Irma Libohova, një nga këngëtaret më të dashura për publikun shqiptar që ka mahnitur me zërin dhe talentin e saj në vitet ’80 vazhdon të jetë shumë e kërkuar në koncerte, sidomos jashtë Shqipërisë, ku çon muzikën e mirë dhe aftësitë e vërteta vokale dhe interpretuese, edhe sot. Mbi 40 vite karrierë muzikore, ajo vazhdon akoma punën me shumë vëmendje në çdo projekt muzikor të ri. Me dekada karrierë muzikore, Irma Libohova ka një repertor shumë të pasur në këngë, ku nuk mungojnë dhe çmimet në festivale të ndryshme. Në një intervistë për CMG ajo na tregon rreth aktivitetit të saj artistik si dhe projektet për të ardhmen.
CMG: Irma, përshëndetje dhe faleminderit për pjesëmarrjen në emisionin Bio Folk
Irma Libohova: Faleminderit për ftesën dhe është kënaqësi për mua dhe për të gjithë ata që ndjekin Radio Ejani.
CMG: Ju keni afër katër dekada që interpretoni mjeshtërisht këngët shqiptare dhe vazhdoni po me të njëjtin intensitet dhe sukses. Një artiste e palodhur që dhuron kënaqësi në çdo kohë te publiku.
Irma Libohova: Muzika nuk të lodh kurrë dhe unë besoj që në gjithë dinamikën e jetës dhe të ditës time veçanërisht, do të jem kjo që jam, nuk besoj se do të ndryshoj gjë. Edhe kur nuk ka mundohem ta gjej aktivitetin, të gjej veten, të gjej këngën dhe mendoj se lëvizja është jetë.
CMG: Knëgët tuaja i pëlqejnë të gjithë, që nga fëmijët e vegjël që të duan shumë si dhe të rinjtë, pra nga të gjithë brezat. Cili është sekreti i suksesit tuaj?
Irma Libohova: Faleminderit dhe është kompliment shumë i mirë për mua. Të rrokësh në figurën e artistit edhe pjesën e fëmijëve, unë besoj se është aset dhe pasuri. Fëmijët gëzojnë dhe ata të mbajnë mend në gjithë jetën e tyre dhe vulosesh si figurë. Unë kam bërë gjithmonë këngë për fëmijë, jam përfshirë gjithmonë me ta, i dua shumë dhe i pranoj me gjithë çapkënllëqet e tyre. Për këtë arsye një shprehje thotë se nëse duhet të kuptosh një njeri se kush është, shihe në sjelljen me fëmijët dhe unë besoj se i kam hapur hapësirë pafund marrëdhënies me fëmijët dhe pastaj krijimtarisë. Kam kënduar për ta si dhe kam bërë dhe një album për ta dhe përsëri do vazhdoj të jem afër tyre.
CMG: Si ka qenë ky vit për ju në lidhje me aktivitetet artistike edhe pse akoma jemi në pandemi?
Irma Libohova: Aktiviteti i fundit që ka qenë me publik ishte një spektakël që u zhvillua para disa kohësh te Amfiteatri i Liqenit Artificial që ishte me kolona zanore të filmave, ku unë isha pjesë e atij projekti. Gjithashtu ka qenë edhe spektakli televiziv “Këngë moj” që edhe ajo ka goxha publik që e ndjek, ku dhe aty herë pas here jam pjesë si dhe kam qenë edhe te puntata me këngët për fëmijë.
CMG: Gjatë këtij viti ju keni qenë e angazhuar edhe me një aktivitet të kinemasë në disa qytete, ku përveçse keni qenë pjesëmarrëse në “Open Cinema” keni realizuar dhe siglën e këtij projekti. Si u ndjetë në botën e magjishme të kinemasë?
Irma Libohova: Është një aktivitet që e bëjnë disa njerëz me shumë dëshirë, që e kanë pasion kinemanë dhe unë i kam ndjekur në çdo qytet që kanë qenë. Siglën e atij aktiviteti preferuan ta bëjmë bashkë me organizatorët që është Skënder Jaçe, i cili përfaqëson Çinemaninë. Ishte një kënaqësi shumë e madhe që unë isha pjesë e këtij projekti, sepse për kinemanë ka pak këngë. Ka këngë që janë kënduar për hir të skenarit, por këngë që tÇi kushtohet pikërisht kinemasë nuk ka, dhe kjo është një sigël e bukur që kishte atmosferë dhe unë të tillë e doja dhe më duket se e qëlluam. Kështu që realizuam një videoklip modest me një muzikë të thjeshtë, një tekst të kuptueshëm sepse jeta nuk ka vetëm dashurinë. Dakort që dashuria është globale dhe e përjetëshme, por ka dhe tema të tjera si djali, fëmija dhe jeta. Jeta është shumëngjyrëshe dhe njëra nga këto pjesë të jetës është kinemaja.
CMG: Nuk është hera e parë që ju bëheni pjesë e kinemasë sepse edhe në disa filma para viteve 90-të keni qenë pjesë e saj përmes këngës.
Irma Libohova: Unë kam qenë kolona zanore e disa filmave si “Treni niset në 7 pa 5” ka qenë njëri, ku nga fillimi deri në fund vokali që shoqëron muzikën është i imi. Gjithashtu edhe te filmi “Binarët”, që e dinë pak a shumë njerëzit, kam kënduar këngën Mashinisti me Ardit Gjebrenë, po kështu kam kënduar edhe te “Mimoza llastica” ku njëra nga ato vajzat te ai kompleksi i vogël kam qenë unë me disa shoqet e mia.
CMG: Keni qenë pjesëmarrëse në kinematografi gjithmonë përmes këngës dhe jo si aktore. Nuk ke pasur dëshirë të jesh dhe aktore në ndonjë film?
