Tani Hidaj që në moshë të vogël ka pasur pasion aktrimin dhe falë talentit ka arritur të marrë pjesë në disa produksione. Ai vlerëson rolin që ka luajtur te “Lokomotiva”, duke qenë një nga protagonistët kryesorë të këtij seriali televiziv. Synimet e tij janë të luajë në kinemanë turke dhe të jetë një aktor i suksesshëm në të ardhmen. Në një intervistë për CMG ai na tregon për pasionin e tij për kinemanë si dhe vshtirësistë që ka hasur gjatë këtij rrugëtimi.
Tani Hidaj (Instagram)
CMG: Si lindi pasioni për aktrimin tek ju?
Tani Hidaj: Dëshira ime për aktrimin ka lindur që në vegjëli, kur ndërkohë moshatarët e mi kishin dëshirë të bëheshin doktora apo pilotë siç ishin në atë kohë ëndrrat, unë preferoja që të bëhesha actor, sepse të japësh emocion është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhë një njeriu. Unë mendoj se emocioni dhe aktrimi del nga shpirti dhe të bësh aktrim këtu në vendin tonë ndoshta nuk vlerësohet aq sa duhet, por të bësh njerëzit të buzëqeshin apo t’u japësh emocion është diçka shumë e bukur.
CMG: Çfarë kujtoni nga mosha fëminore, ndoshta që atëherë keni pasur ngacmimin e parë për të luajtur në film?
Tani Hidaj: Unë kujtoj momente të bukura kur kam qenë në shkollë ku oborri i shkollës ishte si një skenë për mua dhe më kujtohet që u aktivizonim nëpër shkolla, duke luajtur disa pjesë të vogla. Unë preferoja gjithmonë që të aktivizohesha sepse më pëlqente dhe e bëja me pasion dhe rrinim duke bërë prova në atë kohë. Kam përfaqësuar shumë herë shkollën time në konkurse të ndryshme dhe gjithmonë mbaja rolin kryesor, sepse ishte dëshira dhe ecja nëpër ëndrra, ku ato nxënësit dhe mësuesit më dukeshin sikur ishin në kinema sepse ato duartrokitjet e tyre të jepnin një emocion të madh. Momenti kur isha në atë oborr shkolle më dukej vetja sikur isha në një skenë të madhe dhe e imagjinoja veten një aktor shumë të madh. Pra që në atë kohë nisi dëshira për aktrimin.
Tani Hidaj duke luajtur ne serialin Lokomotiva (Instagram)
CMG: Aktrimin ju e keni dhunti sepse nuk jeni shkolluar për aktor, por a keni synuar ndonjëherë që të vazhdoni shkollën për aktrim?
Tani Hidaj: Të them të drejtën. pa pasur një pasion në shpirt dhe nëse nuk ke talent nuk bëhet. Unë aktrimin e kam dhunti timen, përveçse kam mbaruar dhe kurse të ndryshme për aktrim. Unë nuk e kam bërë shkollën e aktrimit sepse në atë kohë nuk e kisha mundësinë për të vijuar me shkollën për aktrim, por falë talentit kam arritur deri këtu ku jam sot.
CMG: Si ka qenë kontakti juaj i parë me kinemanë dhe filmi i parë që keni luajtur?
Tani Hidaj: Ëndrra ime ka qenë gjithmonë që ta shihja veten në kinema. Unë jam aktivizuar nëpër projekte të ndryshme me punë serioze jo shumë të mëdha, ku një ndër to që e kam bërë me shumë dëshirë ishte me një produksion arab ku unë kisha rolin kryesor. Në fakt ishte një mesazh sensibilizuaes për fenë islame dhe unë e kam luajtur me shumë pasion. Pashë që nga projektet e shumta që kisha, ndoshta nuk ishin dhe aq serioze dhe mu desh të largohesha, deri në momentin që u njoha me regjisorin Ermal Qori. Aty nisi dhe na bashkoi dëshira dhe pasioni për të nisur xhirimet e serialit “Lokomotiva”. Ishte diçka serioze dhe profesionale dhe pashë në momentin e parë sesi xhirohej në një shesh xhirimi. Ky serial është punuar me aq pasion dhe kjo ishte hera e parë që unë kam xhiruar diçka profesionale.
Tani Hidaj gjate xhirimeve te serialit Lokomotiva (Instagram)
CMG: Keni ndonjë aktor idhull në kinemanë shqiptare apo dhe atë botërore?
Tani Hidaj: Unë idhull nga aktorët shqiptarë kam të madhin Robert Ndrenika, që unë ndoshta do të kisha emocione jo vetëm të luaja me të, sepse do ishte një nder për mua, por edhe sikur thjesht ta takoja do të kisha emocione sepse është vërtetë aktor shumë i madh në Shqipëri. Unë pëlqej edhe shumë aktorë të tjerë shqiptarë, por Ndrenikën e kam shumë për zemër. Ndërsa aktorë të huaj nuk është se kam ndonjë idhull. Më shumë preferoj të jem idhulli i vetes.
CMG: Keni synuar që të jeni pjesë e ndonjë produksioni ndërkombëtar, për të qenë pjesë e kinemase botërore?
Tani Hidaj: Unë kam dëshirë që të jem pjesë e kinemasë botërore dhe synimi im është që të luaj në kinemanë turke, sepse edhe pamja ime është si turk dhe këtë ma thonë shumë njerëz. Unë mendoj se në kinemanë turke mundësitë janë më të mira dhe mund të vlerësohesh edhe më shumë ku mund të kesh dhe një karrierë të suksesshme. Pse jo, të kemi dikë siç është dhe aktori Nik Xhelilaj, të cilin unë e përgëzoj shumë që na përfaqëson në kinemanë turke. Pse mos të jem dhe unë aty sepse pretendoj dhe synoj shumë që ta kap atë treg, sepse e dua shumë.
Tani Hidaj ne interviste per CMG
CMG: Sa e vëshirë ka qenë për ju që të futeni në rrugën profesionale të aktrimit?
Tani Hidaj: Ashtu siç e thashë edhe më përpara unë kam luftuar shumë që të arrij këtu ku jam dhe e them me shpirt që e falenderoj Ermalin që më dha mundësinë. Unë kam bërë shumë audicione nëpër produksione të ndryshme ku dhe jam refuzuar, por momenti më i bukur i jetës është kur ti del nga vështirësia, duke mposhtur shumë refuzime dhe arrin atë që do.
CMG: Dhe ja keni arritur këtij qëllimi?
Tani Hidaj: Deri diku jam kam arritur qëllimit, por nuk mund të them se jam ndonjë aktor i rrallë, por për mua ishte një ëndërr e realizuar sepse këtë dëshirë kam pasur që kur isha fëmijë, që të arrija këtu ku jam sot. Shpresoj që të më jepet mundësia që t’i zgjerojmë projektet tona në të ardhmen.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe ju uroj suksese!
Tani Hidaj: Faleminderit shumë dhe ishte kënaqësi të isha në këtë intervistë.
Intervistoi: Gazmend Agaj