Gjergj Kaçinari (në intervistë për CMG)

Gjergj Kaçinari (në intervistë për CMG)

Kantautori Gjergj Kaçinari i rritur në një familje artistësh e ka nisur muzikën që në moshën 4 vjeçare, duke mësuar pianon e më pas disa instrumenta të tjerë si kitarën, kitarë-bass dhe baterinë. Sot këndon dhe është një ndër instrumentistët e rinj më të mirë. Ai ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Arteve në Tiranë në kompozicion muzikor. Gjergji ka marë pjesë në shumë festivale si, “Kënga Magjike”, “Festivali i RTSH-së”, “Netët e Klipit Shqiptar, etj. Gjithashtu ai ka publikua disa videoklipe, të cilat kryesisht preferon t’i sjellë në gjuhën angleze. Për CMG ai tregon për pjesëmarrjen e tij në Fest’60, bashkëpunimet me kitaristin e Bon Jovi-t, por dhe planet për të ardhmen.


Gjergj Kaçinari në skenën e festivalit (Foto nga Instagrami)

Gjergj Kaçinari në skenën e festivalit (Foto nga Instagrami)

CMG: Përshëndetje Gjergji dhe mirë se erdhe! Ti ke qenë konkurent së fundi në Fest '60 me këngën "Në ëndërr mbete ti" Çfarë vendi zë kjo këngë në karrierën tënde si artist?

Gjergj Kaçinari: Është një material shumë kompozicionalisht ndryshe nga materialet e mia të mëparshme, pasi është më pop dhe më baladë. Gjithsesi produksioni alternativ ka mbetur shumë i kënaqur nga e gjithë puna që u bë dhe performanca live në festival, kështu që qëllimi im u përmbush.

CMG: Kjo pjesëmarrje kishte qëllim në vetvete Eurovizionin?

Gjergj Kaçinari: Jo, për aq kohë sa Eurovizioni paraqet atë imazh që ka, kjo nuk është fare në qëllimet e mia apo në dëshirat e mia aktuale. Sigurisht është një stad, në të cilin asnjë njeri s’do ishte kundra për të qenë pjesë e saj, por nuk hyn fare në dëshirat dhe arritjet profesionale të paktën për momentin.

CMG: Sa e shijove ti këtë interpretim live?

Gjergj Kaçinari: Unë e shijova shumë, kam qenë për shumë vite pjesë e orkestrës. Festivali i vitit të kaluar i cili ishte pa orkestër, për mua ishte nga gjërat më të vështira që kam shijuar më pak, kështu që rikthimi i orkestrës në festival, ishte rikthimi i identitetit të festivalit.


Gjergj Kaçinari në studio (Foto nga Instagrami)

Gjergj Kaçinari në studio (Foto nga Instagrami)

CMG: Fundvitin që lamë pas ti kishe një tjetër angazhim në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, "Rrok'e Agimin". Na trego për këtë eksperincë?

Gjergj Kaçinari: “Rrok’ e Agimin” është një projekt që u konceptua për 75-vjetorin e çlirimit, por për shkak të tërmetit u shty pasi tërmeti ndodhi dy ditë para festave të 28-29 nëntorit dhe u la pezull. Ishte një koncept komplet ndryshe nga aktivitetet e Teatrit të Operas dhe Baletit, një shkrirje midis bandës së rrokut dhe orkestrës së Teatrit të Operës, ishte dicka hibride, shumë e veçantë dhe ndryshe. Këngët ishin të sjellura në një mënyrë tjetër, jo thjesht riorkestrimi i materialeve, por një rikonceptim i tyre.

CMG: Konkretisht ti çfarë interpretove aty dhe çfarë ndjesie të përcolli interpretimi i atyre materialeve?

Gjergj Kaçinari: Unë drejtova bandën e rrokut, gjithashtu interpretova këngën për Mine Pezën, e cila ishte material hapës i aktivitetit dhe u pasua më vonë nga “Dëshmorët e Pojskës” ku interpretova në duet me Vikena Kamenicën, por gjithashtu kisha bërë dhe një pjesë të orkestrimeve të këngëve.


Gjergj Kaçinari në skenë (Foto nga Instagrami)

Gjergj Kaçinari në skenë (Foto nga Instagrami)

CMG: Mendon se është ide e mirë rikthimi i këngëve pas në kohë, në një version tjetër atë “Rock” tani në kohët moderne?

