Këngëtarja me zërin brilant Alida Hisku ka marrë ndër vite vlerësimin e publikut për këngët e saj. Një karrierë që nisi në fëmijëri me medalje ari në këngë për të vijuar me çmime në festivalet e këngës. Por Alida Hisku u nda me skenën në kulmin e shkëlqimit, një moment ky shumë i dhimbshëm në jetën e këngëtares. Ajo jeton prej më shumë se 30 vitesh në Gjermani, ku dhe sot aktivitetin e saj e ka të përqendruar në këtë shtet. Alida Hisku në intervistë ndryshe për CMG flet për integrimin e saj në Gjermani si dhe arritjet në fushën e artit në një vend të huaj.
CMG: Znj.Hisku përshëndetje dhe të flaenderoj që je e pranishme në valët e Radio Ejani në Autostradë.
Alida Hisku: Përshëndetje dhe si gjithmonë është kënaqësi dhe nder për mua kur ju më ftoni në emisionet tuaja.
CMG: Flasim pak për jetën tuaj të ndarë tashmë midis Shqipërisë dhe Gjermanisë gjatë tre dekadave të fundit.
Alida Hisku: Prej 30 viteve unë jetoj në Gjermani si shumë emigrantë të tjerë në të gjithë botën, dhe e kam ndjerë për detyrë që edhe pse jetoj në Gjermani me punën e vështirë që duhet ta filllosh nga zero, të jem një pasqyrim i traditave shqiptare, një pasqyrim i edukatës shqiptare aty ku unë jetoj. Këtë gjë jam munduar çdo ditë, që unë këtë aktivitet dhe detyrë që ndjej karshi popullit shqiptar ta realizoj. Para 10 vitesh më është realizuar ëndrra dhe unë vetë hapa një lulishte në të cilën ndërtova një skenë që aty të këndohej shqip dhe gjermanisht. Në kuzhinën e lokalit tim gatuaj vetë, pra u bëra edhe kuzhiniere, duke gatuar të gjitha menutë e shijshme tradicionale të kuzhinës shqiptare.
CMG: Cilat ishin përshtypjet e të huajve kur shijonin kuzhinën tradicionale shqiptare në restorantin tuaj?
Alida Hisku: Frekuentimin e madh që unë kisha në restornat, 360 karrige për klientët, tregon që restoranti ishte gjithmonë plot, tregon që e para tek unë gjenin një kuzhinë bio dhe e dyta një kuzhinë të veçantë me një shije krejt ndryshe nga gatimet e vendeve të tjera, mbase dhe të Gjermaninë. Frekuentimi i klientit gjerman tregon që gatimet kanë qenë të shijshme për ata. Megjithatë mbas çdo koncerti që bëhej unë merrja mikrofonin dhe dilja në skenën time ku në mënyrë publike dhe nëpërmjet duartrokitjeve i tregoja klientëve gjermanë, në fillim duke i pyetur se a ju kishte pëlqyer ushqimi dhe ju kërkoja të ma jepnin pëlqimin me duartrokitje, dhe ishte me të vërtetë një brohori e madhe.
Unë e kisha si kënaqësi për veten time që ju kishte pëlqyer gjella dhe për ato duartrokitje ju këndoja perla të muzikës shqiptare pa orkestër, sepse unë nuk kam orkestër atje.
CMG: Mendoj se klientët habiteshin kur shikonin se ju gatuanit në restorant, por kur këndonit kishin më shumë kureshtje për të ditur për jetën tuaj artistike.
Alida Hisku: Ashtu është në fakt, por kam pritur sesi të shfrytëzoja rastin dhe vendin për të treguar sa më shumë nga traditat shqiptare. Unë prandaj e hapa këtë lokalin tim për të treguar se jam kuzhiniere, por edhe artiste. Kur e bleva këtë shtëpi e kam riparuar vetë dhe të gjithë e shikonin që unë riparoja vetë me shije, duke i dhënë një formë tradicionale kësaj shtëpie të vjetër në mes të pyllit. Kjo e faktoi akoma më shumë dhe e ngriti më lart opinionin e mirë jo vetëm të gruas, por të një shqiptareje.
CMG: Në Gjermani ju keni dhe një grup muzikor të krijuar para disa vitesh së bashku me disa artisë nga vende të ndryshme të botës. Mund të na tregoni më shumë rreth këtij grupi muzikor?
