Kam qenë afërsisht 10 vjeçe, kur dëgjova për herë të parë këngët e albumit muzikor të grupit të rrokut Elita 5. Ka qenë ndoshta muzika e tyre që ndikoi në vazhdim në shijet e mia muzikore, por mendoj edhe tek shumë të rinj të asaj kohe. Tetë vite më pas pata fatin t’i takoja, si dhe të realizoja intervistën e parë me grupin Elita 5. Edhe pse kanë kaluar mbi tre dekada që ata këndojnë e interpretojnë në skena, djemtë duket sikur nuk kanë ndryshuar aspak . Një jetë e tërë me muzikën dhe një dëshirë shumë e madhe për të mos e zhgënjyer publikun që i ka mbështetur gjithmonë. Por edhe ata nga ana tjetër kanë punuar fort, duke qenë tejet produktiv dhe përherë me albume muzikore, këngë të reja me vodeklipe dhe koncerte live, ku publiku i shoqëron përherë gjatë interpretimeve të hiteve të tyre. Që nga “Al Kapone” dhe deri tek këngët më të fundit, ato janë bërë menjëherë “hite” dhe vazhdojnë t’i rezistojnë kohërave. Në këtë fundvit, ata kanë zgjedhur të sjellin një tjetër dhuratë për fansat e tyre, realizimin me shumë dashuri të krijimit më të ri, këngës që mban titullin "Lamtumirë". Për CMG djemtë e grupit Elita 5 kanë treguar se, kjo këngë ka një fabul me temën e dashurisë, por e sjellë në një version ndryshe, ku pjesa e parë e këngës vjen unplugged ndërsa pjesa tjetër vjen me orkestrimin karakteristik të Elita 5. Si zakonisht baladat e grupit Elita 5 janë minore (në kuptimin harmonik), ndërsa këtë herë kanë ndërtuar refrenin major (sa i takon harmonisë së këngës). Dmth pjesa e strofës dhe urës janë minore, ndërsa refreni është major, që do të thotë se; Lamtumira, nuk është përherë vuajtje. Kjo këngë e re nga grupi Elita 5 vjen në bashkëpunim me autorin e tekstit Avni Qahili, me muzikë dhe orkestrim nga Nexhat Mujovi Virusi, realizimi i së cilës është bërë në Prosound Recording Studio.
Peppa Marriti Band të lumtur për këngën “Xhamadani vija vija”
Grupi arbëresh Peppa Marriti Band nuk e kanë herën e parë që ripërpunojnë këngë të njohura shqiptare, më herët ata kanë sjellë edhe një version të ri të këngës “25 Gërsheta”, por edhe shumë të tjera.
Djemtë e grupit arbëresh, Peppa Marriti Band kanë sjellë së fundi ripërpunimin e këngës së njohur “Xhamadani vija vija” e cila është realizuar edhe me videoklip. Djemtë e grupin Peppa Marriti Band kanë treguar për CMG, se janë kënaqur shumë gjatë kohës së regjistrimit të saj. Ata ndjehen shumë të lumtur që e kanë bërë në këtë version të ri këngën “Xhamadani vija vija”, e cila është një mënyrë për të bashkuar kulturën arbëreshe dhe atë të shqiptarëve në të gjithë botën. Dhe muzika e ka këtë fuqi të madhe, për të bashkuar popujt dhe kulturat. Ata po punojnë momentalisht për një tjetër këngë që do të vijë me videoklip, për të cilën djemtë mendojnë se mund të jetë gati në muajt në vazhdim. Gjithashtu në planet e grupit arbëresh, Peppa Marriti Band ekziston dëshira për të publikuar një album muzikor me tetë këngë, ku pjesë e tij do të jetë edhe kënga “Xhamadani vija vija”.
E mira dhe e keqja e këngëtarit Alfred Meminaj
Këngëtari Alfred Meminaj pas pjesëmarrjes në festivalin “Festa e muzikës” me këngën “Lamtumirë” do të sjellë shumë shpejt për publikun këngën e tij të re “E mira dhe e keqja ime". Kënga vjen me stil latin dhe në fabul pasqyrohet një dashuri e pastër, e çiltër që në shumë raste mungon, sepse interesat e kohës dominojnë në ndjenjat njerëzore dhe duket sikur njerëzit po kthehen në robot, sikur nuk ka më ndjenja, çdo gjë duket e programuar nga interesat e kohës. Kujtojmë se Alfred Meminaj karrierën e tij muzikore po e ndërton midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, ku udhëton shpesh për projekte dhe bashkëpunime me artisten e mirënjohur shqiptare Alida Hisku. Në këtë këngë të re, e cila do jetë e shoqëruar me videoklip, ai vjen si kantautor ku ka realizuar tekstin dhe muzikën e këngës “E mira dhe e keqja ime” e cila është punuar nga Hitboys records. E mira dhe e keqja janë dy koncepte të kundërta, që përfaqësojnë dualitetin e përjetshëm të qenies njerëzore gjatë gjithë jetës, madje për këtë dualitet William Shakespeare ka thënë: “Rrjeti i jetës sonë është një fije e përzier, e mirë dhe e keqe së bashku”.
Përgatiti: Sava Lena