Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansambli Popullor shfaqi për festat e nëntorit koncertin Gala “Rrok’e agimin”, në kuadër të festave të 28 dhe 29 nëntorit. Si asnjëherë më parë, vokalistët lirikë dhe ata të muzikës rock, janë bërë bashkë në këtë koncert kaq të veçantë në llojin e tij “Rrok’e agimin”. Këngët e luftës, si asnjëherë më parë, erdhën mjaft bukur të interpretuara nga artistët e rinj, vokalistët lirikë dhe ato të muzikës rock, të shoqëruar nga një formacion i madh i orkestrës së TKOB si dhe bandës së muzikës pop & rock si dhe me pjesëmarrjen e trupave artistike të Ansamblit Popullor, grupit polifonik të Lapardhasë dhe Tepelenës. Skenari i shfaqjes u shkrua nga Josif Papagjoni, me ide të Zana Çelës, njëkohësisht Drejtore e Përgjithshme e TKOBAP. Në këtë koncert Gala morën pjesë artistë të njohur si, Vikena Kamenica, Ivana Hoxha, Denis Skura, Renisa Laçka, Xhieldo Hyseni.
Të ftuar ishin artistët, Kamela Islamaj dhe Gjergji Kaçinari, me pjesëmarrjen e korit të fëmijëve.
Alban Skënderaj dhe Mirian Cani, zemër përmbi zemër
Një ndër çiftet më të njohur dhe më të dashur në skenën shqiptare, Miriam Cani dhe Alban Skënderaj, kanë publikuar projektin më të ri muzikor me titull “Zemër përmbi Zemër”.
Teksti dhe muzika është realizuar nga vetë Albani, ndërsa në videoklip transmetohet energjia pozitive, që trasnmeton çifti simpatik. Producenti i këngës është Lorenc Aliaj, ndërsa vijën melodike dhe tekstin e ka realizuar Alban Skënderaj. Dyshja e artistëve i ka besuar për veshjet dhe daljet e tyre skenike stilistjes së njohur Miranda Dupi, e cila ka një kujdes të veçantë për ta. Kujtojmë se Mariam Cani dhe Alban Skënderaj përveçse janë dy artistë të njohur janë edhe prindër të dy fëmijëve, vajzës Amelia dhe djalit Duam, ashtu si edhe dueti i dy viteve më parë të këngës “Duam”, e cila i ka kaluar mbi 30 milion klikime.
Bebe Rexha reagon ndaj çmimeve të pakta
Këngëtarja me origjinë shqiptare Bebe Rexha është një artiste, këngët e së cilës numërojnë miliarda dëgjime e klikime në platformat muzikore, por vlerësimet dhe çmimet për të janë të pakta.
Vetë këngëtarja, kur u ndalua nga një gazetar i tabloidit amerikan në “Los Angeles International Airport”, tregoi arsyen se pse kishte reaguar ditë më parë mbi ceremonitë e ndarjes së çmimeve, kur kishte përmendur faktin se si tri këngët e saj të famshme “Meant to be”, “In the name of love” dhe “Me, myself and I” janë dëgjuar nga një miliardë herë secila, por asnjëra nuk është vlerësuar me ndonjë çmim.
“Mendoj se ka të bëjë me politikë, paratë, të qenurit brend…të gjitha këto. Nuk e di, krejt çfarë di është se unë do të vazhdoj të kompozoj dhe shkruaj më të mirën që mundem”, tha 32-vjeçarja.
Përgatiti: Sava Lena