Lumturije Nonaj nga Shkreli i Malësisë së Madhe është e vetmja rapsode në Shqipëri, që përdor lahutën, këtë instrument të lashtë muzikor, që në traditën popullore përdorej vetëm nga burrat. Lumturija është pjesë e një familje të njohur rapsodësh, që brez pas brezi kanë luajtur në lahutë.
CMG: Emri juaj flet për gjendjen tuaj çdo ditë?
Lumturije Nonaj : Emrin ma ka vendosur familja dhe mendoj që po jam. Por do isha shumë e lumtur nëse do kisha edhe shoqe të tjera që të luajnë në lahutë.
CMG : Sa vite keni ju që luani në lahutë?
Lumturije Nonaj: Unë luaj në lahutë prej shumë kohësh dhe mund të them që qëkurse kam qenë fëmijë kam pasur mundësinë për të luajtur në të. Me kalimin e kohës unë kuptova që duhet të kthehet tashmë në një profesion. Nisa më pas të marr pjesë në festivale sepse mendova që do të ishte diçka thjesht për ta trashëguar këtë gjë, por jo.
Unë vërtet isha e vetmja vajzë në familje, por theva paragjykimet dhe mendoja " Pse mos t’i bie edhe unë si djemtë lahutës"!
CMG: Si ka qenë fëmijëria juaj, e mbani mend?
Lumturie Nonaj: Ka qenë e gëzueshme sepse jam rritur në djepin e kulturës. Nuk ka pasur një ditë në familje që mos luhej muzikë edhe pse mund të kishim halle ne nuk e linim pas muzikën. Fëmijëria ime vërtet ka qenë si muzikë.
CMG: Cilat janë momentet më sfiduese për ju vetë ?
Lumturije Nonaj: Momente sfiduese patjetër që ka pasur, nuk mund të them që kundërtën. Janë kapërcyer, por kujtoj që kam pasur nevojë që edhe unë të merrja pjesë në aktivitete apo konkurse dhe pamundësia apo edhe terreni i vështirë nuk ma mundësonte. Po ndaj me ju një sekuencë të jetës sime. Binte dëborë tepër e madhe dhe ishin bllokuar të gjithë në fshat. Unë kisha për të shkuar në koncert dhe mbaj mend që është anuluar koncerti prej meje. Shtyrja e datave për të shkuar unë ishte emocionuese.
CMG: Cilët janë njerëzit që të kanë qëndruar më pranë?
Lumturije Nonaj : Familja patjetër. Ata kanë qenë aty gjithmonë që unë kam pasur nevojë për ta dhe kanë investuar tek unë. I mposhtën të gjjtha paragjykimet që shoqëria kishte që unë mos te vazhdoja t’i bija lahutës, sepse isha femër. Të gjithë bashkë nëpër festivale!
CMG: Si ndiheni që jeni e vetmja femër që vijon ende të luash në lahutë?
Lumturije Nonaj : Nuk më pëlqen të jem e vetmja. Do doja të kishte edhe gra të tjera. Unë po trashëgoj atë që familja ka lënë për mua dhe do më gëzonte shumë nëse do kishte edhe gra të tjera që do ta vazhdonin.
CMG : Lumturije, babai juaj çfarë mendimi ka pasur?
Lumturije Nonaj : Në shi, verë apo dëborë ata më kanë mbështetur. Ti duhet të arrish majat, ky ishte mesazhi që më thoshte.
Para se ai të nderronte jetë ka thënë " Ti mos e ler lahutën dhe na ndero brez pas brezi "
CMG : Cilat janë mësimet që jeta të ka diktuar?
Lumturije Nonaj : Që të luash muzikë nuk do të thotë që do ta bësh këtë vetëm për para. E kam bërë këtë punë për meritë dhe trashëgimi dhe jo për leke. Nuk më pyet askush sa para merr, por si dole dhe si u ndjeve. Nuk më mërzit vlerësimi monetar, ndërsa ai i kombit dhe trashëgimise po!
CMG : Një mesazh për gratë që mund t’i bihen lahutës, por mund të paragjykohen?
Lumturije Nonaj: Dikur edhe mua më paragjykonin tepër, por me kohën çdo gjë kalon. Nuk ka asnjë gjë për të pasur turp! Është një instrument i bukur dhe i përshtatshëm edhe për ato.
Artistëve ju them hajdeni pas meje!
Intervistoi: Megi Latifi