Këngëtari i muzikës folklorike nga qyteti i Hasit, Shkumbin Sadiki është vetëm 20 vjeç dhe pasionin për folkun shqiptar e ka pasur që në fëmijëri. Ai është student në degën e kantos në Universitetin e Arteve, por muzika popullore mbetet pasioni i tij i përhershëm. Shkumbini ka realizuar disa produksione muzikore të zhanrit folk si dhe disa këngë në duet me babain e tij, folkloristin e njohur Përparim Brati. Në një intervistë për CMG, ai na tregon për pasionin e tij për folklorin shqiptar si dhe synimet që ka për të ardhmen në fushën e muzikës.
Shkumbin Sadiki duke i rene ciftelise (Facebook)
CMG: Kush është Shkumbin Sadiki?
Shkumbin Sadiki: Unë jam nga Hasi dhe studioj në Akademinë e Arteve në degën e kantos. Kam zgjedhur të ndjek hapat e këngës folklorike shqiptare, që mos ta humbim traditën tonë dhe sidomos atë të trevës së veriut.
Shkumbin Sadiki gjate interpertimit te nje kenge (Facebook)
CMG: Ju po studioni për kanto në zhanrin e muzikës klasike, por a do të vazhdoni ta lëvroni muzikën popullore?
Shkumbin Sadiki: Unë do të vazhdoj me folkun dhe shpeshherë e marr edhe çiftelinë me vete në universitet. Kur i bie çiftelisë shpeshherë më tërheqin vëmendjen pedagogët, duke më thënë që në akademi studiohet muzika klasike. Muzikën klasike unë e mësoj në shkollë, por folkun unë nuk do e lë kurrë sa të kem jetë.
CMG: Në çfarë moshe keni nisur të këndoni muzikën popullore dhe kush ka qenë shtysa kryesore?
Shkumbin Sadiki: Unë kam nisur të këndoj këngën popullore që në moshë të vogël, duke u angazhuar në disa festivale. Ajo që më shtyu më shumë në këtë rrugë ishte tradita e muzikës popullore. Babai im është folklorist dhe këndon prej vitesh këngë folklorike shqiptare. Unë doja që t’i merrja zanatin babait tim dhe të ndiqja dhe traditën time. Gjithashtu mua në rrugën e folkut më ka shtyrë edhe gjyshi, të cilin e falenderoj shumë. Ai sot nuk jeton më, por mua më ka rritur dhe më ka mësuar se si të këndoj, si të shkollohem dhe i jam shumë mirënjohës gjyshit tim Sadik Brati.
Shkumbin Sadiki ne moshe te vogel duke luajtur me cifteli (Facebook)
CMG: Pse prezantoheni me mbiemrin Sadiki dhe jo Brati?
Shkumbin Sadiki: Unë në fakt quhem Shkumbin Brati, por njihem më shumë me mbiemrin Sadiki sepse Sadik e ka pasur emrin gjyshi im. Ai më ka rritur që në moshën 1 vjeç, duke më marrë me vete gjithandej nëpër oda të burrave dhe duke më mësuar si të flas dhe sillem. Jam shumë mirënjohës për gjyshin tim që më ka rritur dhe më ka sjellë këtu ku jam sot, jam shumë krenar dhe shpresoj që dhe ai të jetë krenar për arritjet e mia.
CMG: Si e keni mësuar çiftelinë dhe a e mbani këtë instrument në shtëpinë tuaj?
Shkumbin Sadiki: Unë e mbaj çiftelinë në shtëpi dhe kur kam shkuar në shkollën e mesme artistike e mora çiftelinë duke e mësuar dhe i thashë babait që të ma blente. Nuk është se më ka shtyrë babai të mësoj çiftelinë, por unë e kam pasur shumë qejf vetë që ta mësoja. Pas çiftelisë kam mësuar edhe sharkinë, dhe të dyja këtyre dy veglave muzikore i bie shumë mirë. Çiftelia ka qenë gjithmonë pasion për ta mësuar.
CMG: Ju përveç se interpretoni bukur, gjithashtu shkruani muzikën dhe tekstet e këngëve vetë. Kjo është një dhunti tjetër e juaja?
Shkumbin Sadiki: Po është një dhunti e imja. Unë kam shkruar shumë tekste por edhe vija melodike të këngëve. Kam bërë disa tekste të këngëve të mia, por nuk bëj tekste të të tjerëve.
Shkumbin Sadiki me kostum popullor (Facebook)
CMG: Këngën që keni publikuar para disa kohësh “Jam Hasjan”, ia keni kushtuar qyteti tuaj të lindjes?
