Dritan Baftjari është kompozitor dhe prej vitesh punon si pedagog muzike në Liceun Artistik “Jordan Misja” si dhe në Universitetin e Arteve në Tiranë. Ai ka kompozuar shumë këngë popullore shqiptare, të cilat janë interpretuar nga këngëtarët më të njohur. Në festimet e 75 vjetorit të Liceut Artistik në Tiranë, ai ka krijuar për herë të parë formacionin orkestral të muzikës popullore me qëllim që ky zhanër muzikor të mësohet edhe në shkollat shqiptare. Në një intervistë për CMG ai na tregon rreth karrierës së tij muzikore dhe planet në vazhdim për orkestrën e muzikës popullore të sapo krijuar.
CMG: Për herë të parë ju keni krijuar formacionin e orkestrës popullore të Liceut Artistik “Jordan Misja”, në 75 vjetorin e krijimit të kësaj shkolle muzikore. Na flisni pak për krijimin e kësaj orkestre.
Dritan Baftjari: Kjo orkestër e përbërë prej 11 personash është krijuar për herë të parë në Liceun Artistik në Tiranë mbas 75 vitesh të krijimit të kësaj shkolle. Qëllimi i krijimit të kësaj orkestre ka qenë evidentimi i vlerave të folkut shqiptar nga të gjitha krahinat e vendit që edhe ky zhanër muzikor të jetë i pranishëm dhe të mësohet në shkollat e muzikës shqiptare. Ky zhanër i ka munguar prej shumë kohësh dhe mendoj që kjo traditë e kësaj orkestre të vazhdojë dhe të arrihet qëllimi kryesor, futjen si lëndë mësimore në shkollat tona të këtij zhanri folku. Kjo do të pasqyrohet edhe nëpërmjet disa koncerteve që do të jenë në vazhdim, për të krijuar edhe bindjen në institucionet kulturore shqiptare që edhe ata të mendojnë për artin. Ashtu siç është zhanri i muzikës klasike prej vitesh në shkollat shqiptare, dhe ky zhanër të mësohet në shkolla dhe jo rrugëve, siç mësohet nëpërmjet individëve.
CMG: Prej sa instrumentistësh përbëhet kjo orkestër dhe a janë të gjithë këta instrumentistë mësues të liceut?
Dritan Baftjari: Instrumentistët nuk janë të gjithë mësues në liceun artistik për shkak se mungojnë instrumentat si lahuta, dajrja, të cilat nuk mësohen në shkollat shqiptare. Ndërsa pjesa e tjetër e orkestrës, violinat, klarinetë, fizarmonika dhe kontrabas mësohen në shkollë, por kanë profil të zhanrit klasik dhe jo folk. Zhanri i folkut ka shumë elementë të cilat me të vërtetë janë shumë specifike dhe nuk janë aq të lehta për t’i luajtur çdo instrumentist i cili është i zhanrit klasik.
CMG: Me krijimin e kësaj oprkestre popullore ju do të vijoni me koncerte të ndryshme si brenda dhe jashtë vendit?
Dritan Baftjari: Mendojmë që pikë së pari këtë formacion orkestral ta çojmë edhe nëpër koncerte të ndryshme jashtë territorit të Shqipërisë, si në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut me qëllimin që të evidentohen vlerat e këtij folku duke shpresuar që do ja arrijmë qëllimit.
CMG: Ju jeni një prej kompozitorëve shqiptarë që e keni ruajtur me fanatizëm folkun shqiptar, ku në çdo krijim tuajin janë nuanca shqiptare. Cilët janë këngëtarët që ju keni bashkëpunuar?
Dritan Baftjari: Unë kam shkruar shumë këngë të zhanrit popullor shqiptar për këngëtarë të ndryshëm si Valbona Memën, Pajtim Strugën, Artiola Toskën, Bujar Qamilin dhe Alma Velajn nga Shkodra dhe shumë këngëtarë të tjerë. Gjithashtu kam shkruar këngë dhe për Manjola Nallbanin, në festivalin e këngës popullore qytetare që u zhvillua dy vjet rresht në RTSH, por fatkeqësisht u mbyll si aktivitet. Sot nuk ka më krijimtari të re të mirëfilltë shqiptare. Krijohet, por jo mbi baza të karakterit të folkut shqiptar. Kjo ndoshta përbën një rrezik pasi brezi i ri nuk e kupton se kush është me të vërtetë folku i mirëfilltë shqiptar, i cili ka vlera dhe është krijuar ndër vite.