Gjergj Kaçinari: Po sigurisht që është një ide e mirë, është një këndvështrim tjetër, nuk është se vetëm u risollën, por ishin në një konceptim tjetër. U pa se si mund të këndoheshin ndryshe ato këngë nëse do të ishin shkruar sot.

CMG: Dhe si mund të duken ato këngë pas 100 vitesh? Si mendon, në çfarë versioni mund të eksperimentohet?

Gjergj Kaçinari: Nja 70 vite kanë kaluar, kështu që shpresojmë të mos shkojë më keq se kaq muzika. Mendoj që jo vetëm me ato këngë, por po ndodh avash-avash një rikthim pas. Edhe rrymat e reja, trendet e momentit pavarësisht se janë shumë të varfëra nga ana kompozicionale, duket një lloj dëshire e përdorimit të disa tingujve, materialeve apo instrumentave të vjetër. Kështu që shpresoj të ndodhi një rikthim.


Gjergj Kaçinari ne skene (Foto nga Instagrami)

Gjergj Kaçinari ne skene (Foto nga Instagrami)

CMG: Një tjetër projekt i rëndësishëm ka qenë edhe bashkëpunimi me këngëtarin Renis Gjoka, diçka e veçantë dhe interasante në llojin e vet. Do të na tregosh për këtë bashkëpunim?

Gjergj Kaçinari: Koncerti ishte një ide dhe koncept totalisht i Renisit. Unë isha ekzekutori i të gjitha ideve të çmendura dhe të shthurura të Renisit. Ishin 23 materiale, shumica ishin këngë që u riorkestruan dhe disa materiale të reja të Renisit. Një ndër to sigurisht që ishte dhe dueti që unë kam me Renisin, kënga me titullin “Ajo”. Kështu që ky ishte një projekt shumë i rëndësishëm për mua në karrierën time profesionale.

CMG: Ti e ke nisur pianon që në moshën 4 vjeçare, 12 vjeç nise kitarën më pas baterinë e kështu me rradhë. Në cilin instrument e sheh veten ekselent?

Gjergj Kaçinari: Sigurisht në piano kam shpenzuar orë më shumë se kudo tjetër. Unë në asnjë nga instrumentat e tjerë nuk kam studjuar, sepse thjesht mësoja t’i bija e më pas luaja këngë, në këtë mënyrë kam mësuar, por instrumenti që është më komod për mua është kitara. Kitarën mund ta marr kudo, më shoqëron nëpër performanca live, ndryshe nga pianoja që është më impenjative. Ndërsa bateria është instrumenti që sa herë dua të shfryj nervat, i heq mbulesën dhe i bie, ( në vend të boksit). (Qesh)


Gjergj Kaçinari (Foto nga Instagram)

Gjergj Kaçinari (Foto nga Instagram)

CMG: Me pak fjalë më ekselenti je në piano pavarësisht dashurisë për të treja instrumentat?

Gjergj Kaçinari: Po sigurisht. Mua më pëlqen të luaj pothuajse në çdo instrument sidomos në bateri, bas, kitara sepse janë më të përfshira në muzikën rrok sesa piano apo ndonjë tjetër, por besoj që orët që kam kaluar në piano nuk i kam kaluar dot në të gjitha instrumentat së bashku.

CMG: Sot që këndon në skenë ti vjen si kantautor, duke kënduar e interpretuar në instrumenta, por cila është arma jote më e fortë kur je në skenë, kënga apo instrumenti?

Gjergj Kaçinari: Arma më e fortë është background-i, puna që unë bëj me krijimin, orkestrimin, me të gjitha këto për të sjellë deri në skenë një këngë. Por sigurisht që më komod jam në instrument, më shumë argëtohem duke kënduar, është shumë kompleks dhe nuk di të zgjedh diçka të preferuar. Është njëlloj si të më pyesësh se cilin do më shumë mamin apo babin. (Qesh)

CMG: Meqënëse ra fjala, cilin do më shumë?

Gjergj Kaçinari: Ehh, nuk e di, do ta mendoj. (Qesh)

CMG: Sa të ka ndihmuar mbiemri Kaçinari në rrugën tënde të artit?

