Selajdin Miftari është këngëtar i njohur shqiptar nga Maqedonia e Veriut dhe muzika ku identifikohet më shumë është ajo popullore moderne dhe popullore rapsodike. Shumë hite të bukura të melosit shqipar janë realizuar pikërisht nga ai, albume të panumërta e që vazhdon të jetë aktiv në skenën shqiptare edhe pse kanë kaluar shumë vite që nga dalja e tij e parë. Selajdin Miftari vjen në një bisedë për Radio Ejani për të treguar më shumë rreth karrierës së tij muzikore.
CMG: Përshëndetje z. Miftari dhe është kënaqësi që jeni i ftuar në Bio Folk.
Selajdin Miftari: Kënaqësia është e imja që ju kemi juve mysafir këtu në Shkup.
CMG: Ju keni një karrierë të gjatë muzikore dhe dy vitet e fundit jeni dhe pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në Maqedoninë e Veriut. Si jeni ndjerë këto dy vite si pjesëmarrës i këtij ansambli?
Selajdin Miftari: Jam shumë i lumtur që u krijua ansambli, të cilin e kemi ëndërruar prej shumë vitesh. Unë jam në skenë që prej vitit 1969, në atë kohë isha vetëm 9 vjeç kur dola për herë të parë në festival duke kënduar në skenë. Pastaj kam vazhduar gjatë gjithë karrierës time dhe vazhdoj të kontribuoj në shoqëri amatore, por me formimin e ansamblit tonë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, falë kontributit tim të gjithanshëm, jo vetëm në larminë e muzikës, por dhe në kulturë, e gjeta veten në mjedisin e artistëve të rinj. Nuk është inovacion që ta them unë, por ne kemi performuar në shumë vende këtu në Maqedoninë e Veriut, por dhe koncerte jashtë vendit tonë. Vitin e kaluar na mbeti Shqipëria pa pjesëmarrje, por besoj se këtë vit do të vijmë dhe në Shqipëri dhe të japim ndonjë koncert që të na njohin nga afër edhe publiku i Shqipërisë.
CMG: Cili është mendimi juaj për krijimin e këtij ansambli?
Selajdin Miftari: Krijimi i këtij ansambli është diçka e mirë sepse përcillet kultura jonë nga brezi në brez, duke na ndihmuar edhe institucionet tani. Unë kam punuar shumë gjatë gjithë karrierës sime duke marrë pjesë në ansamble amatore për të ruajtur folklorin tonë burimor, mirëpo tani kemi dhe mbështetjen e institucioneve shtetërore në të cilën dhe puna jonë bëhet më e lehtë. Unë mendoj se do të bëhet më mirë për brezin e ri, sepse ne jemi ata që do të përcjellim rrugën e artit përmes ansamblit tonë.
CMG: Gjatë gjithë karrierës suaj muzikore sa këngë apo albume keni realizuar?
Selajdin Miftari: Fillimisht unë jam zgjuar me këngët e artistave tanë të mëdhenj si Qamili i vogël, Bik Ndoja, Masllum Mezini, Shyqyri Alushi, në repertorin e këngëtarëve shumë të mëdhenj që kanë lënë vepra të mëdha dhe që kurrë nuk vdesin në folklorin shqiptar. Pastaj fillova të krijoj këngë në moshë shumë të re, në klasën e tretë të shkollës fillore fillova të krijoj këngë të miat dhe me ndihmën e mësuesëve të muzikës. Gjithashtu dhe në shkollën e mesme vazhdova me profesor të gjuhës dhe lëtërsisë tonë, ku gjithmonë kam qenë në prehrin e tyre, duke kërkuar korigjime dhe sugjerime në karrierën time. Unë kam rreth 250 këngë të miat, vjersha këngësh dhe kam realizuar 12 albume muzikore. Në këto albume kam përfshirë këngë popullore, por edhe këngë folklorike, sidomos me humor dhe satirë.
CMG: Çfarë mund të na tregosh në lidhje me bashkëpunimin me artistin Qamili i vogël?
Selajdin Miftari: Unë Qamilin e vogël e kam pasur ëndërr që ta takoj ndonjëherë, kur isha i ri. Disa kolegë të cilët ishin më të rinj se unë kishin marrë guximin dhe kishin shkuar të vizitonin Qamilin e vogël. Ndërkohë që unë nga modestia nuk e kisha marrë guximin që të shkoja, por unë bëra një emision me shoqërinë “Besa” në Prizren ku bëmë regjistrime të disa këngëve të reja dhe ai kishte dëgjuar këngën time në Radio Prishtina dhe përmes zërit kishte kërkuar adresën time dhe ka ardhur dhe më ka gjetur mua këtu në Shkup. Në atë kohë unë jetoja në fshatin tim të lindjes ku edhe tani më shumë jetoj atje sesa këtu në qytet, sepse dhe ajri është më i mirë. Në takimin e parë që bëmë në shtëpinë time ai më tha që të bashkëpunoj më të. Unë rrënqethesha prej gëzimit që e takova dhe jo më të bashkëpunoj me atë, dhe filluam bashkëpunimin së bashku. Unë i kam të gjitha këngët e tij në zemrën time dhe i këndoj shumë bukur këngët e Qamilit të vogël. Këtë vit organizohet përvjetori i tij ku jam i ftuar dhe unë me dy këngë dhe jam shumë i lumtur që do të marr pjesë në atë koncert gala.
CMG: Do të kishit dëshirë të bashkëpunoni dhe me këngëtarët e muzikës popullore të Shqipërisë?
Selajdin Miftari: Patjetër që po. Ne kemi bashkëpunuar dhe më përpara me artistët e Shqipërisë, sidomos deri sa ka qenë gjallë Bik Ndoja unë kam shkuar dhe e kam vizitur dhe i dëgjoj shumë këngët e tij. Gjithashtu edhe me Shyqyri Alushin kam ndenjur dhe kemi shkëmbyer shumë mendime, duke më ndihmuar shumë gjatë krijimit të këngëve të mia.
CMG: Si ndjeheni kur këndoni këngët e këtyre artistëve të mëdhenj?
Selajdin Miftari: Kur kam filluar të këndoj këngën e Qamilit të vogël para tij, më tha se më kishte dëgjuar këngët e mia në radio, por më pyeti se a dija ti bija ndonjë instrumenti. Unë ju përgjigja se dija dhe mora sharkinë dhe fillova duke kënduar këngën e parë të tij që titullohet “Ka vera të rashë me të pa”. Kur nisa me kënduar këngën, ai filloi të qante dhe unë emocionohesha dhe më shumë dhe më mirë ja thosha këngës. Gjithashtu ai më tha: “Selajdin unë po të kem zërin tënd dhe ashtu siç di unë me e përdor, veç dy orë më kishte njohur krejt bota”.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani si dhe adhuruesit e këngëve tuaja.
Selajdin Miftari: Faleminderit shume dhe përshëndes të gjithë audiencën tuaj dhe adhuruesit e këngëve të mia, duke ju thënë që të dëgjojnë këngë shqip sepse melosi yni është i pashtershëm dhe shumë i begatë.
Intervistoi: Gazmend Agaj