Shkumbin Sadiki: Këtë këngë unë ia kam kushtuar Hasit, vendlindjes time, gjithë hasjanëve kudo që ato ndodhen, në çdo cep të globit. Gjithashtu edhe videoklipin e kësaj kënge e kam realizuar në qytetin e Hasit për arsye që të gjithë ato që janë në emigracion dhe nuk e kanë parë prej kohësh vendin e tyre, ta shohin ndryshimin e vendit të tyre, si ka qenë Hasi dhe si është sot ky qytet. Pra, klipin e kam bërë më shumë për emigrantët hasjanë, që ndodhen jashtë vendit për ta ndjekur në kanalin YouTube.
CMG: E përdorni kostumin popullor të zonës suaj gjatë realizimeve të videoklipeve apo në evente artistike?
Shkumbin Sadiki: Unë kostumin popullor e përdor shumë shpesh sidomos te këngët patriotike. Kur bëhet fjalë për telin e çiftelisë, përdor shumë kostumin popullor dhe shumë njerëz habiten, duke parë që unë jam vetëm 20 vjeç. Kostumi popullor i Hasit është shumë i bukur dhe ka një vlerë shumë të madhe për muzikën folklorike shqiptare.
Shkumbin Sadiki (Facebook)
CMG: Keni bërë bashkëpunime me babain tuaj?
Shkumbin Sadiki: Unë kam shumë bashkëpunime me babain tim siç janë këngët “Vajzë Hasjane”, “Këngë kurbeti”, “Lulja ime do të jesh” dhe shumë këngë të tjera të kompozuara në disa studio muzikore. Për tekstet e këngëve ka marrë pjesë dhe Gjovalin Dushaj të cilin e përshëndes, por kam bërë dhe tekste vetë. Sukses të madh kam arritur edhe në bashkëpunimet që kam pasur me babain tim Përparim Brati.
Shkumbin Sadiki bashke me babain e tij Perparim Brati (Facebook)
CMG: Keni ndonjë mesazh për brezin e ri për ta ruajtur muzikën popullore?
Shkumbin Sadiki: Sot është e vështirë të gjesh në moshën time që të vazhdojnë këtë rrymë muzikore folklorike shqiptare, por ka dhe shumë të rinj që po e ndjekin brez pas brezi në Kosovë, ndërsa në Shqipëri është shumë e vështirë që të gjesh një moshatar timin që të ndjekë muzikën folklorike.
CMG: Cilat janë synimet tuaja për të ardhmen, pasi të mbaroni studimet në Akademinë e Arteve?
Shkumbin Sadiki: Synimet e mia janë që të ndjek rrugën e folkut shqiptar, ndërsa muzikën klasike e studioj për të rregulluar pak zërin. Muzikën folklorike nuk do ta le kurrë, mund të këndoj për qejfin tim dhe muzikën klasike, por muzika popullore është baza ime. Unë ju them të gjithë të rinjve që të ndjekin zhanrin e muzikës popullore sepse ka vlerat e veta.
Shkumbin sadiki dhe Perparim Brati (Facebook)
CMG: Keni pasur koncerte gjatë kësaj periudhe dhe si jeni pritur?
Shkumbin Sadiki: Unë kam pasur shumë koncerte dhe gëzime familjare si në Shqipëri, Maqedoninë e Veritu, Kosovë, Malin e Zi, Zvicër dhe Itali. Në Itali kam dhënë koncerte në disa qytete ku jam pritur shumë mire, sepse emigrantët atje janë shumë partiotë dhe e duan shumë muzikën popullore folklorike shqiptare. Unë mendoj se muzika jonë popullore duhet ruajtur sepse është një vlerë e madhe e jona.
CMG: Do të dëshiroje që së afërmi të bashkëpunoje me ndonjë këngëtar të njohur të trevës së veriut?
Shkumbin Sadiki: Unë do kisha shumë dëshirë që të realizoja ndonjë duet me këngëtarë të veriut, me ato këngëtarë që kanë vlera që edhe unë të mësoj nga ata si të këndoj sepse jam shumë i ri. Kam dëshirë për të realizuar disa bashkëpunime me këngëtarë të trevave të ndryshme por do ia lemë kohës këtë gjë.
Shkumbin Sadiki ne interviste per CMG
CMG: Cilat janë planet tuaja artistike në të ardhmen?
Shkumbin Sadiki: Unë kam shumë projekte dhe bashkëpunime dhe një nga bashkëpunimet do të jetë me artistin Xhejms Prenga ku do të realizoj një këngë patriotike për heronjtë tanë. Tekstin e kam bërë vetë ndërsa muzikën e kam bërë bashkë me Xhejmsin dhe shumë shpejt do të publikohet si këngë. Gjithashtu do të realizoj dhe një këngë parodike. Këto janë dy projektet e mia më të afërme.
CMG: Së fundi një përshëndetje për adhuruesit tuaj si dhe dëgjuesit e radios.
Shkumbin Sadiki: Unë i përshëndes të gjithë, duke i falenderuar që më duan dhe klikojnë këngët e mia. Faleminderit dhe gjithë të mirat!
Intervistoi: Gazmend Agaj