Këngëtari Eldis Arrnjeti ka studiuar në shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova” në Shkodër në instrumentin e fagotit dhe saksofonit. Ai ka marrë pjesë në evenimente muzikore që në moshën 10-vjeçare . Eldisi ka qenë finalist në spektaklin “Bilbilat e Vegjël”, pjesëmarrës në spektaklin televiziv “Gjeniu i Vogël 7” në vitin 2016, si dhe fitues i çmimit të 2-të në festivalet për fëmijë e të rinj “Pranvera Fest” dhe “Akullorja Fest”.
Në vitin 2021 ai mori pjesë në konkursin “Këngë moj”, ku u vlerësua me çmimin e dytë, ndërsa në mars të pë këtij viti në Kënga Magjike garoi me këngën "Akoma jo", për herë të parë në kategorinë “New Artist”. Shumë sukses pati Eldisi në debutimin e tij live në tetor të vitit të kaluar në Tributin për Djemtë e Detit, koncert i zhvilluar në Amfiteatrin e Tiranës. Paraqitja e tij e fundit skenike për vitin e kaluar ishte në dhjetor në Festivalin e 60-të të këgës në Rtsh me këngën "Refuzoj”, ku fitoi çmimin e tretë. Për CMG, ai ndan eksperiencat e tij artistike, por edhe planet.
CMG: Përshëndetje Eldis! Si e kalove ndërrimin e viteve dhe çfarë pret nga ky vit i ri?
Eldis Arrnjeti: Përshëndetje! Faleminderit për ftesën është kënaqësi! Këtë vit të ri e kalova me familjen time. Edhe pse kisha disa oferta për të kënduar live, preferova të qëndroja në shtëpi. Nga ky vit i ri 2022 pres që të prezantoj projektet e reja për të cilat po punoj me producentin tim, realizimin e videoklipeve dhe pse jo pjesëmarrje në evente të tjera, që për momentin preferoj të mbeten surprizë.
CMG: Ti Eldis more pjesë për herë të parë në Festivalin e Rtsh-së, ku u vlerësove me çmimin e tretë. Si ishte për ty ky prezantim dhe aq më tepër një vlerësim në jubileun e këtij festivali të 60-të?
Eldis Arrnjeti: Ishte hera e parë që mora pjesë në Fest e Rtsh-së, ku u vlerësova me çmimin e tretë. Për mua si hera e parë në këtë festival ishte vlerësim shumë i madh, duke qenë edhe ndër këngëtarët më të rinj. Kompozimi i këngës ishte në ato nivele që unë dhe kompozitori i këngës donim që të dilnim dhe jubileu i 60-të na solli fat.
CMG:.Ka qenë e lehtë apo e vështirë për të qenë mes 20 artistëve të përzgjedhur në këtë konkurrim?
Eldis Arrnjeti: Nuk është hera e parë që ndodhem në rrethin e artistëve. Këtë herë ishin dhe artistë shqiptare të cilët rinia i do shumë. Gjithmonë është emocion i veçantë të jesh pjesë e këtyre eventeve, por u mundova që ato emocione t’i shpërndaja te publiku gjatë performancës sime në skenë. Është vlerësim që u radhita mes tyre.
CMG: Ti ke fituar disa çmime të dyta në kompeticione të ndryshme. Hyre në këtë garë për të fituar trofeun?
Eldis Arrnjeti: Kam fituar disa çmime të dyta në disa kompeticione kur kam qenë më i vogël. Pjesëmarrjet kanë qenë të shumta në evente të ndryshme, por të them të drejtën nuk hyra në Fest '60-të për të fituar trofeun e festivalit apo për Eurovizionin, sepse nuk e prisja as çmimin e tretë në prezantimin tim të pare. Unë jam vetëm 18 vjeç. Në këtë festival mora pjesë për të fituar një eksperiencë më shumë dhe për kënaqësinë time personale, si dhe që të merrja emocionet e skenës së madhe të Pallatit të kongreseve. Vlerësimi me çmimin e tretë ishte diçka ekstra, që u vlerësua kënga ime.
CMG: Vitin e fundit ke sjellë mjaft covera të artistëve shqiptarë dhe të huaj. Mendon se me covera bëhesh më i njohur?
Eldis Arrnjeti: Kam bërë disa covera përpara se të krijoja dy këngët e mia. Çdo dalje qoftë televizive apo në rrjetet sociale, unë e quaj reklamë apo një promovim të vlerave si njeri. Coverat kanë ardhur për kënaqësinë time personale dhe të shumë personave që kanë dëshirë të dëgjojnë covera nga unë dhe kështu fillova të shpërndaja çdo ditë dhe më shumë. Kanë qenë të shumtë personat të cilët janë bërë të famshëm nëpërmjet coverave, por unë zgjodha që "famën" ta fitoj nëpërmjet konkurrimeve nëpër kompeticione.