Gjergj Kaçinari: Nuk më ka ndihmuar aq shumë, më shumë më ka penguar duke qenë se ne jemi një popull shumë paragjykues, duke pasur dhe pengesa të panevojshme, brryla të panevojshëm ose inate të vjetra. Gjithsesi mua më ka ndihmuar personalisht në rrugëtimin tim, sepse unë sfidën e kam pasur me veten, nuk e kam pasur me dikë apo diçka. Më ka shkurtuar punë, në kuptimin që kam pasur disa rrugë më të shpejta për të shkuar diku ku kam dashur dhe kjo jo vetëm prej babit, por edhe prej motrës, mamit apo gjyshit. Ne e kemi të trashëguar muzikën, brez pas brezi, kështu që ka qenë shumë e lehtë për mua deri diku.


Gjergj Kaçinari në skenë (Foto nga Instagram )

Gjergj Kaçinari në skenë (Foto nga Instagram )

CMG: Je ndjerë ai djali i përkëdhelur i familjes?

Gjergj Kaçinari: Jo, jo s’ka lidhje. Mami dhe babi sigurisht kanë qenë aty, mami është tifoze e verbër e imja, ndërsa babi ka qenë përherë kritik sepse unë atë doja. Kur pyes dikë për një material kam nevojë për kritika, nuk dua të më thonë sa e bukur është kënga. Kështu që ka qenë një ambjent favorizues, shtyrës dhe sfidues.

CMG: Diku në një intervistë ti ke thënë; “Nuk i kam kërkuar babait, pra Alfred Kaçinarit, për të më kompozuar një këngë. Përse?

Gjergj Kaçinari: Nuk e di, as ai s’më ka propozuar mua, por as unë atij në fakt. Ne punojmë shpesh bashkë, sigurisht që konsultohemi sepse punojmë në të njëjtin ambjent, por ende nuk ka ardhur momenti. Mendoj që do vijë një orë biologjike organikisht, që ne ta bëjmë një bashkëpunim.

CMG: Ke provuar të eksperimentosh me grupe muzikore, por njëkohësisht edhe si solist. Cila është mënyra më e mirë për t’u bërë i famshëm?

Gjergj Kaçinari: Sigurisht që si solist, unë kam humbur shumë kohë me gjëra të panevojshme, kur hyjnë edhe grupet, bashkëpunimet që kam pasur, impenjime ose prioritete që s’kanë qenë të duhura. Por rryma që unë luaj kërkon grup, kërkon gjithmonë një ekip mbrapa, nuk është një rrymë që unë mund t’a bëj me një USB, kështu që shpresoj të gjej një të mesme të artë për këtë pjesë.

CMG: Gjergji, do më tregosh pak se cili është grupi yt i preferuar?

Gjergj Kaçinari: Gjithmonë kam qenë midis Metallica dhe Bon Jovi, sigurisht kam pafund grupe të preferuara duke filluar që nga Abba-t dhe grupë të tjera të reja, por gjithmonë vëmendja ka qenë tek Metallica, prej tyre vendosa të merrem me muzikë gjatë gjithë jetës.

CMG: Në të ardhmen është synimi yt në tregun ndërkomëbëtar?

Gjergj Kaçinari: Sigurisht. Nuk mendoj se ka ndonjë njeri që nuk e synon, e sidomos rryma që unë bëj, ka gjetur shumë e shumë hapësira jashtë vendit, sigurisht edhe këtu, por ai 5% apo 10% që ndjek këtë rrymë është shumë i vogël në sasi, si dhe është problem tregu. Këtu nuk ka një treg, jo se është i vogël, por thjesht nuk ka. Ndërsa jashtë është numër shumë më i madh, dhe besoj që ka vend për një rrymë të tillë, “hibribe” do e quaja sepse s’di çfarë emri t’i vendos rrymës që unë bëj. Kështu që të shohim se çdo ndodh...


Gjergj Kaçinari në Netët e Klipit Shqiptar (Foto nga Instagrami)

Gjergj Kaçinari në Netët e Klipit Shqiptar (Foto nga Instagrami)

CMG: Na trego pak për eksperiencat e tua. Me sa di unë ti ke pasur bashkëpunime me kitaristin e Bon Jovit, po me Metallica-n?

Gjergj Kaçinari: Metallica thjesht i kam parë live, ndërsa eksperinca me Bon Jovi-n, kitaristi i tij është një nga kitaristët fatmirësisht më virtuoz që qarkullon në tokë edhe unë kam pasur fatin të kem një miqësi të ngushtë me të dhe disa bashkëpunime muzikore profesionale. Bashkëpunimet kanë qenë të shpeshta, të cilat kanë nisur që para 6 vjetësh në Gjermani.

