Xhuljeta Ferraj ka lindur në qytetin bregdetar të Vlorës dhe ka emigruar në Parma të Italisë. Që në moshë të vogël ajo kishte pasion letërsinë, këngën dhe aktrimin. Studimet për aktore i ka përfunduar në Akademinë Ndërkombëtare të Teatrit në Zvicër dhe që atëherë është bërë pjesë e disa filmave. Gjithashtu ajo ka botuar edhe katër libra, tre me poezi dhe një roman. Në një intervistë për CMG ajo na tregon rreth karrierës së saj dhe projektet artistike në të ardhmen.
CMG: Jetoni prej vitesh në emigracion. Si ka qenë jeta juaj larg vendlindjes?
Xhuljeta Ferraj: Unë kam emigruar me familjen shumë e re në Itali, aty rreth moshës 18 vjeçe, dhe aty u rrita, u shkollova, u martova dhe u bëra dhe nënë. Studimet e aktrimit i kam kryer në Zvicër me korespondencë nga Italia tek shkolla “Internacional Film Theater Produksion”, te regjisori Adem Kicaj që më vonë u bë edhe bashkëshorti im. Jeta në emigrim ka shumë sakrifica dhe duhet shumë punë dhe vullnet për të çarë në rrugën e artit dhe nuk është aspak e lehtë.
CMG: Jeni një artiste shumë dimensionale, aktore, këngëtare por dhe poete. Ku e gjeni më shume veten, si aktore apo këngëtare?
Xhuljeta Ferraj: Unë bëj gjithçka në art, është e vërtetë, por veten e gjej më shumë te aktrimi. Edhe këngën kam filluar ta marr seriozisht, dikur ndoshta e këndoja për hobi, por sot dua të vazhdoj në rrugën e këngës dhe të këndoj si një këngëtare profesioniste. Në fakt së shpejti del edhe klipi im i ri me tekstin tim dhe me muzikë të mikut tim Armando Dhimitri.
CMG: Kohët e fundit keni botuar dhe një libër. Na flisni për këtë botim tuajin?
Xhuljeta Ferraj: Unë kam botuar katër libra, tre me poezi dhe me temë të lirë, por kam shkruar dhe dramën e titulluar “Ethet”. Drama u shfaq për herë të parë në Itali, në teatrin shqiptar Kandili në datën 11 dhjetor ku pati shumë sukses sepse është një temë aktuale që flet pikërisht për dhunën kundër femrës, çfarëdo lloj dhune qoftë ajo, qoftë e kanuneve apo dhunë fizike dhe psikologjike. Kjo është një temë shumë aktuale dhe që ka prekur shumë në Itali dhe e kemi shfaqur për herë të parë te teatri shqiptar në Parma të Italisë dhe këtë teatër e kemi hapur unë bashkë me bashkëshortin tim regjisorin Adem Kicaj. Libri im i fundit është promovuar para pak ditësh dhe titullohet “Dylberja”. Është një libër i shkruar gjatë pandemisë me poezi me temë të lirë. Këtë libër si titull ja kam dedikuar nënës time Dylbere, që mban këtë emër të shenjtë duke pasur parasysh mitologjinë e femrës hyjnore bukuroshe Dylberja. Libri ka ecur shumë mirë në Itali dhe shpresoj që të bëjmë dhe promovime të tjera si në Shqipëri, Kosovë dhe vende të tjera.
CMG: Me çfarë merreni aktualisht në Itali?
Xhuljeta Ferraj: Aktualisht unë po merrem me një skenar filmi. Në fillim këtë skenar e kam shkruar si roman dhe pastaj duke biseduar me bashkëshortin tim, mendova ta bëja skenar filmi, e vazhdova dhe jam në përfundim duke e shkruajtur. Gjithashtu po përgatitem që nga muaji shkurt të vij në Tiranë sepse më kanë ftuar për të shfaqur dramën “Ethet’, por edhe në Kosovë kemi ftesë për të shfaqur edhe atje dramën. Ndërkohë që jemi në pritje për xhirimet e serialit “Kthetra” në Zvicër, jemi ndalur pak për shkak të pandemisë sepse puna në art bëhet shumë e vështirë nga kjo pandemi.
CMG: Cilat kanë qenë gjatë jetës tuaj arritjet, por edhe dështimet nëse keni pasur?
Xhuljeta Ferraj: Arritja ime më e madhe ka qenë të diplomohem në akademinë e artit si aktore në Zvicër dhe atë me një fjalë unë e kam ëndërruar prej vitesh. Ka qenë shumë e vështirë për faktin sepse në atë periudhë kur kam filluar studimet kam pasur vajzën e vogël të porsalindur dhe mund ta imagjinosh nëpër trena dhe në të ftohtë poshtë e lart ka qenë shumë e vështirë, por që për mua ka qenë një arritje shumë e madhe. Një tjetër arritje e madhe e imja është ajo që unë kam rritur dy fëmijë artista dhe ndihem sot si nënë dhe artiste shumë e realizuar. Këto janë dy arritjet më të mëdha që kam pasur në jetën time, karrierën dhe familjen që e kam mbajtur në mënyrë të ekulibruar. Dështime nuk kam pasur, por më shumë kam pasur rezultat sesa dështime dhe për këtë jam tepër e kënaqur.
CMG: Cila është ëndrra juaj e pa realizuar akoma?
Xhuljeta Ferraj: Ëndrra ime është që të kem sukses te kënga sepse muzika më ka shoqëruar gjithë jetën. Edhe në momentet e vështira, kur kam qenë shumë poshtë me moralin, ndoshta nga tragjeditë që kam kaluar, kënga ka qenë e vetmja që më ka bërë shoqëri dhe për mua është ilaçi i shpirti.
CMG: Çfarë projektesh keni në të ardhmen?
Xhuljeta Ferraj: Unë do të dëshiroja që në të ardhmen ta zgjeroja teatrin shqiptar “Kandili” që është i vetmi në gjithë Italinë dhe aty ka nevojë për mbështetje nga artistat, por edhe nga vetë shqiptarët në emigrim që jetojnë pikërisht aty. Gjithashtu dua që të realizoj edhe filmin me skenarin tim “Kapiteni 97” e kam titulluar dhe që është një ngjarje e vërtetë që siç thashë më sipër unë e shkruajta si roman dhe më vonë si skenar filmi, dhe që flet pikërisht për ngjarjet në Vlorë në vitin 1997. Projekte kam shumë, por këto të dyja dëshiroja t’i realizoja sa më parë sepse i kam shumë për zemër.
CMG: Faleminderit për intervisten dhe ju uroj suksese.
Xhuljeta Ferraj: Faleminderit ju për mundësinë dhe uroj që viti 2022 të jetë një vit i mbarë.
Intervistoi: Gazmend Agaj