Këngëtarja Elvana Gjata lindi më 3 shkurt të vitit 1987 në Tiranë. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Arteve në degën e regjisë. Rruga e saj artistike ka filluar që fëmijë, me debutimet e para në Festivalin e Zërave të Rinj ku është vlerësuar me çmimin e tretë, me këngën "Të këndojmë së bashku". Ka marr pjesë në spektaklin "Kërkohet një yll" dhe në interpretimin e këngëve të këngëtares së njohur italiane Laura Pausinit doli në finale.
E nxitur nga i ati ajo mori pjesë në edicionin e parë të spektaklit, "Ethet e së premtes mbrëma". Elvana Gjata një vajzë e këndshme, me një paraqitje të admirueshme skenike, por edhe me zërin e saj të ëmbël fitoi menjëherë simpatinë e publikut. Fati e ndoqi kur ajo u përzgjodh në dhjetë finalistët e spektaklit "Ethet e së premtes mbrëma", i cili i hapi dyert e suksesit, në rrugën e profesionalizmit muzikor. Pas këtij spektakli, emri i Elvana Gjatës u bë shumë i njohur. Filloi menjëherë bashkëpunimet me emra të njohur të muzikës shqiptare. Si fillim erdhi në një duet me solistin e grupit "The Dreams" në "Maratonën e këngës popullore" ku arritën të shkonin në finale. Elvana u spikat edhe në interpretimin e këngëve popullore.
Elvana Gjata në spektaklin - Ethet e së premtes (Facebook)
Një bashkëpunim i suksesshëm ka qenë me kantautorin Flori Mumajesi me këngën “Kuq e Zi”, e cila mori mijëra klikime në vetëm 1 ditë, këngë me temë patriotike, e cila ka shërbyer si himn i kombëtares Shqiptare gjatë ndeshjeve të Euro 2016.
Në vitin 2003 Elvana mori pjesë përkrah emrave të njohur të muzikës shqiptare, në festivalin e RTSH-së me këngën "Pranë teje", me një tekst të shkruar nga ajo vetë, ku dhe realizoi ëndrrën e saj në atë kohë.
Sukseset e ndoqën më pas me pjesëmarrje në disa edicione të festivalit “Kënga Magjike", ku këngët e saj pushtuan majat e hit-paradeve në Shqipëri. Në vitin 2007 ajo këndoi "Ku jeton dashuria ime" me kompozim të Flori Mumajesit dhe tekst nga Aida Baraku, ku fitoi çmimin e tretë. Në të njëjtin festival në vitin 2009 me këngën "Dhe zemra ddal", sërish kompozim i Flori Mumajesit, Elvana u pozicionua në vendin e dytë. Motra e saj më e madhe Migena, një artiste e talentuar e cila pas studimeve për kanto vazhdoi suksesshëm jetën e saj artistike jashtë vendit, e nxiti Elvanën për të vazhduar më tej. Ishte ajo që e zbuloi si këngëtare, por duke e inkurajuar gjithmonë për të marr pjesë në konkurse apo spektakle të ndryshme televizive, si "udhëheqësja e saj artistike".
Migena dhe Elvana Gjata (Facebook))
Në vitin 2012 Elvana Gjata përfaqësoi Shqipërinë në “Ballkanika Music Award” dhe aty mori çmimin “Best Video”. Në të njëjtin vit Elvana publikoi një videoklip të ri me frymën dhe atmosferën e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë me titull “Gjaku im”. Kënga u prit mjaft mirë nga publiku mbarëkombëtar.
Elvana Gjata gjatë karrierës së saj artistike ka punuar fort me materialet muzikore, duke zgjedhur për bashkëpunim tekstshkruesit dhe kompozitorët më të mirë. Pjesëmarrëse në Festivalin e RTSh-së dy vite më parë, ajo u pozicionua në vendin dytë me këngën “Me tana“. Elvana Gjata ka realizuar disa albume muzikore, por albumi i fundit me titull “Çelu” është tejet i veçantë, këngët e të cilit janë realizuar të gjitha me videoklipe. E veçanta e këtij albumi është kënga e fundit me titullin “Vendi im”, në duet me motrën e saj Migena.
Elvana vazhdon të jetë një nga këngëtaret më të pëlqyera të publikut shqiptar dhe këngët e saj sapo publikohen, marrin menjëherë shumë klikime. Përveç këngës ajo shumë sukses ka pasur edhe si aktore, ku kulmi i suksesit ishte në filmin “2 gisht mjaltë”. Sipas prononcimeve të miqve të saj, Ermal Mamaqi dhe Valdrin Sahiti, sot ajo konsiderohet si një nga këngëtaret dhe aktoret më të paguara shqiptare.
Përgatiti Sava Lena