Alida Hisku: Përpara se unë të bleja këtë shtëpi me oborr të madh dhe me lokal, krijova në qytetin e Fuldës një grup artistik. Projekti im ishte që ta krijoja këtë grup muzikor me shqiptarë, por ishte e pamunduar që të mblidhja pesë shqiptarë artistë aty ku banoja, sepse jemi të shpërndarë në gjithë Gjermaninë dhe Gjermania është shumë e madhe. Pastaj mbi të gjitha gratë janë të zëna me punë shtëpie dhe punë të tjera për të siguruar jetësën. Mendova të marr pesë gra nga pesë kontinente të ndryshme dhe numri 5 më mbeti gjithmonë në projekt. Pra pesë kontinente të ndryshme që të bënim një udhëtim, duke dhënë koncerte në 5 kontinente dhe këtë udhëtim nëpërmjet muzikës ta sillnim në një program të vetëm. Ne performonim nëpër skenat e rrethit dhe kudo nëpër fshatrat e qytetit të Fuldës.
CMG: Kush janë artistet e tjera të grupit, që përfaqësojnë vendet e tjera?
Alida Hisku: Të gjithë këto artistë që kanë qenë në grupin tim kanë qenë të njohur në shtetet e tyre, Brazil, Portugal dhe Shangai i Kinës. Ne ishim të gjithë me instrumenta dhe shkollim muzikor dhe u mblodhëm me dëshirë dhe pasion ku çdonjëra binte në program pesë këngë të shtetit të vet. Kjo u bë një gjë e bukur dhe koncertet i dhamë në ambiente të bukura ku kemi pasur shumë sukses dhe grupi ynë quhej “Melody rain”.
CMG: Eksperienca juaj muzikore me artisten nga Shangai dhe kombinimi i muzikës shqiptare me atë kineze si ishte?
Alida Hisku: Muzika kineze solli një sukses dhe diçka shumë të veçantë, sepse publiku gjerman nuk ishte mësuar live me muzikantë kinezë. Këngatarja kineze që quhej Si Qing solli me vete dhe një instrument tradicional. Ajo këndonte dhe i binte këtij instrumenti, ndërsa ne e shoqëronim vetëm për ritëm dhe me të vërtetë kishte mjaft sukses. Një muzikë e bukur që ta kap veshi përnjëherë si këngët korçare. Janë shumë melodioze këngët kineze.
CMG: Znj.Hisku ju përveçse një artiste e madhe me arritje të mëdha në artin shqiptar, suksesi ju ka ndjekur edhe aty ku jetoni. Mendoni se edhe familja juaj e madhe në Gjermani është një pasqyrim i jetës shqiptare në një vend të huaj?
Alida Hisku: Mendoj se po. Në qoftë se do të shikoj dhe do kthej kokën në familjen time, kemi arritur dhe luftuar shumë sepse arritjet nuk fitohen pa luftë, kudo që të jesh. Kam filluar nga familja që nga fëmijët duke luftuar shumë me qëllim që fëmijëve t’ju jap shkollën në fillim. Fëmijët e mi kudo që shkojnë dhe punojnë, në radhë të parë janë shqiptarë, janë djem shqiptarë. Pra e para që kanë marrë shembull nga nëna, por dhe vetë i kam edukuar që të sillen dhe të pasqyrojnë kulturën dhe edukatën e një familjeje shqiptare.
CMG: Njëri nga djemtë tuaj, Albini ka qenë i suksesshëm edhe në fushën e aktrimit në Gjermani, ndërsa tani ai është i suksesshëm në fushën e menaxhimit ku punon si menaxher i përgjithshëm i BMW-së. Besoj ju si nënë jeni shumë krenare për këtë arritje?
Alida Hisku: Jam krenare sepse të gjitha mundimet që bëra atje, kur i kam marrë të dy djemtë e vegjël dhe kemi ikur nëpërmjet Qafës së Thanës, sepse unë jam arratisur dhe nuk kam ikur me ambasadat. Ka qenë me të vërtetë një rrugë shumë e vështirë dhe pa ditur se ku po shkoja, apo kush do të më priste. Pra një grua 32 vjeçe me dy fëmijët e vegjël. Unë dua të them vetëm një gjë: kush ka dëshirën dhe besimin në vetvete, gjithmonë do fitojë dhe do të arrijë diçka. Akoma nuk ka mbaruar jeta dhe unë luftoj deri në fund, sepse kam akoma shumë për të bërë. Unë tani jam në pension, por do të bëj plane të tjera gjithmonë për të treguar edhe më tej pasqyrën e Shqipërisë, kush është vendi im.
CMG: Faleminderit për këtë bisedë të këndshme dhe ju uroj shëndet dhe suksese e arritje të tjera.
Alida Hisku: Ju falenderoj juve dhe dëgjuesit.
Intervistoi: Gazmend Agaj