Këngëtarja Denisa Gjezo e ka nisur muzikën që në moshë të vogël, duke u aktivizuar në festivale të ndryshme për fëmijë apo aktivitete të tjera artistike si, në Festivalin e Kombëtar të Fëmijëve në Shkodër, në Festivalet Folklorike që zhvilloheshin në qytetin e saj të lindjes Gjirokastër, ku është vlerësuar disa herë me çmime. Denisa kreu stumimet e larta për kanto në Universitetin e Arteve në Tiranë dhe gjatë viteve të akademisë ajo mësoi gjuhën frënge për të shtuar në repertorin e saj këngët franceze. Ajo interpreton mjaft mirë në netët live këngë në anglisht, frëngjisht, greqisht,(me të cilën është familjarizuar që e vogël) si dhe në gjuhën shqipe. Me publikun e gjerë ajo u prezantua në spektaklin e talenteve të reja “Ethet e së premtes”, kur studionte në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Më pas nuk kanë munguar interpretimet live në Gjirokastër, Tiranë, e vende të tjera ku vazhdon të interpretojë çdo fundjavë.
Denisa Gjezo, vajza me zërin karakteristik, edhe pse nuk ka dashur të bëhej e famshme e përjeton muzikën me intensitetin e një dive, ku edhe pse ka rreth dy dekada që këndon, emocionohet sa herë që del në skenë. Ka marrë pjesë disa herë në Top Fest, Kënga Magjike, si dhe në Festivalin e RTSH-së. Për CMG Denisa ndan me ne, rrugëtimin e saj artistik, të rejat më të fundit rreth muzikës, përshtypjet e takimit me Rita Orën,etj.
CMG: Si ka nisur muzika për ty?
Denisa Gjezo: Që në moshë të vogël më kanë spikatur mësuesit e muzikës në shkollën fillore në Gjirokastër. Më pas kam marë pjesë nëpër festivale, në çdo aktivitet që bëhej duke u vlerësuar edhe me çmime. Dhe kështu vazhdoi jeta ime artistike.
CMG: Të kujtohet kënga e parë që ke kënduar në një skenë?
Denisa Gjezo: Kënga ime e parë që kam kënduar ka qenë një këngë labçe .
CMG: Do citoja diçka: “Ke probleme me regjistrin e sipërm”... Çfarë të kujton?
Denisa Gjezo: Më kujton “Ethet e së premtes”, por nuk mendoj se kam pasur probleme me regjistrin, thjesht atëherë e kam pasur zërin të bardhë jo të paformuar, por mendoj se më bënë punë kritikat e anëtarëve të jurisë.
CMG: Çfarë kujton nga ajo eksperiencë?
Denisa Gjezo: Kanë qenë shumë konkurentë dhe të gjithë ishin të talentuar. Unë desha vetëm të këndoja dhe të jepja maksimumin tim sepse isha e vogël dhe nuk dija çfarë kërkoja nga vetja. Ekzistonte frika se a do ecja përpara apo jo.
CMG: A i fiksove ato kontakte që të duheshin, për të vazhduar më tej?
Denisa Gjezo: Deri diku po. Ka pasur kompozitorë që më kanë njohur që nga “Ethet” dhe kur kam bashkëpunuar më pas më mbanin mend që nga ai spektakël. Njëri prej tyre ka qenë dhe kompozitori Shpëtim Saraçi.
CMG: Çfarë thonin për Denisën dje dhe çfarë thonë sot?
Denisa Gjezo: Unë atëherë isha e vogël dhe nuk dija se çfarë të këndoja, çfarë rryme të zgjidhja, i këndoja të gjitha zhanret, por zëri im nuk ishte përpunuar ende. Zhani Ciko në juri, më bëri përshtypje kur më tha se; “Je talent i lindur dhe ke një zë natyral”. Të njëjtën gjë ma ka thënë shpesh mësuesja ime e kantos, që mund të këndoj pa problem çdo rrymë muzikore.
CMG: Ti ke kënduar këngë të zhanreve të ndryshme, po ku e sheh veten më mirë?
Denisa Gjezo: Që e vogël unë kam dashur shumë muzikën e lehtë, pavarësisht se si rrodhën gjërat dhe kam kënduar edhe këngë popullore. Publiku që më ka ndjekur në netët live e di shumë mirë se çfarë repertori këndoj unë, që nga Whitney Houston, të cilën e kam pasur shumë përzemër që kur kam qenë e vogël etj. Madje kur kam qenë një herë e ftuar në një program të Top Channel këndova një këngë rrok, gjë të cilën nuk e kisha provuar më parë se nuk e dija që më shkonte me vokalin tim.
