Këngë të zgjedhura të muzikës popullore shkodrane do të vijnë në një album, me firmë produksioni BBC-në. Interesi i rrjetit të famshëm dhe prestigjioz mediatik për muzikën shqiptare ka nisur 10 vjet më parë, me prodhimin e 3 dokumentarëve. Ndërsa dy vjet më parë është realizuar regjistrimi i albumit me këngë tiranase. Producentja muzikore dhe drejtore e këtij projekti, Edit Pula në një intervistë për CMG na tregon rreth realizimit të tre albumeve me këngë popullore përmetare, tiranase dhe shkodrane si dhe projektet për të ardhmen.
Edit Pula (Facebook)
CMG: Sapo keni përfunduar regjistrimin profesional të këngëve popullore shkodrane në bashkëpunim me BBC-në. Na tregoni pak për detajet e këtij projekti?
Edit Pula: Ky është një regjistrim i materialit muzikor të muzikës qytetare dhe ahengut shkodran, të cilin sapo e kemi përfunduar në regjistrim audio, me qëllim nxjerrjen e një albumi muzikor në format LP dhe në CD. Kështu që bëhet albumi i tretë muzikor, i cili ka pasur për qëllim promovimin e muzikës shqiptare nëpër botë, nëpërmjet regjistrimeve shumë dinjitoze dhe me partner shumë profesionistë siç janë Lucy Duran producente muzikore legjendare dhe inxhinierin e zërit në BBC.
Edit Pula gjate punes se regjistrimit te kengeve
Prej 10 vitesh që bashkëpunojmë kemi prodhuar një dokumentar muzikor nëpër të gjitha trevat e Shqipërisë në terren, program që edhe sot dëgjohet dhe muzika shqiptare tashmë njihet nëpërmjet programeve. Më vonë vijuam me regjistrimin e albumit muzikor “Tirana-Tirona Allstars” në kuadër të 100 vjetorit të Tiranës kryeqytet. Po ashtu ky album ka marrë një vlerësim të rëndësishëm nga revista prestigjoze e muzikës, e cila promovon muzikën në botë “Songlines”, në 10 albumet më të mira të vitit 2021. Gjithashtu kemi marrë dhe vlerësime të tjera nga kritikë të muzikës. Pra qëllimi është se si nëpërmjet këtyre projekteve, të realizimit në këtë format albumesh muzikore, promovojmë muzikën shqiptare tradicionale e cila ka vlera të jashtëzakonshme dhe tani po dëgjohet edhe përtej kufijëve.
Edit Pula me producenten e BBC Lusy Duran (Facebook)
CMG: Pra, misioni juaj është për të ndërkombëtarizuar muzikën popullore tradicionale shqiptare. Përveç këngëve shkodrane, më përpara ju keni realizuar dhe albumet e këngëve tiranase dhe atyre përmetare.
Edit Pula: Projekti i regjistrimit dhe promovimit të muzikës ka filluar para 10 viteve nëpërmjet dokumentareve dhe me partner siç është BBC-ja. Janë tre dokumentarë nga një orë secili, në të cilin udhëtojmë në të gjithë Shqipërinë, regjistrojmë muzikën dhe bëjmë një pasqyrë të Shqipërisë, duke e njohur nëpërmjet muzikës nga veriu në jug. Më pas një iniciativë personale dhe me dy miqtë e mi tashmë ndërkombëtarë, morëm iniciativën për të regjistruar një album muzikor duke zgjedhur Përmetin, që mbetet për mua personalisht një nga vlerat më të rëndësishme muzikore për nga pasuria dhe larmia, që të bëhet muzika jonë e dëgjueshme jashtë kufijve. Ka kaq shumë material për të promovuar, por sigurisht që bëhet një përzgjedhje e cila është e pranueshme për një vesh që nuk e njeh fare këtë muzikë. Kështu që nisi me Përmetin nga të gjitha trevat e Shqipërisë sepse duhet të gjenim një rezonancë me vlerat tona, muzika e përzgjedhur e cila bëhet e dëgjueshme dhe pranohet nga një vesh që nuk njeh fare muzikën dhe nëpërmjet saj pastaj fillon një proçes tjetër njohje.
