Artisti i njohur i muzikës shqiptare, Stefi Prifti ka një jetë që jeton me muzikën, por në mënyrë profesionale, prezantimi i tij i pare në skenë ndodhi në vitin 1991, kur konkurroi në Fest ’30 me këngën “Ne studentët”. Ai e ka konsoliduar karrierën muzikore bashkë me vëllain e tij Endri Prifti, një duet që ka fituar zemrat e publikut shqiptar dhe jo vetëm.
Për CMG Stefi rrëfen pjesëmarrjen në Fest ’60 ku me villain Endri interpretuan këngën “Triumf i jetës”. Stefi ndau me ne eksperiencën e televizive në programin “Dola te Ola”, por dhe pengjet e projektet për të ardhmen.
Endri & Stefi Prifti (Foto nga Instagram
CMG: Në Fest ’60 ti mbushe plot 30 vite që nga interpretimi yt i parë në skenën e Fest ’30 me këngën “Ne studentët”, në vitin 1991. A ishte ky qëllimi, për të festuar 30 vjetorin në atë skenë?
Stefi Prifti: Në të vërtetë nuk ishte qëllim në vetvete ky prezantim, pasi kjo gjë mu bë e ditur gjatë natës së dytë të festivalit. Ishte surprizë shumë e bukur. Kam qenë student kur mora pjesë për herë të pare në atë festival me këngën “Ne studentët” e kompozitorit Ilir Dangëllia, i cili besoi në aftësitë e mia vokale, si dhe teksti është shkruar nga poetesha Irma Kurti, të cilët i falenderoj për atë krijim të bukur, avantgarde për atë kohë.
Endri & Stefi Prifti
CMG: Do na bëni një krahasim të përgjithshëm me festivalin e 3 dekadave më parë, kur ti ke qenë një nga të rinjtë e festivalit të 30-të me këngën "Ne studentët" dhe fiks pas 30 vjetësh ti këndove në festival, me shumë të rinj sot.
Stefi Prifi: Kur je i ri ke emocione moskokëçarëse. Në këtë moshë që jam unë sot padiskutim që ka më shumë përgjegjësi. Me këtë backgraund dhe arritje që kemi, emocionet janë të kontrolluara, vokalet tona shkëlqyen gjatë interpretimit live. Përveç këngës së bukur të shkruar nga Jetmir Barbullushi, me tekst nga Zhuljana Jorganxhi dhe orkestrimi i Shpëtim Saraçit, të gjitha të mbledhura së bashku bëri që ne të marrim atë çmim profesional.
CMG: "Triumfi i jetës" erdhi si një himn në Fest '60. Sa e shijuat ju këtë festival dhe mesazhin e kësaj kënge ?
Stefi & Endri Prifti në skenën e Fest 60-të (Foto nga Youtube)
Stefi Prifti: Kemi jetuar me këngën dhe mesazhin e saj, për më shumë se dy 2-3 muaj. Këto lloj kompeticionesh kanë emocione të mëdha dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Që në momentin e parë e vlerësuam melodinë që na u shpalos në piano nga Jetmir Barbullushi. Edhe pse ne kishim kohë që nuk donim të merrnim pjesë në Festival, por ai e kishte të qartë se çfarë do kërkonte nga Zhuljana Jorganxhi, si dhe mesazhin që do e përcillte. Kur ai e shkroi këngën, kishte në mendje zërat tanë, e ne nuk mund t’i thonim “jo”, kështu që vendosëm që ta transmetonim këtë mesazh që i përket mbarë njerëzimit. Mesazhi që transmeton kënga jonë, është një triumf mbi vdekjen, apo një fjali që thotë “Dashuria e mban botën gjallë” dhe ne besojmë se jeta do triumfojë mbi vdekjen.
CMG: Çfarë vendi do ketë në arkivën tuaj çmimi më i veçantë i atij festivali, ai i mjeshtrit të madh, Ferdinand Deda?
Stefi Prifti: Nuk kemi marrë çmime të tjera, por në festivalin kombëtar ky është çmimi më i rëndësishëm, i vlerësuar nga të gjithë instrumentistët e orkestrës dhe ky çmim nga këta artistë me suksese ndërkombëtare, për mua ka vlera të jashtëzakonshme.
Stefi & Endri Prifti dalë në programin televiziv -Dola te Ola (Foto nga Instagram)
CMG: Ndodh që artistët dashurohen me materialin më të ri muzikor. A ndodh e njëjta gjë me ty?
Stefi Prifti: Kjo që the ti Sava është shumë e vërtetë! Unë e besoj këtë. Çdo artist, sidomos kur ka një material premierë, mendon se ai është më i bukuri. Është si puna e fëmijës, edhe kënga në fazën e parë të saj padiskutim është kështu. Por ne e kemi pjekurinë që të kuptojmë edhe përtej kësaj.