CMG: Eldis, ti ke marr pjesë te “Gjeniu i vogël” pesë vite më parë. Sa ka ndikuar ai spektakël në sukseset që ti ke sot?
Eldis Arrnjeti: Gjashtë vite më parë kam marr pjesë te “Gjeniu i vogël”, kur isha 12 vjeç dhe ka qenë eksperienca ime e parë përballë kamerave dhe dritave gjigante të skenës, që ka ndikuar shumë pozitivisht. Falë asaj eksperience, emocionet e këqia janë të pakta dhe emocionet e mira që marr nga publika janë gjithmonë në rritje.
CMG: Viti 2021 për ty ka qenë i mbushur plot me aktivitete artistike, por ti si do e përkufizoje?
Eldis Arrnjeti: Ka qenë një i vit i mbushur plot me aktivitete që ndoshta dhe nuk i prisja, shpresoj të ketë mbetur ndonjë gjë edhe për këtë vit të ri. Vitin 2021 do e përkufizoja si vitin më të suksesshëm të jetës time. Ishte i mbushur plot me eksperienca dhe i jam falenderues shumë Zotit për çdo gjë që më ka sjellë deri më sot.
CMG: Unë të ndoqa në një interpretin tëndin live në Tributin për Djemtë e Detit. Sa e njihje ti këtë grup muzikor dhe Gentin?
Eldis Arrnjeti: Pjesëmarrja ime në "Tribute për Djemtë e Detit" ka qenë një nga koncertet më emocionuese që kam bërë deri më sot. Të isha nën lëkurën e Gent Demaliaj ishte diçka jashtë normales, ishte sikur po këndoja përballë tij dhe emocionet kanë qenë të shumta. Falenderoj Kozeta Kurtin që më bëri pjesë të atij super koncerti madhështor që të them të drejtën ishte shumë frytdhënës. Grupin “Djemtë e Detit” e njoh shumë mirë sepse kompozitori i këngëve të mia është po i njëjti që ka kompozuar për këtë grup. Për këtë jam shumë me fat që po punoj me të. Bujar Daci më ka mbështetur që në momentin e parë që më ka dëgjuar dhe dua ta përshëndes pafund. Mund të them se e njoh mjaftueshëm mirë dhe e kam idhull Gentjan Demaliaj. Madje shumë thonë që vokali im ngjan me atë të Gentit, këtë e shoh si një vlerësim shumë të madh.
CMG: Si u ndjeve në atë prezantim?
Eldis Arrnjeti: Në atë prezantim ishte çdo gjë emocionuese. Që nga momenti kur hyra në ambjentet e amfiteatrit, po dridhesha nga emocionet, madje emocionet ishin më të mëdha se ato të Fest '60 -të.
CMG: Në një intervistë ti ke thënë se ke studiuar për dy instrumenta muzikorë, ndërsa kënga për ty është thjesht pasion. Në daljet e tua të fundit ti ke pasur sukses me këngën. A do vazhdosh të jesh prezent nëpër skena festivalesh si këngëtar?
Eldis Arrnjeti: Unë kam studiuar në shkollën e mesme për saksofon dhe fagot, këngën e kam pasur si pasion. Që kur kam hyrë në shkollën e mesme kam dashur të vazhdoj studimet për kanto, por për shkak të moshës nuk ishte mundësia dhe mu desh rë vazhdoja studimet për dy instrumenta të ndryshëm. Daljet e fundit kanë qenë goxha të suksesshme dhe kjo më shtyn ende më shumë për të vazhduar pasionin tim, aq më tepër kur më vlerësojnë, më shtyn më shumë dëshira për t’a vazhduar këngën. Momentalisht po vazhdoj shkollën e lartë në degën Financë. Kjo është një degë komplet ndryshe, por duhet të kem gjithmonë një mundësi të dytë, se nuk i dihet jetës. Këngën nuk e kam parë si një trampolinë drejt famës, por ka qenë e vetmja gjë që unë e kam bërë me gjjthë zemër. Nuk e kam parë as për përfitime financiare, por thjesht për kënaqësinë time, të familjes si dhe të të gjithë atyre artdashësve të mi që gjithmonë më shkruajnë dhe më mbështesin në çdo dalje timen. Normalisht do vazhdoj që të jem prezent në çdo skenë festivalesh. Skenat “live” më kanë bërë gjithmonë për vete, kanë qenë emocioni im i parë, të cilit nuk do i ndahem. Shumë shpejt pres që të publikoj videoklipet e mia për të cilat po punoj shumë me producentin tim. Shpresoj që këtë vit t’i sjell ato në jetë.
CMG: Faleminderit për bisedën!
Eldis Arrnjeti: Shumë faleminderit për ftesën!
Intervistoi: Sava Lena