Fest 60 (Foto nga Instagram)
Në fund të vitit që lamë pas mbylli siparin e tij Festivali i 60-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Në këtë edicion garuan 20 artistë dhe u ndanë edhe disa çmime. Në natën e dytë të festivalit ishin të ftuar artistë të njohur të skenës si, Pirro Çako, Sabri Fejzullahu, Gili, Mihrije Braha , Irma Libohova, Aleksandër Gjoka, Afërdita Zonja, Myfarete Laze, Kozma Dushi, Justina Aliaj, Bashkim Alibali, Gjergj Leka, Liljana Kondakçi, Luan Zhegu të cilët u pritën mjaft mirë nga publiku gjatë interpretimit në duet, krah konkurentëve të këtij festivali.
Vëllezërit Endri dhe Stefi Prifti me duetin e këngës së tyre “Triumfi i Jetës” u vlerësuan me çmimin “Ferdinand Deda” dhënë nga Orkestra Simfonike e RTSH-së në këtë jubile të 60-të të festivalit. U ndanë dy çmime të treta për dy artistët shkodranë Rezarta Smaja me këngën “E jemja nuse” dhe Eldis Arrnjeti me këngën “Refuzoj”. Vendin e dytë e fitoi këngëtari Alban Ramosaj me këngën “Theje”, ndërsa çmimi i parë ishte për këngëtaren Ronela Hajati me këngën “Sekret”. Kjo këngëtare , do përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion, i cili sivjet do të mbahet në Torino të Italisë. Spektakli këtë vit u moderua nga katër prezantues, Xhemi Shehu, Jonida Maliqi, Isli Islami dhe Kelvi Kadilli me pjesëmarrjen e artistit të mirënjohur Ardit Gjebrea.