Artisti Berat Haskaj, i cili njihet me emin e artit, Bennito e ka nisur rrugën e artit si balerin, por falë talentit dhe insistimit të miqve të tij, arriti të bëhet pjesë edhe e muzikës. Bashkëpunimi i tij me këngëtaren, Soni Malaj për këngën me titull “Pak si…” pati shumë sukses. Ka dy javë që ai ka ka publikuar këngën më të re, e cila mban titullin “Idiot”. Në intervistën prë CMG Bennito ka rrëfyer për karrierën e tij si balerin dhe vazhdimësinë drejt muzikës etj.
Bennito (Foto nga Instagram)
CMG: Do ta nis me emrin tend. Përse ke vendour të prezantohesh me pseudonimin Bennito?
Bennito: Unë e kam emrin e vërtetë Berat, por shoqëria më ka thirrur përherë Beni, më pas filluan Bennito dhe kështu vendosa që në publik të prezantohem me emrin e artit, Bennito.
CMG: Ti ke pak javë që ke publikuar këngën më të re me titullin "Idiot". Përse kjo fabul dhe çfarë të frymëzoi?
Bennito (Foto nga Instagram)
Bennito: E vërtetë që ka pak kohë që është publikuar kënga ime më e re. Arsyeja përse kënga quhet “Idiot”, tregon për një mashkull i cili bën çdo gjë për një femër, ja plotëson çdo gjë të mundshme dhe për një gabim të vogël që bën ky djalë, për femrën e tij është thjesht një idiot, kjo është arsyeja përse.
CMG: Ti je profesionist në fushën e kërcimit, por përse zgjodhe të provoje dhe muzikën?
Bennito: Që nga mosha 12 vjeçare unë merrem me kërcimin. Kam arritur që të jem në skena të ndryshme nëpër botë në konkurse të kërcimit nga Europa, Azia e shumë vende të tjera. E dua dhe e vlerësoj shumë kërcimin, madje kam dhe një studio kërcimi në Zvicër. Në të vërtetë nuk isha unë që zgjodha të merresha me muzikë, por ishte mendimi i miqve të mi, të cilët më duan e më respektojnë. Ata menduan se kam talent dhe në muzikë e duhej të vazhdoja të merresha dhe me këngën. Duke qenë se e njoh muzikën shumë mirë, vendosa që paralelisht të merrem si me kërcimin ashtu edhe me muzikën.
Bennito & Soni Malaj
CMG: Si erdhi bashkëpunimi yt me këngëtaren Soni Malaj?
Bennito: Sa i përket bashkëpunimit me Soni Malaj, unë atë e kam vlerësuar gjithmonë si artiste. E kam thënë thënë në disa intervista në Shqipëri se, dua të bëj një bashkëpunim me të, pasi është e preferuara ime. Gjithashtu kam një shoqe shumë të mirë, Ledja Liku e cila më propozoi që të kem një bashkëpunim me Sonin. Ajo pranoi dhe ne së bashku realizuam këngën “Pak si” bashkë me videoklip, ku doli një punë shumë e bukur!
CMG: A është muzika një mënyrë e depërtimit të talentit tënd drejt famës? Cilin do më shumë nga dy profesionet, muzikën apo kërcimin?
Bennito (Foto nga Instagrami )
Bennito: Të dyja i dua, kërcimin e kam jetë, muzikën e dua shumë. Pa muzikë e kërcim gjysma e jetës sime do të ishte bosh. Nuk është se unë prisja famën nga muzika, se unë famën e kisha nga kërcimi, por muzika duket se po ma zgjeron këtë famë. Nuk ishte domosdoshmërisht për të arritur famën në muzikë, thjesht e kam pasion dhe muzikën, e bëj me shumë qejf. Të dyja paralelisht po ecin mirë, njerëzit po e presin shumë mirë muzikën time, madje as vetë nuk e mendoja se do ndalesha shumë në muzikë. E fillova vetëm me një këngë, mendova t’i përkushtohesha vetëm kërcimit, por meqënëse me këngën dhe stilin tim muzikor publiku e priti mirë si në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë, kjo gjë më dha shtysë për të vazhduar dhe me muzikën.
CMG: Na trego për arritjet e tua në kërcim?
Bennito (Foto nga Instagrami)
Bennito: Me kërcimin kam arritur shumë, kam marr pjesë në gara botërore si në Azi, Europë, ku kam fituar çmime në Hollandë, Greqi, Francë dhe në shumë vende të tjera. Gjithashtu kam kërcyer edhe me gjithë këngëtarët e njohur të muzikës moderne.
CMG: Ku është fokusi yt sot?
Bennito: Sa i përket fokusit sot, është karriera në muzikë pasi po i përkushtohem shumë. Jam duke punuar projekt pas projekti me shumë artistë njëkohësisht. Bashkëpunimet me Soni Malaj dhe këngëtarin, Stine patën shumë sukses dhe së shpejti do vij me një tjetër bashkëpunim, i cili do publikohet së afërmi në tregun muzikor. Shpresoj që të ketë sukses!
Bennito në median e shkruar në Zvicër (Foto nga Instagram)
CMG: Cilat janë planet e tua për në vazhdim?
Bennito: Sa i përket planeve në vazhdim, dua të bëj një album muzikor. Unë plane kam plot, por po e lë në dorë të Zotit. Po të jem mirë me shëndet, kam shumë dëshira dhe plane të mira, të cilat mendoj se do priten shumë mirë. Në të ardhmen e shoh veten në skenat e muzikës dhe së shpejti do jem me disa koncerte në Shqipëri.
Bennito në studion e kërcimit në Zvicër (Foto nga Instagram)
CMG: Faleminderit dhe suksese!
Bennito: Shumë faleminderit për intervistën! Uroj paqe për të gjithë shqiptarët kudo ku ndodhen. Respekt dhe dashuri pa fund. Ju dua të gjithëve!
Intervistoi: Sava Lena
Bennito në skenë (Foto nga Instagram)