Mira Janji ka qenë një ndër studentet ekselente në Akademinë e Arteve në degën e Kantos në Tiranë dhe më pas kreu Masterin në Itali, ku u vlerësua nga pedagogët për vlerat e larta artistike dhe përgatitjen e saj. Gjatë kësaj periudhe ajo ka dhënë mësim për studentët italianë. Mira Janji është ngjitur në skenë që kur studionte në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, duke u vlerësuar me shumë çmime që në prezantimet e para. Ajo ka realizuar disa albume muzikore, si dhe këndon në zhanre si muzika e lehtë, modern dhe klasike, por edhe muzika popullore e cila e ka afruar më shumë me publikun, kryesisht atë të diasporës. Mira momentalisht ka realizuar një këngë të re, të cilën pret ta ndajë së shpejti me publikun.
Mira Janji (Foto Instagrami)
CMG: Përshëndetje Mira! Na trego, si ka qenë rrugëtimi yt artistik?
Mira Janji: Fëmijërinë time e kam filluar me muzikën dhe gjithmonë pasioni i madh sa vjen e shtohet, kërkon shumë angazhim e punë. Ky është profesioni që unë e dua dhe nuk mund të bëj diçka tjetër, përveçse muzikës dhe këndimit. Është një profesion që mua më përmbush, më kënaq. Patjetër që ka edhe lodhje, të cilat mundohem t’i harroj sepse arti ka sakrifica nga më të ndryshmet. Mundohem që të jem përherë sa më e pëlqyer për publikun, për adhuruesit e muzikës sime.
CMG: Pas përfundimit të studimeve të larta në Shqipëri, shkove drejt Italisë për të kryer Masterin, por paralelisht ke dhënë mësim në lëndën e Kantos për studentët italianë. Na trego pak për këtë eksperiencë?
Mira Janji: Kur mbarova studimet e larta në degën e Kantos, isha studente ekselente dhe mendova të provoj një eksperiencë tjetër, jashtë vendit në Itali. Ndërsa ndiqja Masterin, konkurova për të dhënë mësim në një shkollë muzike, konkurs të cilin e fitova dhe paralelisht me studimet, në kohën e lirë jepja mësim në një shkollë muzike.
Mira Janji në prapa skenat e Festivalit (Foto nga Instagrami)
CMG: Kush të sugjeroi për këtë?
Mira Janji: Ishte ideja e pedagogëve që të provoja këtë eksperiencë, të jepja mësim duke qenë se e kisha kryer një universitet muzike me nota maksimale, por dhe studioja vërtetë shumë. E gjithë dita për mua ishte vetëm studim. Provova të jepja mësim në një shkollë private në Itali, e cila ishte një eksperiencë e bukur dhe më pëlqeu shumë.
CMG: Ti e ke nisur karrierën tënde muzikore, duke u vlerësuar me çmime. Na trego për këto pjesëmarrje.
Mira Janji: Gjatë periudhës kur studioja në Liceun Artistik angazhohesha në aktivitetet që zhvillonte shkolla, ku interpretoja pjesë nga muzika klasike, por dhe nga muzika e lehtë, e cila më ka pëlqyer shumë. Nuk i ndaj dot edhe pse janë të ndryshme nga njëra- tjetra, i dua shumë të dyja. Mendova se pjesëmarrja ime në një koncert të muzikës së lehtë mu duk interesante, dhe mora pjesë. Aty u vlerësova me çmimin e parë, por nuk ishte juria ajo që vendosi, ishte publiku që më zgjodhi. Kur prezantuesja në atë kohë, Mira Bregu pyeti publikun se kush e meriton çmimin e parë, të gjithë brohoritën për mua.
Mira Janji gjatë interpretimit të muzikës klasike (Foto nga Instagrami)
CMG: Me çfarë kënge more pjesë ?
Mira Janji: Mora pjesë me këngën “Be my lover” nga La Bouche. Madje e kujtoj edhe tani atë moment kur interpretova këngën. Fillimi i mbarë, gjysma e punës. Ky çmim për mua ishte i papritur gjithashtu edhe nga familja ime, prindërit u befasuan. U jam shumë mirënjohëse pedagogëve të mi për gjithë arritjet që kam.
CMG: Mira, ti ke dhënë koncerte në vende të ndryshme, deri në Australinë e largët. Mendon se ja ka vlejtur e gjithë kjo?
Mira Janji: Unë mendoj se po. Sepse çdo gjë që kam bërë, e kam bërë me përkushtim. Dalja e parë ka qenë në kohën e studimeve, gjithashtu edhe me koncertet që kishim në Akademinë e Arteve, por dëshira ime ishte që të punoja në këtë profesion, kështu që duhej të merrja pjesë në këto aktivitete sepse e konsideroja përveçse pasion edhe profesion.
Mira Janji Foto nga Instagrami
CMG: Por si i ke ti marrëdhëniet me muzikën klasike sot?
Mira Janji: Kur jam në makinë dëgjoj gjithmonë muzikë klasike ashtu edhe muzikën e lehtë. Nuk dua që t’i ndaj gjatë kohës time të lirë.
CMG: A kujton ndonjë vepër të muzikës klasike që ke interpretuar ?
Mira Janji: Janë disa kompozitorë që mua më janë përshtatur në vokal, si, Mozart, Xhuzepe Verdi. Jam fokusuar tek këta të dy duke qenë se jam soprano lirike dhe pjesët e arieve më kanë shkuar në vokalin tim.
CMG: Në cilin zhanër muzikor fle më shumë zëri yt ?
Mira Janji: Kohët e fundit më është shtuar edhe Turbo Folk. Kam qenë e ftuar tek “Maratona e këngës” dhe aty kam kënduar këngë Turbo Folk. Publiku në Shqipëri më pëlqen kur këndoj këngët Turbo Folk të jugut. Ndërsa kur jam në diasporë më kërkojnë të këndoj këngë të ndryshme të veriut dhe jugut. Në diasporë jam munduar t’i këndoj të gjitha zhanret muzikore si modernen, ballkanasen, klasiken, të gjitha. Jam një këngëtare universal, duke qenë se këndoj të gjitha rrymat.
Mira Janji në intervistë për CMG
CMG: Ti ke publikuar disa albume muzikore, por a ke diçka të re së fundi?
Mira Janji: Këtej e tutje do publikoj vetëm këngë solo dhe jo albume. Kam në plan që të sjell shumë shpejt një këngë të re, të cilën e kam krijuar vetë.
CMG: Ti ke vite pa marrë pjesë nëpër festivale. A do të të shohim ndonjëherë në këto aktivitete?
Mira Janji: Dëshira sigurisht që është e madhe, por kur unë të jem e bindur për të marr pjesë, patjetër që do jem aty.
CMG: Si do të të gjej ky vit i ri ? Me familjen, apo duke performuar për fansat e tu?
Mira Janji: Çdo vit kam qenë duke performuar, por këtë vit ende nuk e kam vendosur.
CMG: Cili është urimi që do bëje për publikun?
Mira Janji: Ju uroj të gjithëve një vit të mbarë me shumë angazhime, dhe me punë. Është bukur të merresh me pasionin apo dëshirat dhe është bukur të punosh aty ku çdo njeri ka pasionet e veta, pasi çdo gjë shkon më mbarë. Ju uroj mbarësi dhe lumturi të gjithëve!
Intervistoi: Sava Lena