kitarë, kitarë elektrike dhe piano.
CMG: E lindur në Finlandë, por e flet shumë mirë gjuhën shqipe. Do na interpretosh një këngë të njohur shqiptare ?
Argjenda Aliu: Me shumë kënaqësi!
CMG: Cili është artisti yt i preferuar shqiptar apo i huaj?
Argjenda Aliu: Nuk do thoja se kam vetëm një këngëtar të preferuar, pasi kam disa. Këngëtarët e mi të preferuar shqiptarë janë Rita Ora, Dua Lipa dhe Ylli Limani. Ndërsa nga artistët e huaj kam të preferuar këngëtaren Adele. Më pëlqen shumë mënyra se si ajo i shpreh emocionet duke kënduar.
CMG: Cili është komplimenti që ke marrë për vokalin tënd?
Argjenda Aliu: Vokali im ka një gamë shumë të madhe, që do të thotë se me zërin tim mund të shkoj shumë lart, por dhe shumë poshtë. Gjithashtu më kanë thënë se kam një zë, i cili nuk tingëllon si zëri i një 16 vjeçareje, por si zëri i një 30 vjeçareje.
CMG: Cilat janë planet apo dëshirat e tua pasi të mbarojë spektakli "The Voice of Finland"?
Argjenda Aliu: Dëshirat e mia pas "The Voice of Finland" janë që të bëj maksimumin për të filluar karrierën time muzikore, si dhe për të ecur përpara me muzikën.
CMG: Shumë suksese dhe uroj të dalësh me fitore!
Argjenda Aliu: Faleminderit shumë!
Intervistoi: Sava Lena