Petrit Berisha është këngëtar i njohur i muzikës popullore dhe prej më shumë se tre dekadash ka interpretuar këngët popullore qytetare beratase. Në karrierën e tij muzikore ai numëron qindra këngë dhe disa albume muzikore, kryesisht me këngë qyetare beratase, por edhe të trevave të tjera të Shqipërisë. Petriti ka qenë pjesëmarrës në disa prej festivaleve të këngës popullore, duke përfaqësuar qytetin e tij, Beratin. Bashkë me grupin popullor të Beratit Petriti ka dhënë koncerte në vende të ndryshme të botës. Në një intervistë për CMG ai na tregon për aktivitetin artistik si dhe projektet muzikore në të ardhmen.
CMG: Si ndjeheni ju si artist në këtë shkëputje të gjatë nga skena për arsye të pandemisë?
Petrit Berisha: Kjo pandemi na ka larguar shumë nga aktivitetet artistike si brenda ashtu edhe jashtë vendit edhe pse këto muajt e fundit sikur kanë nisur nga pak koncertet. Shpresojmë që kjo situatë mos të zgjasë shumë dhe t’i kthehemi jetës normale dhe aktiviteteve muzikore gjithashtu.
CMG: Ju ka munguar publiku gjatë këtyre dy viteve të vështira?
Petrit Berisha: Sigurisht që publiku na ka munguar shumë sepse pa pjesëmarrjen e publikut dhe aktivitetet nuk kanë kuptim. Publiku të vlerëson dhe të jep emocione të papërshkrueshme, duke të bërë që të ndjehesh mirë në skenë.
CMG: Gjatë karrierës suaj muzikore ju i keni kushtuar disa kengë qytetit të Beratit. Si janë pritur keto materiale muzikore?
Petrit Berisha: Beratit i kam kushtuar shumë këngë dhe publiku i qytetit të Beratit i ka pritur shumë mirë të gjitha këto materiale muzikore. Berati ka kënga shumë të bukura dhe i këndohen në qytete të ndryshme të vendit si Tiranë, Elbasan, Fier deri në Kosovë. Unë gjithmonë krijoj këngë për qytetin tim të lindjes.
CMG: Cilët janë këngët që ju keni publikuar kohët e fundit dhe si janë pritur nga publiku?
Petrit Berisha: Këngët që unë kam publikuar kohët e fundit janë, “Kur vjen miku në Berat”, “I këndoj qytetit tim”, të cilën e kam kënduar bashkë me djalin tim. Këto këngë janë pritur vërtetë shumë mirë nga publiku dhe unë jam i kënaqur që ky publik i mrekullueshëm na do gjithmonë.
CMG: Kush janë bashkëpunëtorët tuaj më të afërt në realizimin e materialeve muzikore?
Petrit Berisha: Disa nga bashkëpunëtorët në realizimin e këngëve të mia janë, kompozitori i mirënjohur Edmond Rrapi, Fatbardh Dervishi, Fatmir Lela, Albert Sula. Të gjithë dua t’i falenderoj për bashkëpunimet që kemi pasur dhe me të vërtetë janë pjesë e suksesit tim artistik.
CMG: Muzikën e ka trashëguar dhe djali juaj. E kishte pasion vetë muzikën, apo e keni nxitur ju?
Petrit Berisha: Djali im ka pasur dëshirë që kur ishte i vogël që të angazhohej në aktivitetet muzikore dhe unë prandaj e kam mbështetur në këtë rrugë. Uroj që të bëhet një këngëtar i mirë sepse vërtetë e ka pasion këngën popullore.
CMG: Çfarë projektesh keni së shpejti në fushën e muzikës?
Petrit Berisha: Së shpejti kemi një koncert me grupin e muzikës popullore të Beratit. Gjithashtu kam dhe një projekt muzikor, të cilin jam duke e punuar në studio dhe shumë shpejt do të publikohet në kanalin YouTube.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani
Petrit Berisha: Përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani dhe të emisionit Bio Folk, duke ju uruar shëndet dhe çdo të mirë në jetë.
Intervistoi: Gazmend Agaj