CMG: Do na tregosh se si të ka ardhur ftesa nga kitaristi i Bon Jovit për të bashkëpunuar?

Gjergj Kaçinari: Ka qenë disi e çuditshme në fakt, në Instagram, ku unë nuk jam ndonjë frekuentues i tij, gjë që edhe duket kush sheh profilin tim aty. Atë vit ishte thjeshtë një koment i imi, i pasuar nga një mesazh, ku ai më ftoi e më pyeti, nëse doja të luaja me të. Ishte me të vërtetë shumë e çuditshme, sa ende nuk e di pse. Ai thjesht ndoqi instiktin dhe më shkruajti. Që atëherë pastaj u bëmë kolegë edhe shokë, kjo ishte pjesa më e rëndësishme mendoj.

CMG: Në sa vende dhe koncerte keni qenë bashkë me të dhe a keni plane në vazhdimësi për të bashkëpunuar?

Gjergj Kaçinari: Kemi qenë disa herë në Gjermani me 2-3 koncerte të ndryshme, në Rumani, Slloveni, në festivale ndërkombëtare me grupe apo artistë shumë të njohur në të gjithë botën. Plani është që bashkëpunimet të vazhdojnë, pse jo.

CMG: Gjithmonë në koncertet që ka dhënë Jon Bon Jovi apo në projekte të tjera?

Gjergj Kaçinari: Të tjera, sepse Bon Jovi është i konsoliduar dhe hermetik në bandën e tij prej 40 vitesh tashmë, dhe besoj që ajo është diçka që nuk preket dot, por projekte të veçanta apo shfaqje “opening” apo gjëra të tilla besoj se do të zenë vend së shpejti. Kështu që është një nga bashkëpunim më të rëndësishmet që unë kam pasur dhe do të kem ndonjëherë, në këngë dhe jo vetëm.


Gjergj Kaçinari në koncertin e Bon Jovit (Foto nga Instagrami)

Gjergj Kaçinari në koncertin e Bon Jovit (Foto nga Instagrami)

CMG: Cilat janë planet dhe projektet e tua sa i takon vitit 2022 e në vazhdim?

Gjergj Kaçinari: Planet e mia janë që unë të konkretizoj, konsolidoj e mbyll të gjitha materialet, këngët, punët që kam lënë të hapura që prej vitit të kaluar, ku unë kisha skicuar shumë gjëra, por prej pandemisë e karantinës ndryshuan planet rrugës. Më pas në verë shpresoj të bëjmë një turne të mirëfilltë, sepse dy vitet e fundit kemi pasur shumë koncerte, por kanë qenë të reduktuara, disa pa publik, pra nuk kanë qenë rrethana shumë favorizuese dhe të qeta për të zhvilluar koncerte masive.


Gjergj Kaçinari & Phil X (Foto nga Instagrami)

Gjergj Kaçinari & Phil X (Foto nga Instagrami)

CMG: Mendon koncerte të tuat personale, si i ke konceptuar?

Gjergj Kaçinari: Po, në përgjithësi çdo verë, por edhe në dhjetor kemi pasur 23 koncerte brenda muajit nëpër qytete të ndryshme me grupin tim.

CMG: Më shpesh këndon cover-a të huaj apo këngët e tua?

Gjergj Kaçinari: Zakonisht një përzierje, ku koncertet që janë rreth një orë unë i mbuloj me repertorin tim, por ka raste që përfshij edhe këngë ndërkombëtare të njohura sepse janë këngë që kanë influencuar në krijimin tim apo që thjesht i kam qejf t’i performoj.


David Bryan & Gjergj Kaçinari (Foto nga Instagrami)

David Bryan & Gjergj Kaçinari (Foto nga Instagrami)

CMG: Gjergji, dëshiron të shtosh diçka së fundi?

Gjergj Kaçinari: Shpresoj që kur të kem një projekt të rradhës, pse jo të ritakohemi.

CMG: Të uroj shumë suksese! Uroj të të realizohen planet dhe objektivat që i ke venë vetes në vazhdim dhe të shkëlqesh kudo që të shkosh.

Intervistoi: Sava Lena