Këngëtarja e mirënjohur e muzikës popullore Irini Qirjako është cilësuar si Mbretëresha e Polifonisë, por te kjo artiste e shquar shqiptare qëndron modestia fisnike, që me muzikën popullore të interpretuar prej saj qetëson shpirtrat e njerëzve dhe i largon për disa momente nga streset e ditës, mes të përditshmes e të bukurës njerëzore. Ajo është një nga emrat e shquar të këngës popullore e veçanërisht asaj polifonike, me një karrierë të gjatë prej më shumë se katër dekadash, nga zërat e artë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, një artiste dhe veprimtare e shquar. Kënga polifonike “Këngët e atdheut tim, janë ilaç janë shërim” me vargje të Lefter Çipës, mbetet një nga këngët e saj më të dashura, një himn, të cilin e këndon herë pas here e që zbukuron gjerdanin e artë të perlave që kjo artiste ka kënduar në vite në shumë skena të vendit e në botë. Në një intervistë për CMG, Irini tregon për aktivitetet e saj artisike si dhe projektet që pret ti realizojë së shpejti.
Irin Qirjako ne interviste per CMG
CMG: Znj.Qirjako është kënaqësi që ju kam të ftuar në emisionin Bio Folk.
Irini Qirjako: Faleminderit për ftesën. Edhe unë jam shumë e priviligjuar që jam në këtë emision, ku nuk kam munguar asnjëherë. Unë vij me kënaqësi sepse ju jeni e vetmja radio që transmetoni këngën e vërtetë popullore shqiptare të të gjitha trevave të Shqipërisë, për të cilën ne kemi nevojë shumë.
CMG: Ju keni disa dekada që këndoni polifoninë dhe muzikën popullore të jugut. Si ndjeheni me gjithë këtë karrierë artistike dhe kontributin që ju keni dhënë, duke qenë e preferuar nga të gjithë shqiptarët?
Irini Qirjako: Në fakt jam shumë e lumtur për gjithë këtë karrierë të gjatë sepse koncertet e mia janë të panumërta. Unë kam 43 vjet karrierë në skenat shqiptare dhe ato botërore ku kam marrë duartrokitjet e pubikut shqiptar dhe atij të huaj. Nuk ka lumturi më të madhe kur merr duartrokitje dhe fjalët më të bukura, përgëzimet më brilante nga publiku shqiptar dhe publiku i huaj.
Irini Qirjako duke interperetuar (Facebook)
CMG: Si kanë qenë reagimet e pubikut të huaj kur ju dëgjonte ju në skenë, gjatë interpretimit të këngëve polifonike?
Irini Qirjako: Në fakt polifonia është një vlerë unikale, është e vetmja që ruhet nga UNESKO si vlerë unikale botërore, dhe unë jam e priviligjuar që këtë këngë polifonike ta interpretoj në të gjitha skenat e botës. Pubiku i huaj është mrekulluar dhe ka pasur raste që edhe kanë qarë, imagjino që të qajë francezi, suedezi, të lotojë gjermani dhe italiani. Polifonia edhe pa i kuptuar fjalët thoshte pubiku i huaj, e marrim mesazhin nëpërmjet këngës dhe interpretimit tuaj, pra kuptonin se për se bëhej fjalë te kënga.
CMG: Mendoni se brezi i ri sot e do polifoninë dhe kanë dëshirë ta interpretojnë këtë gjini unikale të këngës, apo ka një zbehje vitet e fundit?
Irini Qirjako: Sigurisht që ka një zbehje shumë të madhe sepse emigracioni ka bërë punën e vet ku kanë ikur shumë nga Shqipëria duke mos u kthyer më në atdhe, dhe aty kanë mbetur mosha të vjetra dhe polifonia është zbehur dhe për këtë unë ndjej një dhimbje shumë të madhe në shpirt. Unë i kam dhënë gjithmonë mesazhe institucioneve të kulturës dhe artit që kjo këngë duhet të studiohet që në klasë të parë fillore, duhet bërë nëpër shkolla ku të gjitha shkollat e jugut duhet ta fusin në orar mësimi dhe duhet që të gjithë fëmijët ta interpretojnë këngën polifonike dhe kështu ajo nuk humbet. Akoma nuk është realizuar kjo gjë dhe kjo më dhemb shumë. Unë përsëri ju bëj thirrje që kjo këngë duhet futur që në klasë të parë fillore, sidomos trevat e jugut që të mos venitet dhe të mos shuhet polifonia, ky është i vetmi merak që unë kam.
Irini Qirjako gjate nje emisioni televiziv (Facebook)
CMG: Një kontribut të çmuar ju keni dhënë edhe në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Keni mall për të interpretuar sërisht në skenën e Operas?