Irma Libohova: Nuk jam një aktore e mirë. Përpiqem të interpretoj mirë, dhe kjo është sigurisht pjesë e aktrimit. Interpretimi i këngës më duket se është shumë i brendshëm, kurse të jesh aktore duhet të kesh talent.
CMG: Irma, përveç aktiviteteve që keni pasur këtu dhe që i përmendët më lart, ju keni udhëtuar edhe jashtë vendit për aktivitete artistike. Si jeni ndjerë pas një shkëputjeje të gjatë, që nuk keni udhëtuar për arsye të pandemisë?
Irma Libohova: Thjesht është një ushqim që trupi e ka të nevojshëm të çlirojë disa energji dhe kënaqësi të vetat, siç është edhe udhëtimi. Unë udhëtimin e kam hobi dhe thjesht herë pas here e marr avionin për të takuar dhe miq e shokë. Unë vazhdimisht udhëtoj, por mbas dy vitesh pushim kur e merr pastaj një udhëtim, të duket sikur ke filluar nga e para. Unë nuk do rri pa udhëtuar dhe me shpresën që kjo situatë që është tani do të largohet, sepse bota do jetojë dhe njerëzit do lëvizin, dhe unë do të bëj prapë të njëjtën gjë deri sa të kem mundësi.
CMG: Kontaktet me adhuruesit tuaj i keni mbajtur edhe virtualisht përmes rrjeteve sociale, ku edhe keni bërë muzikë për ta. Kjo për të qenë vazhdimisht më pranë fansave?
Irma Libohova: Patjetër sepse rrjetet sociale të mbajnë lidhur, duke reklamuar punën tënde dhe tregon se ku je. Duhet të jesh vazhdimisht online aty për gjërat e reja, për këngët, por edhe për ndonjë bisedë, ashtu siç ka shkuar trendi në marrëdhëniet e artistëve përmes rrejteve sociale me publikun. Unë përpiqem të jem brenda një kufiri dhe limiti dhe kufirin e kam pak të shenjtë dhe nuk e tejkaloj. Mundohem të jem sa më diskrete në të gjitha ato që flas apo postoj.
CMG: Znj.Libohova keni një repertor të madh këngësh të muzikës së lehtë dhe asaj popullore. Cilën nga këngët tuaja e kërkojnë më shpesh për ta interpretuar?
Irma Libohova: Unë kam një mendim timin në lidhje me tematikat e këngëve dhe mia. Gjithmonë më ka tërhequr tematika për gjëra të ndryshme. Unë kam bërë këngë për takat, kam bërë këngë për borxhin që është një fenomen botëror dhe gjithmonë kam pasur një pikënisje. Unë kam bërë këngë dhe për mollaxhiun, këngë për motrat dhe për vajzat si dhe tema nga më të ndryshmet. Gjithmonë më kanë interesuar temat sociale si prindërit, familja, dashuria, gjithçka që në këtë jetë janë jeta e njeriut.
CMG: Ndalemi pak dhe te muzika popullore, ku ju keni interpretuar këngë të çdo treve të vendit dhe zëri juaj i përshtatet mjaft mirë çdo krahine.
Irma Libohova: Unë i kam bërë këto gjëra shumë më përpara, kur nuk kishte as rrjete sociale. Unë mendoj se Shqipëria është e imja, është e jotja dhe unë Shqipërinë në zemrën time nuk e ndaj me parcela dhe kam të gjithë të drejtën e Zotit të këndoj këngën e Sarandës, të këndoj këngën e Fierit, të Skraparit. Elbasanit, Lushnjes, Tropojës, Dibrës dhe të gjithë trevat e tjera. Pra në zemrën time nuk ekziston ndarja, por sigurisht që nuk do ta këndoj si një këngëtar i karakterit që është tipik i zonës, por bukur dhe pranueshëm për veshin do ta këndoj. Unë këtë përpiqem të bëj dhe e kam bërë që në fillim kur kam dalë këngëtare, sepse ashtu ma ka ndjerë zemra. Ka këngëtarë që e bëjnë dhe e bëjnë bukur dhe jam shumë dakord që e rrokin me mundësinë e tyre vokale, interpretuese dhe teknike trevën mbarëshqiptare.
CMG: Ju Irma jeni artiste shumë e buzëqeshur dhe në formën më të mirë, me lukun dhe prezencën tuaj në skenë. Sa rëndësi i kushtoni lukut dhe veshjes?
Irma Libohova: Kujdesin e shtuar ndaj vetes në një moshë të caktuar duhet ta kesh dhe unë kam një kod të veshjes dhe paraqitjes dhe i kushtoj rëndësi. Duke qenë mirë nga brenda, sigurisht që do ta reflektosh edhe nga jashtë atë.
CMG: Ndjeheni e plotësuar për çfarë keni arritur deri tani?
Irma Libohova: Asnjëherë nuk ndalet artisti dhe gjithmonë artisti kërkon të sjellë krijimtari, sepse buron shpirti i tij. Ëndrra ime është që të realizoj një koncert recital dhe nëse e bëj këtë koncert, besoj se e kam plotësuar karrierën dhe nuk kam se çfarë të kërkoj më. Thjesht mund të bëj ndonjë këngë kur kam frymëzimin sepse unë edhe vetë krijoj ndonjë këngë. Unë do të vazhdoj akoma të këndoj dhe recitalin e kam ëndërr.
CMG: Së fundi një mesazh për të gjithë dëgjuesit dhe fansat tuaj.
Irma Libohova: Prezenca e publikut në zemrën e artistit është gjithçka për të, besomëni për këtë. Ne jetojmë nga fryma e publikut dhe japim shpirtin tonë për atë publik.
Intervistoi: Gazmend Agaj