CMG: Para pak kohësh ju krijuat një këngë të re dedikuar artistes së madhe Fitnete Rexha dhe ja besuat këtë këngë për ta interpretuar Valbona Memës. Si ndjeheni që krijuat këtë këngë për një artiste të madhe të muzikës popullore?
Dritan Baftjari: Unë e shkrova këtë këngë kushtuar këngëtares së madhe mbarëshqiptare Fitnete Rexha, me tekst të poetit Jorgo Papingji dhe kjo këngë u këndua nga Valbona Mema në koncertin e Ansamblit Popullor për nder të Fitnete Rexhës. Unë shpresoj që të gjithë ta kenë pëlqyer këtë këngë. Unë ndjehem shumë krenar pasi me të vërtetë e ka merituar këtë këngë dhe kjo ka qenë një dhuratë e imja, të cilën unë e bëra enkas për këtë artiste.
CMG: Kënga juaj më e famshme është “Tirana Kampion” interpretuar nga këngëtari Pajtim Struga, një këngë që ka fituar zemrat e gjithë publikut.
Dritan Baftjari: Është e vërtetë që Tiranës i kam kushtuar një himn me muzikë të shkruar nga unë dhe tekstin e ka bërë Ali Topalli. Përveç kësaj kënge që ka mbetur si hit, unë kam shkruar dhe një himn tjetër, i cili është ekzekutuar për herë të parë në ndeshjen Tirana- Milan në Shqipëri. Ka qenë një himn në një format tjetër, jo të zhanrit folk dhe që e kanë kënduar një pjesë e korit të operas.
CMG: E kanë trashëguar fëmijët tuaj muzikën?
Dritan Baftjari: Unë kam dy djem dhe që të dy studiojnë në profilin muzikant, pianista. Djali i madh, Denisi është me të vërtetë një pianist shumë i talentuar, i cili po shkon në gjurmët që kam ndjekur unë në fillim të karrierës time. Ai e dashuron këtë profesion dhe nuk është se e kam shtyrë unë që të bëhet muzikant. Kjo është e lindur për mua dhe ai do të shkojë për kompozicion këtë vit, pasi është një fushë që i pëlqen. Mendoj që dhe ai do të krijojë këngë të ndryshme si të muzikës së lehtë dhe po ashtu popullore.
CMG: Keni krijuar edhe pjesë orkestrale për fizarmonikë, ngaqë jeni rritur me këtë instrument?
Dritan Baftjari: Kam krijuar dhe orkestrale për fizarmonikë dhe orkestër plus dhe klarinetë. Përveç zhanrit popullor kam shkruar dhe suitë katër kohë për fizarmonikë dhe piano. Fizarmonika është një instrument që prej vitesh kemi lindur me këtë instrument dhe mendoj se do ta trashëgojë sidomos te djali i vogël, pavarësisht se ai është pianist, por e dashuron këtë instrument.
CMG: Z.Baftjari ju keni shumë vite që jeni pedagog muzike në Liceun artistik dhe Universitetin e Arteve. Mendoni se brezi i ri e do vërtetë muzikën popullore për ta mësuar dhe interpretuar?
Dritan Baftjari: Brezi i ri e do muzikën folk, por kjo ka një problem pasi ata nuk kanë ku e mësojnë këtë zhanër, sepse në shkollat shqiptare kjo nuk mësohet, pra nuk është si lëndë mësimore dhe të gjithë këta e mësojnë në mënyrë autodidakte dhe nëpërmjet të dëgjuarit nga të tjerët. Unë e shikoj që ka edhe instrumentista dhe këngëtarë të cilët përveç zhanrit klasik duan të njohin dhe këtë zhanër, por është e vështirë sepse nuk ekziston në shkollat shqiptare. Ndoshta në një të ardhme do të jetë me të vërtetë problem si për këngëtarë ashtu dhe instrumentisë dhe koreografë që të njohin folkun shqiptar. Unë mendoj se duhet të ishte bërë prej vitesh kjo gjë. Shkollat e folkut i kanë shumë vende ballkanike dhe mendoj se ka ardhur koha që kjo lëndë të futet medoemos.
CMG: Unë ju falenderoj për këtë intervistë dhe ju uroj suksese në krijimtarinë tuaj muzikore.
Dritan Baftjari: Faleminderit shumë për ftesën dhe emisionet e bukura që ju realizoni. Ju uroj suksese në punën tuaj.
Intervistoi: Gazmend Agaj