Artistet e asnamblit Tirana-Tirona All Stars gjate nje koncerti (Facebook)
Filluam duke krijuar një grup që quhet Saziso, i cili ka marrë vlerësime të jashtëzakonshme dhe kemi bërë turne nëpër shumë vende të Europës qëkur jemi krijuar në vitin 2017 dhe deri sot. Pas këtij albumi dhe suksesi, në kuadër të 100 vjetorit të Tiranës kryeqytet dhe me vizionin e kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, i cili e mbështeti që në fillesë këtë ide për të prodhuar një album muzikor me muzikën e Tiranës që të ishte një dhuratë audio për të promovuar muzikën më të mirë tiranase. Ansambli që ne krijuam u quajt “Tirana-Tirona Allstars” ku kemi muzikantë dhe këngëtarë legjendarë, por dhe të rinj.
CMG: Si është bërë përzgjedhja e këngëve popullore në albumet që keni realizuar deri tani?
Edit Pula: Sigurisht që të jemi shumë të ndërgjegjshëm që kemi kaq shumë këngë, por një album muzikor ka një limit dhe përzgjedhja se çfarë futet përfundimisht në album bëhet me larminë e ritmeve që të jetë e ndryshueshme, pra gjithmonë duke pasur parasysh një audiencë të huaj, që nuk e ka dëgjuar më përpara, mos t’i duken të gjitha këngët njësoj. Kjo gjë është fantastike dhe në bashkëpunim me Lucy Duran që është profesioniste dhe që bën këtë vlerësim të ritmeve, diversitetit dhe thyerjeve nga një këngë në një tjetër. Kështu që është shumë i vështirë ai proçes sepse ka shumë këngë që donim të ishin pjesë, por proçesi i përzgjedhjes se çfarë futet në album bëhet me impaktin sidomos të këtij veshi të huaj, të producentit me eksperiencë shumë të gjatë që bën ndërlidhjen midis ritmit të njërës këngë dhe tjetrës.
CMG: Deri tani keni realizuar tre albume me muzikën popullore tradicionale, të Përmetit, Tiranës dhe Shkodrës. Besoj se do të vijoni edhe me të rjera qytete të Shqipërisë?
Albumi muzikor Tirana-Tirona Allstars (Facebook)
Edit Pula: Pas Shkodrës që sapo e përfunduam si regjistrim, por që sigurisht procesi i prodhimit është si të shkruash një libër, pra një proces është të regjistrosh dhe një tjetër të prodhosh në formë fizike këtë album. Regjistrimi kalon në proçesin e miksimit, masterizimit dhe paketimit dhe gjithë të tjerat janë procese të prodhimit. Teksa mbaruam me regjistrimin dhe jemi në fazën e prodhimit të Shkodrës, sigurisht planin e kemi nisur dhe do të prodhojmë Gjirokastrën, pra kemi jugun dhe polifoninë, që është vitin tjetër si pjesë e projektit.
CMG: Ju falenderoj për intervistën dhe ju uroj suksese në këtë mision mjaft të rëndësishëm për të promovuar vlerat e muzikës shqiptare në botë.
Edit Pula: Faleminderit dhe juve për vlerësimin dhe jam shumë e lumtur që kam marrë këtë iniciativë. Jam me fat që një hobi, sepse unë nuk jam muzikante, jam njeri që kam një paion të veçantë për muzikën shqiptare që në fëmijëri, por jam e lumtur që tashmë i jam dedikuar promovimit dhe njohjes së kësaj muzike, këtyre vlerave dhe artistëve që kemi.
Intervistoi Gazmend Agaj
Edit Pula ne interviste per CMG