Irini Qirjako: Sigurisht që kam shumë mall, por do thosha një gjë të vërtetë që kur kam qenë solistja kryesore e Ansamblit aktivitetet ishin të shumta, por tani aktivitetet janë shumë të rralla. Mundohen ta mbajnë gjallë polifoninë, por duhet që dhe ne që kemi kontribuar kaq shumë të na thërrasin, sepse unë jam vitale në skenë. Unë vazhdoj të këndoj, dhe tani jam në një projekt të madh italian ku këndohet polifonia shqiptare dhe polifonia e Bahut dhe unë jap koncerte aty.
Irini Qirjako me kengetaret Valdete Hoxha dhe Sabahete Visnja (Facebook)
CMG: Irini ju keni një arkiv të çmuar këngësh polifonike dhe popullore të jugut, por cilën nga këngët keni më për zemër dhe që e këndoni më shpesh nëpër aktivitete?
Irini Qirjako: Kënga që unë kam më shumë për zemër është kënga polifonike “Këngët e atdheut tim, janë ilaç, janë shërim” të të madhit Lefter Çipa. Këtë këngë unë e interpretoj në çdo aktivitet ku jam e ftuar dhe sa herë e këndoj gjithmonë më rrëmben një emocion i fuqishëm, sepse kjo është një këngë monumentale që nuk vdes kurrë.
Irini Qirjako me koleget e AKVP (Facebook)
CMG: Gjithmonë ju shohim të veshur dhe me kostumin popullore tradicional të Lunxhërisë. E keni tuajin këtë kostum dhe sa vjeçar është?
Irini Qirjako: Unë kur dal që këndoj këngën polifonike, vesh kostumin popullor i cili është një vlerë e madhe e kostumografisë shqiptare. Ky është kostumi i Lunxhërisë dhe në të gjitha skenat e botës sapo mbaronim aktivitetin dhe kemi dalë jashtë për të na takuar publiku, të huajt e pëlqenin kaq shumë sa mahniteshin. Kostumin që unë kam tani është 50 vjeçar, por unë kam pasur një kostum tjetër në ansambël që ishte 100 vjeçar, por sigurisht ishte i vjetëruar. Ndërkohë që brezin e kostumit e kam 200 vjeçar dhe që është punuar mjaft bukur.
Irini Qirjako me kostumin popullor (facebook)
CMG: Në cilat raste e përdorni kostumin popullor?
Irini Qirjako: Unë kostumin popullor e vesh sipas kërkesave, kur jam në skenë nëpër shtete të ndryshme të botës si Itali, Austri, edhe këtu kur këndoj këngë polifonike. Nuk mund ta konceptoj të këndoj polifoninë pa kostumin popullor sepse duket sikur ke dalë në luftë pa armën. Kështu që kostumi popullor është arma kryesore e këngës polifonike. Në evente të ndryshme, sidomos kur dal jashtë shtetit më thonë që të marr dhe kostumin popullor, dhe unë e marr dhe e vesh në këto evente ku publiku mrekullohet.
CMG: Keni menduar që të realizoni ndonjë koncert recital, duke parë që zërin e keni ruajtur në formën më të mirë?
Irini Qirjako: Unë në Ansambël kam bërë shumë koncerte recitale, por tani është pandemia dhe na ka penguar. Kisha një ide për një koncert recital bashkë me bashkëpunëtorin tim, kompozitorin e madh Edmond Zhulali, mirëpo ra pandemia. Po presim që kur të çlirohemi nga kjo pandemi, të realizoj një koncert recital.
CMG: Keni pasur aktivitetet artistike gjatë vitit të kaluar?
Irini Qirjako: Viti i parë i pandemisë ishim të izoluar, edhe vitin e kaluar përsëri të kufizuar, por unë kisha koncerte këtu në Shqipëri, si dhe në Itali me projektin italian ku ishte festivali më i madh në një qytezë të vogël pranë qytetit të Leçes. Aty kishim koncertin ku unë isha e veshur me kostumin popullor. Pra aktivitete kanë qenë të reduktuara, por dhamë disa koncerte. Tani presim sesi do të vijnë rrethanat më vonë.
CMG: Së fundi një mesazh për të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani.
Irini Qirjako: Ju uroj të gjithëve që ta ndjekin këtë emision në Radio Ejani sepse ju këtu transmetoni vlerat më të çmuara që ka folku shqiptar dhe për këtë ju vlerësoj dhe respektoj shumë. Ju uroj të gjithëve të kenë lumturi, shëndet të plotë në familjet e tyre dhe çfarë tju dëshirojë zemra.
Intervistoi: Gazmend Agaj