Rita Ora dhe Taika Waititi kanë vendosur të festojnë Krishtlindjen dhe Vitin e Ri në shtëpinë e tyre në Australi, e cila ka kushtuar mbi 11 milionë dollarë. Këngëtarja 31 vjeçare dhe i dashuri i saj regjisori 46 vjeç do të festojnë këtë sezon festash në Australi, pasi Rita mbërriti në Sydney në fillim të këtij muaji për sezonin e ri të “The Voice of Australia”. Për “Daily Mail Australia”, një burim i afërt me Ritën konfirmoi se këngëtarja dhe i dashuri i saj do të kalojnë pesë javët e ardhshme në Sydney në një rezidencë 11.54 milionë dollarë në Bellevue Hill.
Sipas burimeve, Rita pret me padurim që të ketë Krishtlindje të nxehta në Aussie, përpara se të fillojë xhirimet e sezonit të dytë të “The Voice of Australia”. “Xhirimi për “The Voice: Generations” ka përfunduar pothuajse, ndërsa Rita nuk ka në plan të kthehet në shtëpi për Krishtlindje dhe do të marrë pak kohë për veten këtu përpara se të rifillojnë xhirimet”, thonë të njëjtat burime. Pavarësisht se i është ofruar një shumë e madhe parash për të marrë pjesë në festat e Vitit të Ri, çifti i famshëm ka të ngjarë të shijojë fishekzjarrët nga rezidenca e tyre në port, shkruan Daily Mail.
Rita dhe Taika e kanë shfrytëzuar shumë kohën në Australi, pasi ata fluturuan në Sydney më 1 dhjetor dhe kaluan kohë në karantinë pas mbërritjes së tyre, në përputhje me rregullat e COVID-19.
I dashuri i Ritës gjithashtu përflitet se do të vazhdojë punën në disa filma të ardhshëm, duke përfshirë “Thor: Love and Thunder”, i cili është në post-produksion.
Dua Lipa ndër 10 yjet e muzikës pop 2021
Këngëtarja Dua Lipa, është në listën e 10 yjeve më të mëdhenj të muzikës pop për vitin 2021 Tashmë këngëtarja me origjinë shqiptare Dua Lipa e ka dëshmuar veten si një yll global në rritje. Ajo këtë vit publikoi albumin e saj të sukesshëm “Future Nostalgia”, ndërsa në shkurt bëri ripublikimin e albumit me nëntitull “The Moonlight Edition”. Përveç kësaj, 26-vjeçarja punoi vazhdimisht për të publikuar këngë të reja, si; “We’re good” dhe bashkëpunimin me Elton John.
Përveç muzikës, Dua Lipa themeloi gjithashtu “Service 95”, një gazetë javore e përpiluar nga lista të ndryshme dhe të ndara në kategori të ndryshme që përfshijnë rekomandime muzikore, ku detaje të tjera do të jepen në fillim të vitit 2022.
Billboard e ka renditur Dua Lipën në vendin e 9-të, në listën e yjeve më të mëdhenj të muzikës pop për vitin 2021.
Aurela Gaçe, me një dhuratë për festat e fundvitit
Këngëtarja e mirënjohur e skenës shqiptare, Aurela Gaçe prej vitesh ka ndërtuar një karrierë të konsoliduar, ndërsa nuk rresht së punuari çdo ditë e më fort për të qenë më pranë publikut, duke sjellë projekte të reja muzikore. Artistja Gaçe edhe pse ka qenë shumë aktive me prezantime këngësh shoqëruar me videoklipe, zgjodhi të sjellë edhe këtë fundvit një dhuratë për fansat e saj. Bëhet fjalë për një këngë të re, të cilën ajo e ka e ka konsideruar si një dhuratë për festat e fundvitit.
Aurela ka treguar se kënga mban titullin “Në të zënça” dhe ky është projekti i saj shtatë që bën pjesë në albumin më të ri. Ajo ka shkruar në rrjetet sociale: “Kënga me titull “Në të zënça”, po vjen si dhuratë këtë fundvit për ju. Këtë gjë që di të bëj, do ta ndaj me ju sa të kem fuqi.” Kjo është kënga e shtatë e albumit të këngëtares Aurela Gaçe, e cila ka punë të gjatë përpara, pasi ky do të jetë një nga albumet me numrin më të madh të këngëve që kemi parë deri më sot. Sipas këngëtares, ky album do të ketë 17 këngë. Në fotografitë që këngëtarja ka postuar duket tejet lozonjare dhe me forma perfekte, e veshur me një fustan me lule, flokë të gjata me onde. Kujtojmë se vetëm pak kohë më parë ajo publikoi këngën me titull “Djali im i keq”. Suksese Aurela!
Përgatiti: Sava Lena