Dren Abazi është një emër i njohur i muzikës shqiptare. Ai ka mbi një dekadë që është bërë i njohur me bandën muzikore “Zig-Zag Orchestra”, një artist profesionist, kantautor, producent si dhe themeluesi i "Zig Zag Orchestra" i njohur jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, por edhe në shumë vende të Ballkanit. Pas debutimit si kitarist që në moshë shumë të re, në vitin 2008 ai krijoi bendin e tij, dhe në vitin 2011 Dren Abazi fitoi një popullaritet në Shqipëri me këngën "Ti dhe unë". Për vite me radhë ka realizuar shumë këngë të cilat janë bërë hite.
Për CMG Dreni rrëfen rreth këngës së tij të re me titullin "Hana", historitë e teksteve të këngëve, suksesi i këngës "Nata", e cila u zgjodh nga kompania hollivudiane "20th Century Fox" në vitin 2014, si pjesë e soundtrack për filmin “Let's Be Cops”, në të cilin interpretonin aktorët e famshëm, Andy Garcia dhe Nina Dobrev, gjithashtu ai na rrëfeu dhe projektet e tij në të ardhmen.
CMG: Përshëndetje Dren! Mirë se erdhe në Radio Ejani!
Dren Abazi: Kënaqësi të jem te ju!
CMG: Në shumë intervista, si në ato që kemi realizuar bashkë, por edhe në media të tjera, ti asnjëherë nuk prononcohesh për jetën tënde private. Por, a e pasqyron jetën tënde tek këngët e tua?
Dren Abazi: Ka mundësi që çdo këngë të ketë diçka nga historitë e mia jetësore, por jo domosdoshmërisht e lidhur me historitë e mia. Mund të jenë histori që kam mësuar prej shokëve, këngë që kam dëgjuar, libra që kam lexuar, ose filmat që kam parë, sidoqoftë secila këngë përmban në vetvete diçka timen. Ka edhe këngë të cilat i kam dedikuar.
CMG: Diçka më konkrete, një këngë që e ke shumë përzemër dhe që të lidh shumë me një histori të caktuar, cila është?
Dren Abazi: Është për shembull kënga “Zjarr e akull” që mendoj se është një këngë shumë intime.
CMG: Sa i takon këngës më të fundit “Hanë” ti luan me lojra fjalësh. “Hana, sonte është natë me hanë, gjithçka du është të të kem ty pranë”. I dedikohesh vetëm shkëlqimit të hënës , apo edhe ndonjë vajze me emrin Hana?
Dren Abazi: Mendoj se është një gjetje fjalësh. Edhe tek refreni është një lojë fjalësh, kjo është e bukura tek thjeshtësia që ka në vetvete ky tekst. Ndërsa fillimi i kësaj këngë është frymëzim nga “Rubairat” e Omer Kajamit.
CMG: Në Shqipëri je bërë i njohur me këngën “Ti dhe unë”, një bashkëpunim me këngëtaren Anjeza Shahini dhe i qëndrove besnik atij zhanri me të cilin të njohur publiku. Sa e vështirë është t’i mbizotërosh një tregu muzikor ku ka shumë komercialitet?
Dren Abazi: Ajo këngë u publikua në vitin 2011. Besoj se gjithçka që bëjmë ne krijuesit, jo vetëm në muzikë, por edhe në kinematografi, teatër, është gjetja e një stili, krijimi i një stili personal. Dhe është kjo që të dallon nga të tjerët e të jep identitetin tënd artistik. Unë jam ndjerë rehat me këtë muzikë që kam bërë dhe fatmirësisht kam patur publik që më ka ndjekur në koncertet që kanë qenë jo të pakta. Kjo më ka dhënë një motiv të jashtëzakonshëm për të vazhduar edhe më tej. Këtë gjë që bëj nga dashuria që kam për këtë lloj muzike dhe nuk e kam parë si kompromis për të fituar më shumë ndjekës gjatë rrugëtimit tim artistik.
CMG: Je pinjoll i një artisti shumë të njohur në Kosovë, babai yt ka qenë një ndër kitaristët më të njohur në vitet ’80. Kur e nise rrugën e artit, a ke pasur ndikimin e tij? Më ka pëlqyer një batutë e jotja e përdorur në një intervistë ku thoje: “Unë nuk jam një këngëtar që i bie kitarës, por jam një kitarist që këndoj”.
Dren Abazi: Deri vonë unë kam qenë një kitarist që kam luajtur me rrok bande të ndryshme dhe këndimin e fillova shumë vonë, ndoshta për faktin se nuk e kam parë veten si këngëtar, por me kalimin e kohës, me krijimin e teksteve të mia dhe këngëve që i kam shkruar gjithmonë vetë, mendova, ti këndoj këto krijime. Është ndryshe kur një këngëtar është edhe kantautor, pasi puna dhe gjithë produkti vjen më i plotë.
