Petrit Çarkaxhiu është këngëtar dhe autor këngësh. Nga "Jericho Walls" në "Jericho" që prej vitit 2001, grupi i djemve kosovarë shpesh të krahasuar në stil me bandën e famshme “Rage Against the Machine”, kanë zbutur paska tendencën rep-core që ka dominuar përgjatë viteve, duke iu bashkangjitur një zhanri disi më të lehtë, shoqëruar nga motive folklorike. Petrit Çarkaxhiu, i njohur me emrin Rrusta është lideri i grupit të njohur që sjell këngë, kryesisht në dialektin geg, me një stil “ndryshe”, duke pasur parasysh tendencat që ekzistojnë sot në tregun muzikor shqiptar. Artisti ka arritur që të fitojë vëmendjen dhe dashurinë e audiencës falë rebelimit dhe forcës së shprehjes për të nxjerrë në pah të pathënat e shoqërisë shqiptare, nëpërmjet këngëve të tij dhe grupit.

Petrit Çarkaxhiu

Petrit Çarkaxhiu

Në maj 2015, Petrit Çarkaxhiu & Dem Baba Dem marrin pjesë në Top Fest 12 me këngën "Gegë e toskë".

Më 20 Prill 2020, Petrit Çarkaxhiu publikon videoklipin "Natë e gatë", ku muzika u punua prej vetë atij. Në maj 2020, Petrit Çarkaxhiu publikon videoklipin "Vajza e tokave të diellit", si kantautor dhe autor i tekstit. Po atë vit në korrik Çarkaxhiu publikon videoklipin "Dul behari", ku shfaqet sërish si tekstshkrues dhe kompozitor.

CMG : Sa herë që ndodheni në Tiranë çfarë ju pëlqen më tepër?

Petrit Çarkaxhiu: Sot ndihem nostalgjik dhe jo pa arsye. Tirana më sjell gjithmonë aromën e nostalgjisë dhe të gjërave të bukura të një vendi që më ka ofruar kujtime të këndshme. Këtu kam kryer gjimnazin dhe kam shumë miq dhe kujtime. Të mësosh për shpirtin e popullit shqiptar mjafton të qëndrosh me të moshuar e njerëz të mençur, por gjithashtu të dëgjosh nën rreshta tek muzika popullore, aty kupton historinë e gjithë jetës të njerëzve.

CMG : “Grupi Jericho” çfarë rëndësie ka në jetën tuaj artistike dhe jo vetëm?

Petrit Çarkaxhiu : Ka një rëndësi gati 24-vjeçare që prej krijimit dhe deri tani ka sjellë patjetër ndryshim në jetën time dhe të të gjithë pjesëtarëve të grupit. Kemi ndarë së bashku gati gjithçka, sukses dhe luhatje të ndryshme.

Çdo njeri mua më asocion me “Jericho” dhe është gati e pamundur tashmë që ne të distancohemi apo të njoh një tjetër drejtim qoftë edhe për të pasur një grup tjetër për t’u përfshirë nuk e mendoj dot kurrë.

Kemi qenë gjithnjë të gatshëm për të përjetuar edhe ndryshimet nga muzika e huaj tek muzika e lehtë shqiptare e kështu me radhë. Tekstet tona morën një popullaritet shumë të madh.

Petrit Çarkaxhiu

Petrit Çarkaxhiu

CMG: Si keni arritur që ta mbroni grupin tuaj për të mos u dëmtuar? A është e vështirë puna në grup?

Petrit Çarkaxhiu : Çdo këngëtar duhet të jetë i gatshëm që të tejkalojë sfidën egoiste të vetes. Nëse kalon atë sfidë me veten që quhet arritje personale, e vlerëson më tepër frymën e grupit dhe gjithçka shkon më mire. Ndërsa në pjesën e ndjeshmërisë është shumë e rëndësishme që në fund të ruhet edhe miqësia, sepse përtej faktit që punohet edhe ndërtohet marrëdhënie miqësore.

CMG: E ndani jetën mes Shqipërisë dhe Stambollit. Cilat janë tiparet që ua veshin shqiptarëve?

Petrit Çarkaxhiu: Ka një tipar që në disa raste duket sikur është një tipar i mirë dhe në disa raste jo edhe aq. Thuhet për shembull që shqiptarët kanë inat dhe sa herë që dikush shfaq tiparin e inatit thuhet rëndom që paske inatin e shqiptarit. Kjo është edhe mirë edhe keq, sepse mund të kenë inat personal, por edhe inat për punë e për gjera të tjera.

CMG: Pse ju kanë quajtur grupi rebel?

Petrit Çarkaxhiu: Ne jemi rritur në një frymë grupi shumë të vështirë, luftërash dhe trazirash dhe brenda karakterit tonë është manifestuar ndjenja e rebelimit ndaj dhe na kanë cilësuar ashtu. Shpesh kemi nxjerrë në pah të vërtet dhe me një gjuhë që shumë pak guxonte.

CMG: Çfarë do të mbetet përherë e pa ndryshuar tek grupi juaj?

Petrit Çarkaxhiu: Vitet do të kalojnë, por ajo që do të mbetet e pandryshuar gjithnjë është tipari kryesor i rebelëve dhe që ne në këngët tona do të kemi përherë elementë të folklorit sepse në këtë formë e gjejmë veten tonë.

Petrit Çarkaxhiu(arsalbanica.mk)

CMG: Diaspora shqiptare në Turqi si e pret muzikën tuaj?

Petrit Çarkaxhiu: Diaspora shqiptare në Turqi është shumë e madhe , sepse flasim për rreth 5 milion banorë dhe ata që e duan më shumë muzikën është gjenerata e tretë apo e katërt. Në këto vitet e fundit e kanë gjetur një rilindje të identitetit kombëtar tek muzika jonë. Ndaj dhe kemi marrë shumë komente të mira prej shqiptarëve të Turqisë. Kanë një nostalgji të madhe nëpërmjet muzikës. Njësoj janë edhe me shqiptarët në diasporën e Zvicrës apo Gjermani.

CMG: Cila është grupmosha që ju ndjek më tepër?

Petrit Çarkaxhiu: Grupmosha që na ndjek më tepër është 25-35 vjeç dhe më tepër djemtë. Ndërsa këngët që janë sjellë në solo kuota e femrave është rritur.

CMG: “Natë ë gate” kënga juaj më e re pse pati një arsye që nga poezi të kthehet në këngë?

Petrit Çarkaxhiu: “Natë e gate” është një frymëzim shumë i madh për mua. Përtej faktit që ka qenë një poezi e shkruar dhe është risjellë. Unë kam kujtime shumë të bukura gjatë përpunimit të saj. Le ta quajmë si një dedikim për Suad Jaminin, i cili ka ndërruar jetë, bastisti i grupit “Jericho”. Ne qëndronim gjatë për të shkruar tekste, punuar e krijuar ndaj kjo këngë ka shumë kuptim për mua.

CMG: Kush kujdeset shpirtërisht që ju të publikoni këngë të ndjeshme?

Petrit Çarkaxhiu: Këngët në fakt janë shkruar herët, por janë ngjarjet në jetë që na shtyjnë ne për t’i publikuar. “Vajza e tokave të diellit” mban një prapavijë të një botë shpirtërore.

Duke qenë që unë jetoj në Stamboll jam përballur aty me natyra të bukura vajzash, të cilat vërtet kanë ardhur nga toka të nxehta, ndaj i kam quajtur edhe vajza të tokave të diellit.

Intervistoi: Megi Latifi