Kënga “Triumf i jetës” por edhe kënga “Mbi çdo iluzion” e interpretuar në Fest’50 me tekst nga Timo Flloko dhe kompozim nga Voltan Prodani mbajnë vendet e para. Dhe kemi dëshirë që t’i kthehemi asaj kënge, duam ta realizojmë në videoklip dhe t’i japim rëndësinë e duhur.
CMG: A do i kthehesh sërish festivalit?
Stefi Prifti dhe vajza e tij Maria (Foto nga Instagram)
Stefi Prifti: Në këtë moment që po flas, jo. Por dua t’i kthehem edhe një herë pyetjes së mëparshme. Mendoj se “Triumfi i jetës” tek unë personalisht duhet të kishte një vlerësim më të madh. Nuk ka në botë sot një këngë, për nga të gjitha komponentët, por mbi të gjitha mesazhi që përcjell ajo këngë, mënyra si është trajtuar fabula e saj. Ndoshta mund të jetë trajtuar kjo temë në një pikturë, por në një këngë, me këtë lloj trajtimi, kaq profesional, ende jo siç është kënga “Triumf i jetës”.
CMG: Ju kemi parë kohët e fundit të jeni edhe bashkëprezantues në një program televiziv. Si ndjehesh në rolin e prezantuesit? Emocioni më i bukur aty?
Stefi Prifti: Ishte një lloj sprove, e cila erdhi në kohë pandemie dhe më ka pëlqyer. Në atë kohë ne nuk këndonim dhe e pranuam në mënyrë të menjëhershme. Muajt e parë doli me sukses dhe produksioni mendoi që ta vazhdonim programin. E veçanta në atë program është se, gjatë emisionit unë mund t’i bëj një pyetje një politikani, që ndoshta nuk mund t’ja bëjë një gazetar.
Stefi Prifti (Foto nga Instagram)
CMG: Pyetjet tuaja janë spontane?
Stefi Prifti: Po po, spontanisht, por në fillim kemi pasur skenar. Ajo që ne dimë ta bëjmë shumë mirë është se ne interpretojmë 3-4 këngë në program. Aty kemi të ftuar politikanë, mjekë dhe shumë artistë, të cilët i falenderoj shumë sepse ka ndodhur që në 99 përqind të rasteve kanë ardhur vetëm për respektin tim dhe të Endrit. Ky është një problem të cilin unë e kam thënë disa herë dhe duhet thënë herë pas here, që programet televizive kur ftojnë artistë, të kenë një honorar pagese, sidomos në këtë kohë kur artistët nuk kanë punë fare, ose kanë pak punë me orare të kufizuara.
CMG: A ju ka ndodhur ndonjëherë që të keni interpretuar në skenë, ndërkohë që nuk flisnit me njëri- tjetrin?
Stefi Prifti: Po, na ka ndodhur plot herë, por nuk besoj se e transmetojmë. Mbi të gjiha ne jemi profesionistë dhe debatet tona janë për repertorin e këngëve. Në përgjithësi Endri ma le mua programin, por ndonjëherë ka edhe ai qejf për t’i trajtuar gjërat ndryshe, ku ndonjëherë duhet edhe logjika e Endrit sepse ai është më guximtar, me një kurajo të jashtëzakonshme, i drejtëpërdrejtë sa ndonjëherë mund të përdorë edhe fjalë fyese, të cilat unë nuk i përdor.
Stefi Prifti me dy vajzat (Foto nga facebook)
CMG: Çfarë mendoni se vlerëson publiku tek ju, që i keni fituar zemrën, e ju do aq shumë?