CMG: Kënga “Nata” ka qenë kolonë zanore e një filmi. Do na tregosh disa detaje për këtë eksperiencë?
Dren Abazi: Është një eksperiencë që ndoshta ndodh një herë në jetë, për të shitur një këngë si kolonë zanore të një filmi nga kompania hollivudiane “20TH CENTURY FOX“. Filmi është shfaqur në vitin 2014 dhe kënga është pjesë e soundtrack të filmit, ku në rolin kryesor ka luajtur aktori i njohur amerikan, Andy Garcia. Kjo do mbetet si një pjesë e bukur e historisë sime.
CMG: Ti je takuar me këta artistë?
Dren Abazi: Unë kam pasur fatin që të shes vetëm këngën. I gjithë procesi dhe komunikimi është bërë në mënyrë virtuale, pagesa më është bërë nëpërmjet bankës.
CMG: I ke ruajtur kontaktet me ta?
Dren Abazi: Patjetër që i kam ruajtur kontaktet, por mendoj se është diçka që nuk mund të ndodh çdo ditë.
CMG: Ti gjithashtu ke pasur koncerte prestigjoze si në Francë, Brazil etj. Na trego pak për këto eksperienca?
Dren Abazi: Të gjitha koncertet kanë bukurinë e vet në mënyrën e vet. Idea e të gjitha koncerteve apo festivaleve jashtë vendit, konsistojnë në faktin e takimit me sa më shumë njerëz dhe secili festival e hap një derë tjetër. Ke mundësi të takohesh me producentë, me kompozitorë, me artistë dhe instrumentistë të ndryshëm, ndërsa kur rri në një vend e ke të pamundur që t’i arrish. Normalisht që koncertet apo festivalet prestigjoze, të rëndësishme, janë një pjesë shumë e bukur e jetës artistike të një krijuesi muzikor.
CMG: A ke tani së afërmi ndonjë koncert apo festival prestigjoz që pret të marrësh pjesë?
Dren Abazi: Ky vit i ka ç’rregulluar të gjitha gjërat për shkak të kufizimeve nga pandemia. Mendoj se vitin e ardhshëm do të kemi aktivitete, do jem në “Ballkan Trafik” në Bruksel. Në nëntor kisha një koncert në Zyrih e kështu me radhë.
CMG: Pas mbylljes së parë nga pandemia, të kam ndjekur nëpër koncerteve të ndryshme në Kosovë, Shqipëri edhe përtej kufijve. Si ka qenë impakti me publikun?
Dren Abazi: Mund të them se vera e këtij viti ka qenë e jashtëzakonshme. Njerëzit kanë qenë të etur për të parë koncerte, për t’u takuar me njerëz, për t’u shoqëruar me njëri- tjetrin. Kjo ka qenë dhe arsyeja pse njerëzit kanë qenë të shumtë, dhe jo vetëm në koncertet e mia. Për mua ka qenë një gjë shumë e bukur, që pas një pauze të gjatë t’i ktheheshim normalitetit. Është diçka që ne të gjithë e duam.
CMG: Cili ka qenë ai koncert që të ka dhënë më shumë sadisfaksion gjatë gjithë karrierës tënde artistike?
Dren Abazi: Ka shumë momente të bukura, siç ka edhe momente jo të bukura. Ndoshta koncerti me rastin e 10 vjetorit të karrierës, realizimi i një turi koncertesh në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe në Mal të zi, ka qenë diçka që më ka përmbushur si artistikisht, ashtu edhe shpirtërisht.
CMG: Sa i takon materialeve të reja, ke në plan të sjellësh ndonjë këngë të re?
Dren Abazi: Kjo është një punë që nuk duhet ta ndalojmë. Nëse e ndalojmë atëherë humbasim gjithçka. Njerëzit harrojnë shumë shpejt sa i takon këtij profesioni. Mund t’ju them se do ketë shumë shpejt një këngë të re, e cila do vijë me videoklip, pasi në kohët e sotme një këngë e re nuk mund të shkojë pa videoklipin.
CMG: Ti i krijon vetë këngët e tua, por cila është muza e frymëzimit tënd?
Dren Abazi: Unë nuk besoj në këtë muzën klasike të frymëzimit, absolutisht jo. Idea e krijimit, e kompozimit të një vepre qoftë ajo një vepër klasike apo një pjesë teatri apo një regji filmi, një skenar, është rezultat i një procesi ku ti me konsistencë e bind veten se do të shkruash diçka. Kjo është një punë si çdo punë tjetër, duhet ta kërkosh gjithmonë, gjithçka brenda vetes, për të nxjerrë atë rezultat që kërkon në fund. Një talent nëse nuk shfrytëzohet, ngelet në vend, thjesht një talent.
Intervistoi: Sava Lena