Këngëtari me emrin Florian Carkanji, i prezantuar para publikut me emrin e artit Kelly, ka rreth dy dekada që këndon në skenën shqiptare. Ai ka marrë pjesë në festivale si “Mikrofoni i artë”, “Top Fest”, “Kënga Magjike” si edhe “Festivali i Rtsh-së”. Së fundi Kelly është konkurrent në edicionin e 60-të të Festivalit të Këngës në RTSH, ku pret të garojë me këngën “ Meteor”, të realizuar nga vetë ai. Kelly na tregon për krijimtari e tij muzikore, jetën midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, si edhe projektet e reja muzikore.
CMG: Miqtë e mi, jam me një artist të skenës shqiptare, i cili njihet me pseudonimin Kelly. Të të thërras Kelly apo Flori?
Kelly: Përshëndetje Sava! Më thirr si të duash, por publiku më njeh me emrin e artiti Kelly.
CMG: Kelly, ti je pjesë e festivalit të 60-të të këngës në RTSH, ku këtë vit konkuron me këngën “Meteor”. Si lindi dëshira për të marrë pjesë në këtë event, i cili këtë vit ka jubileun e tij të 60-të?
Kelly: Është e vërtetë kjo që po thua. Faktikisht kisha kohë që po punoja për këtë këngë. Është pjesë e një buqete këngësh që po përgatis, për një mini-album ose album, i cili mund të vijë vitin e ardhshëm për publikun Është një këngë që bazohet në energji pozitive, se boll kemi marrë negativitet këto dy vite, që kemi qenë mbyllur. Është një këngë që shpjegon lirinë për të dashuruar e për të qenë i dashuruar.
CMG: Ky “Meteori” yt ku na çon?
Kelly: Meteori ka gjithmonë nje nisje dhe një përplasje në fund. Jeta gjithmonë të bën të përplasesh, por ndonjëherë përplasesh me njerëzit e duhur e ndonjëherë me të gabuarit. Meteori im përplaset gjithmonë me dashurinë.
CMG: Meteori yt këtë here përplaset me dashurinë tënde personale, apo me dashurinë në përgjithësi?
Kelly: Sigurisht kënga i përfshin të gjitha, ka edhe dashurinë personale, por mund të jetë edhe ajo pjesa utopike, si çdo njeri që e imagjinon përplasjen, shkëndija që mund të jetë. Në këtë rast unë e kam edhe nga historia personale, e cila e bën ende më të bukur si ndjenjë.
CMG: Disa nga vargjet e këngës thonë: “Si planet pa gravitet unë jam”... dhe pastaj vazhdon...
Kelly: E ke parasysh atë ndjesinë kur të mungon dikush, që sillesh kot, duhet të kesh një pikë referimi. Planeti ka gravitetin, ka hënën e të tjera gjëra, kështu që kjo është pak a shumë ajo ndjesia kur të mungon dikush dhe gjithmonë ke nevojë për dikë.
CMG: Ty konkretisht kush të ka munguar?
Kelly: Hahaha!. Nuk është se më mungon njeri, unë tani jam shumë në rregull. Është thjesht ajo ndjesia e shkrimit, sikur do të mungojë dikush. Është ajo pjesa e bukur kur je pa atë person që e do, e dashuron të duket sikur je pa gravitet, sikur nuk merr frymë.
CMG: Kelly ti i realizon vetë këngët e tua, madje dhe këtë herë kënga vjen me muzikë, tekst dhe orkestrim tëndin. Cila është muza e frymëzimit për krijimin e këngëvë të tua?
Kelly: Unë mund të frymëzohem nga çdo gjë. Frymëzohem nga ndjesitë e mia, nga ndjesitë personale, kur kam kaluar një ditë të lodhshme, etj. Zakonisht muzë frymëzimi është dicka që të jep ndjesi pozitive gjithmonë. Këngët kanë ardhur spontanisht, mjafton të kem melodinë në mendje. Kudo që të jem unë shkruaj. Përshembull në telefonin tim cellular, kur jam në makinë, hap krahun e regjistroj atë që kam për të bërë nëse më vjen një frymëzim, e më pas e vazhdoj idenë në studio. Shumicën e këngëve i kam krijuar pasi kam kaluar një ditë të lodhshme edhe aty më tepër sikur shprehem.