Stefi Prifti: Kjo pyetje më është bërë diku nga vitet 2000 kur ne u kthyem nga Greqia, ku gazetarë të mirënjohur nuk e gjenin dot përgjigjen e kësaj pyetjeje. Ishte një sukses i menjëhershëm, në ambjentin ku këndonim në Korçë vinin shumë njerëz nga Shqipëria, Kosova për të na ndjekur në lokalin tonë “Skena park” në Korçë. Dhe unë jam po aq i qartë edhe sot. Mendoj se janë disa gjëra. E para është vokali i lindur, ne kemi një timbrikë të veçantë, të përafërt me njëri tjetrin por jo të ngjashëm . Unë jam tenor pak bariton, Endri tenor me një grin pak më të shkëlqyer, unë më kadif, tjetër është dy-zërëshi, shkolla që kemi bërë, nuk na lejon ne të gabojmë sepse jemi rritur me muzikë që 6 vjeç, unë kam studiuar për violinë dhe kemi kaluar me mijëra nota që kemi interpretuar në instrumenta, Endri ka studiuar për Oboe dhe këto nuk të lënë të gabosh. Kur erdhëm në Shqipëri ne nuk dinim asnjë këngë popullore, njerëzit nuk e dinin këtë gjë. Ne kishim studiuar muzikë klasike, ndëkohë që dëgjonim dhe shijonim muzikën angleze, italiane dhe greke. Përgjatë qëndrimit tonë për 10 vite në Greqi, ne këndonim muzikë pop-rock –klasik gjë të cilën pjesa më e madhe e shqiptarëve në atë kohë nuk e dinin. Shumica e njerëzve duke dëgjuar të interpretonim sereta , të cilat nëpërmjet nesh morën përmasa ndërkombëtare, menduan sa bukur që e këndojnë serenatën. Ne serenatat i kemi të lindura, por përse e bëri diferencën ajo? Ato pak këngë lirike Korçare, që disa i quajnë serenata, janë këngë lirike të qytetit të Korçës, por diferenca u bë nga mënyra se si i trajtonim ne ato këngë. Ato këngë janë kënduar nga shumë këngëtarë, por vetëm Kori Lira i bëri mbarë Kombëtare, që ishin në një nivel shumë të lartë e për t’u vlerësuar dhe respektuar. Ne këtyre këngëve i bëm një orkestracion të ri, duke pasur dhe ndikimin e rrokut, të cilat i bëri këto këngë edhe sot të duken më atraktive, më moderne. Ne kemi kënduar rreth 10 këngë korçare, por mënyra e trajtimit i bëri të veçanta. Më duhet t’a theksoj se, ne nuk kemi dalë nga televizioni, nuk jemi prodhim mediatik, ne jemi rritur duke studiuar, punuar dhe duke qenë në kontakt përditë me publikun. Energjia që na jep publiku është i jashtëzakonshëm.
Stefi Prifti në intervistë për CMG
CMG: Stefi ti ke studiuar për violinë, si është raporti yt me violinën sot?
Stefi Prifti: Më vjen keq ta them, instrumenti nuk harrohet por nuk më përgjigjen gishtat në nivelin që unë dua. Ka momente që në koncerte të veçanta të interpretoj për kënaqësinë e disa personave. Muzika në tërësi është dashuri e madhe, por violinën dhe pianon i dua shumë.
CMG: Cilat janë planet tuaja për këtë vit?
Stefi Prifti: Një këngë e kam gati, të cilën kemi një vit e gjysmë që e kemi realizuar, bashkëpunim me këngëtaren e mirënjohur Manjola Nallbani. Një ditë ime bijë e cila po studion në Zvicër, më kërkoi që t’ja çoja. Më pas më tregoi se po e dëgjonte bashkë me një shoqen e saj po soprano dhe ajo, dhe më tha se po qanin me lot. Më mori në telefon e më tha: “Këtë këngë duhet ta nxjerrësh patjetër”. Sa i përket asaj kënge, është gjithçka gati, por ka ngecur puna vetëm te videoklipi. Por këtë herë duke u nisur nga mesazhi i vajzën dhe shoqes së saj, ajo këngë do dalë patjetër. Plus kam edhe një këngë tjetër individuale me kompozitorin Enderi Sina, por kemi edhe disa këngë të tjera që i kemi lënë në studio, për shkak të situatës së komplikuar, pasi përqëndrimi i njerëzve ka një fokus tjetër, është shëndeti mbi të gjitha.
CMG: A keni në plan ndonjë koncert recital?
Stefi Prifti në skenë (Foto nga Instagram)
Stefi Prifti: Po, patjetër! Ne kemi pasur ftesa që para shumë vitesh edhe nga Tv Klan nga miku ynë Pandi Laço, Arditi, etj që kanë dashur që ta bëjnë këtë recital vite më parë. Por ne jemi pak neglizhentë, me thënë të drejtën. Dy gjëra i neglizhojmë, zyrat dhe organizimet, këto janë dy difektet tona. Plus që edhe live-t ku këndojmë kanë lodhjet e veta.
CMG: A keni diçka që ju ka mbetur peng pa realizuar?
Stefi Prifti: Kam një këngë të cilën e kam realizuar 5 vite më pare. E kam shkruar dhe është një dedikim për bashkëshorten time të ndjerë. Orkestracioni ka përfunduar me Shpëtim Saraçin, por nuk e kam publikuar ende. Shkaqet nuk po i analizoj tani, por kam dëshirë, pasi është si një lloj amaneti brenda vetes. Këtë këngë do ta këndoj bashkë me vajzën time Maria, dhe dua ta përfundoj të këngë.
Diçka tjetër të re kam, dhe me shpresën tek Zoti, që njerëzit ta kalojnë këtë periudhë të vështirë. Pas baladave që kam bërë, unë do i jap prioritet këngëve ritmike, të gëzuara, me koncept të ri, gjë të cilën mund ta zbuloj në një moment tjetër.
Intervistoi: Sava Lena