CMG: Ti ke 18 vite që merresh me muzikë. Si e sheh veten sot nga ana artistike?
Denisa Gjezo: Asnjëherë nuk ndihem mirë me veten, kërkoj gjithmonë të eci përpara dhe të punoj më fort, por besoj kjo ndodh tek çdo artist jo vetëm tek unë. Kërkoj nga vetja që të jem në perfeksion dita -ditës, duke dhënë maksimumin tim.
CMG: Ku pretendon të arrish?
Denisa Gjezo: Nuk e kam një qëllim të caktuar, gjithmonë gjërat më vijnë pa plane dhe ndjehem më mirë kështu. Nuk kam menduar asnjeherë për majën e suksesit, por thjesht dua që të trasnmetoj tek publiku muzikën time ashtu si unë e ndjej. Nuk kam synuar asnjëherë për të qenë në krye. Unë thjesht dua që të jem një këngëtare e mirë, dhe dua që publiku të më njohë si një këngëtare të mirë dhe njeri të mirë.
CMG: Denisa ti ke marrë një kompliment nga një kolege me famë ndërkombëtare si Rita Ora, e cila të ka thënë: "Your voice is amazing", pra një kompliment për zërin tënd të mrekullueshëm. Si u ndjeve?
Denisa Gjezo: Nuk e mendoja se do ma thonte një gjë të tillë Rita Ora. Kam qenë në një ambjent familjar, ku Rita Ora po martonte një kushërirën e saj, gocën e tezes dhe unë isha duke kënduar së bashku me bendin që punoj prej vitesh dhe me Sidrit Bejlerin. Në momentin kur Rita më shprehu këto fjalë, jam lumturuar vërtetë shumë.
CMG: Ti ke dy fëmijë, por unë kam parë në një video djalin e madh, ku ju e orientonit drejt muzikës. Mendon se Dioni ka talent më shumë për këngën si mami, apo në bateri si babi?
Denisa Gjezo: Ai ka dëshirë që t’i bjerë baterisë apo pianos, por nuk ka vesh muzike, nuk e shoh të ketë talent. Ndërsa djali i vogël shoh që ka vesh muzike dhe e kap ritmin kur këndon.
CMG: Ti ke marrë pjesë në disa festivale si “Top Fest”, “Kënga Magjike”, Festivali i Rtsh-së, etj. Si kanë qenë këto eksperinca për ty?
Denisa Gjezo: Gjithmonë dua të jap më të mirën nga vetja si nga ana vokale, artstike, dhe nuk pres për vlerësim. Normal që në një festival ka shumë konkurrentë, emocionet janë mjaft të forta sidomos në një skenë si ajo e Pallatit të Kongreseve dhe mendoj se këto konkurime, të bëjnë më të fortë për të ecur përpara. Kam dëshirë që vitin tjetër të marr pjesë në Festivalin e Rtsh-së.
CMG: Gjatë fillimit të pandemisë, të gjithë ishim të papërgatitur. Në këtë periudhë ti solle interpretime live nga ambjeti i shtëpisë, i studios, ku solle disa këngë me video. Na trego pak për këtë eksperiencë?
Denisa Gjezo: Ishte diçka që erdhi ndryshe në kohën e pandemsië. Bashkia realizoi atë vit koncerte nëpër lagjet e Tiranës për të argëtuar sado pak publikun. Në atë kohë mendova bashkë me kolegun tim Çimin që të ripërpunonim disa këngë të krishtera. Sollëm këngën e parë dhe aty pamë shumë komente pozitive. Nga ai moment menduam të sillnim edhe këngë të tjera dhe mendoj se ka qenë një nga realizimet më të mira që unë kam bërë për veten time. E nisëm me 5 këngë, më pas u bënë 10 dhe tani së fundi i publikuam dhe 5 këngë të tjera, numri i këngëve deri tani ka arritur në 15. Nuk janë super cilësi sa i takon videos pasi i kemi regjistruar vetë. Një ndër këngët e mia të preferuara është “Si drenusha që kërkon ujin”.
CMG: Çfarë do të shtoje së fundi?
Denisa Gjezo: Kam shumë projekte të cilat më kanë mbetur pezull dhe pres që t’i realizoj. Kam një duet, i cili pres të publikohet tani në dhjetor.
Intervistoi: Sava Lena