CMG: Si të duket kjo pjesëmarrje në festival jubile? Sa rëndësi i ke dhënë ti këtij festivali?
Kelly: Sigurisht festivali është festival dhe i duhet dhënë serioziteti i duhur që ka kjo garë. Janë arstistë shumë të mirë, disa prej tyre i njoh, jemi miq e shokë. Nuk jam unë ai tipi që kam shpirtin e garës, jam goxha miqësor te kjo pikë. Kushdo që ta fitojë festivalin jam shumë i sigurt që do ta meritojë.
CMG: Domethënë ti nuk hyn me synimin për të fituar, por thjesht për kënaqësinë tënde?
Kelly: Të gjithë kemi dëshirën për të fituar aty, por duhet ta pranosh dhe rezultatin që jep juria. Ky është pak a shumë problemi me artistët shqiptarë, sepse nuk e pranojnë atë që mund të thotë një verdikt jurie.
CMG: Tashmë këngët e festivalit janë bërë publike në kanalin YouTube dhe të gjithë jemi njohur me këngët pjesëmarrëse. Kush mendon të jetë fituesi ?
Kelly: Po sigurisht që i kam dëgjuar dhe janë materiale mjaft interesante. Secili është ndryshe në zhanrin e tij dhe unë i kam disa të preferuar.
CMG: Dhe cilët i sheh si konkurentët më të fortë?
Kelly: Si konkurentë të fortë s’e di, por Albani përshembull ka këngë të bukur, Ronela Hajati po ashtu, Kastro Zizo ka një këngë me tematikë. Prandaj siç thashë secila është e bukur në zhanrin e vet, por mbetet vlerësimi që do bëj në fund juria profesionale.
CMG: Për ty nuk është hera e parë që merr pjesë në Festivalin e Rtsh-së. Si është për ty interpretimi “live”?
Kelly: Me thënë të drejtën vetëm se është “live” po marr pjesë, sepse muzika e gjallë është ajo që i jep më tepër impuls performancës që do bëhet. Sigurisht do performohet me një orkestër të madhe dhe që ka histori, kjo e bën të jetë më serioz si festival. Gjithashtu fakti që është viti i 60-të e po shoh që ka mjaft interesim dhe organizim.
CMG: Përsa i takon karrierës tënde artistike, ti ke me dhjetëra pjesëmarrje në festivale të ndryshme, pasi ke krijuar që në moshën 14-vjeçare. Sa ka ndryshuar krijimtaria jote artistike, sa i takon zhanrit muzikor që ti ke lëvruar ndër vite?
Kelly: Po sigurisht që ka ndryshuar. Po t’i dëgjoja ato këngët e para që kam krijuar, për disa prej tyre do thoja tani që s’do t’i bëja më, por vjen një pikë që piqesh artistikisht dhe i mendon gjërat më shtruar, me një sy më kritik përsa i përket materialeve që realizon. Sinqerisht nuk do të ndryshoja asnjë këngë që kam bërë, pasi çdo këngë tregon fazën e jetës që kalon.
CMG: Cilën do të veçoje nga këngët e tua të realizuara deri tani? Cila është ajo që të identifikon më tepër ty?
Kelly: Siç e the edhe ti gati 90 për qind të këngëve të mia i kam shkruar vetë dhe me secilën prej tyre kam lidhjen time, por ajo që do të veçoja më tepër është kënga “Nuk di” bashkë me grupin Upstream. Ishte një këngë që ne e kemi realizuar në fillesat tona, në një garazh provash, e cila ka lindur spontanisht. Ishim gjithashtu pa mbështetje mediatike e pa pjesëmarrje në “Talent Show”, siç ka qenë më përpara dhe arritëm të korrnim shumë sukses. Besoj që kjo ka mbetur si një nga ato këngët “gold” në kujtesat e njerëzve.
CMG: Si është marëdhënia jote me këtë grup sot?
