Këngëtarja Arilena Ara zgjodhi sheshin “Skënderbej” për të prezantuar albumin e saj “Pop Art”, ku performoi live me një super koncert, mbrëmjen e 19 nëntorit. Këngëtarja solli për publikun e gjerë këngët e albumit të saj më të ri “Pop Art” në këtë recital, i cili u ndoq kolegë, miq, por dhe adhuruesit e saj ndërsa interpretonte live bashkë me artistët e ftuar si, Noizy, Wendy dhe i ftuari special i mbrëmjes, artisti shqiptar Gjon Muharremaj i njohur si Gjon’s Tears, me të cilin ajo ka bashkëpunuar për këngën “Dance Me”.
Koncerti përshfaqi një atmosferë dhe skenografi ku nuk munguan efekte e flakëve, dritave si dhe performanca e grupit të baletit, që shoqëronte këngëtaren. Në postimin e saj në rrjetet sociale Arilena Ara ka shkruar: “Pop Art” Festival në zemër të Tiranës, nën dritën e hënës me eklipsin më të bukur ndër shekuj! Me bekimin tuaj, ishte mbrëmja më e paharrueshme e jetës sime!”
Kujtojmë se kohët e fundit, Bashkia e Tiranës ka qenë mbështetëse për artistët të cilët kanë prezantuar albumet e tyre muzikore, duke sjellë ndihmesën e saj për koncerte recitale të këngëtarëve, si dhe duke zhvilluar aktivitete të shumta kulturore dhe artistike.