Kelly: Jemi miq të mirë, takohemi shpesh, por siç e the edhe ti koha kalon, njerëzit ndryshojnë, muzika ndryshon. Tani unë kam disa përgjegjësi të tjera, pasi jam bërë prind. Pothuajse të gjithë e kemi kaluar muzikën si gjënë e dytë, pra pas familjes dhe jo primare. Ndonjëherë takohemi dhe jemi nostalgjikë për të kaluarën.
CMG: Do të vazhdosh si solist, apo do kesh ndonjë bashkëpunim tjetër me ta?
Kelly: Sigurisht që mund të ketë. Na ndau pak kjo pandemia, por pse jo ndoshta mund të bëjmë diçka shumë të bukur.
CMG: Ke menduar të sjellësh një album muzikor?
Kelly: Momentalisht po mendoj për diçka më serioze, një përmbledhje këngësh. Albumi është si pasaportë e artistit, aty ku unë kam shprehur shumë. Mendoj që të jenë rreth 12 këngë, të cilat me aq kohë sa kemi, jemi duke i punuar. Mendoj se do jetë një buqetë me muzikë të mirë për njerëzit.
CMG: Kur mendon se mund të jetë gati ky album?
Kelly: Mendoj se deri verën e vitit tjetër do ketë përfunduar.
CMG: Tek cilat rryma muzikore do fokusohesh tek ky album?
Kelly: Unë jam më shumë tek muzika “pop”, të cilës pastaj mund t’i bashkangjis pak rock, funky, hip-hop. Do jetë një album i muzikës së mirë, i muzikës live në studio, pra jam tepër tek muzika dhe instrumentat e gjallë.
CMG: Kur e krijon një këngë, mendon se si do pritet ajo në publik, apo krijon një këngë që të bën ty të ndjehesh më mirë?
Kelly: Unë së pari bëj një këngë që më pëlqen mua, por dhe publiku ka rëndësi. Ka njerëz besoj që i pëlqejnë shijet e mia dhe më tepër i bëj për këtë kategori njerëzish, të cilët duan të dëgjojnë një muzikë, tekst dhe melodi të bukur gjithashtu.
CMG: Çfarë repertori këndon në netët “live” ?
Kelly: Këndoj këngë nga repertori im, këngët e këngëtarit Aleksandër Gjoka sepse më përshtaten shumë me vokalin tim si; “Kuturu”, “Dashurisë së shkuar”, etj. Ka shumë këngë të kësaj natyre, të cilat publiku që më ndjek i kërkon shumë dhe unë përpiqem t’i këndoj sa më mirë.
CMG: Përpos këngës, ku je fokusuar në këto momente?
Kelly: Përsa i përket angazhimeve jam pak i shpërndarë. Bashkë me familjen time jemi midis Shqipërisë dhe Gjermanisë. Aty kemi një firmë rekrutimi, ku merremi me punësimin e njerëzve për rehabilitimin e azilantëve. Nuk i punësojmë ne, por ne bëjmë ndërmjetësimin. Gjithashtu merrem edhe me marketingun, kemi dy zyra marketingu ku punoj me bashkëshorten me shitjet online, por sigurisht që s’mund të rri pa u marrë edhe me lokalet. Kam dy lokale në Pogradec, të cilat fuksionojnë gjatë sezonit veror e shumë të tjera. Te këto gjëra jam më shumë i fokusuar në këto momente.
CMG: Çfarë do shtoje në fund të kësaj bisede?
Kelly: Thjesht doja të të falenderoja për intervistën, ishte shumë e lezetshme e më pëlqeu shumë.
CMG: Po nata e ndërrimit të viteve ku do të gjejë?
Kelly: Kam marrë me qera një lokal tek sheshi “Skënderbej”, kështu që do jem aty duke e pritur ndërrimin e viteve. Nëse na lejojnë do e presim duke kënduar dhe me fishekzjarre, gjithashtu edhe me shumë dashuri.
CMG: Domethënë tek ambienti që ti ke krijuar për publikun edhe do të performosh vetë gjatë ndërrmimit të viteve. Do jesh në krye të detyrës me pak fjalë?
Kelly: Kryesisht unë, por ndoshta dhe dikush tjetër. Ju uroj të gjithëve “Gëzuar vitin e ri dhe falni sa më shumë dashuri!”.
Intervistoi Sava Lena