Ervis Saliasi lindi në qytetin e Beratit ku është angazhuar që fëmijë me aktivitete të ndryshme artistike. Instrumenti i pianos ka qenë dashuria e tij më e madhe, të cilën e nisi në moshën 9-vjeçare. Kur filloi të ndiqte kursin e pianos, nisi dhe dëshira për të eksploruar në fusha të ndryshme të artit si, aktrimi, kanto, kitara etj. Kur konkuroi për herë të parë në spektaklin e talenteve të reja në “The Voice of Albania 4” në moshën 18 vjeçare nuk arriti të përzgjidhej, por me dashurinë e madhë për artin, punën dhe këmbënguljen e tij, i mori për bazë këshillat e mentorëve, dhe dy vite më pas ai u përzgjodh ne audicionet e spektaklit të talenteve të reja “The Voice of Albania 6” .
Ervis Saliasi në spektaklin e humorit -Kosherja (Foto Instagrami)
Ervis Saliasi ka përfunduar studimet në Universitetin e Arteve në degën regji teatri dhe po korr frytet e suksesit të tij me paroditë që realizon në spektaklin e humorit “Kosherja”. Ai interpreton live me bandën e tij muzikore “Aba Band” dhe së shpejti do të sjellin një këngë të re. Përveç këngës dhe humorit, Ervisi po angazhohet me shfaqje të ndryshme dhe plani i tij më i afërt është shfaqja me atmosferë Kritlindjeje, e cila do të vihet skenë në muajin janar në Teatrin Eksperimental, me skenar dhe regji nga Ervis Saliasi.
Ervis Saliasi në intervistë për CMG
CMG: Ervis, ti je i njohur për paroditë që realizon në spektaklin "Kosherja", aty ku ke shpalosur talentin tënd në aktrim dhe muzikë. Por ti ke qenë konkurent në vitin 2017 në spektaklin e talenteve të reja “The Voice of Albania”. A mund të na tregosh dashurinë për muzikën dhe humorin?
Ervis Saliasi: Unë e kam nisur karrierën time artistike me muzikën, kur mora mësimet e para për piano në moshën 9-vjeçare, pasi doja të bëhesha pianist. Vite më vonë mësova se kisha shumë pasione në lidhje me artin si aktrimi, teatri, poezia, recitimi, pra doja të bëja humor, gjithashtu kantoja më pëlqente shumë, si dhe instrumenti i kitarës. Nga klasa e tretë deri në të nëntën i ushtrova të gjitha këto kurse për 5 vite me radhë. Në periudhën e gjimnazin fillova t’i ushtroja në mënyrë autodidakte, të aktivizohesha me aktivitete në shkollë dhe aty kuptova se e gjitha kjo më jepte një energji shumë pozitive dhe mendova pse mos vazhdoja t’i ushtroja të gjitha këto gjëra të bukura gjatë gjithë jetës time.
CMG: Kanë qenë prindërit që të kanë drejtuar drejt artit, apo ke qenë ti që ke insistuar?
Ervis Saliasi: Unë jam nga Berati dhe tek shtëpia e gjyshes kisha një piano lodër, që e kam në foto të memorizuar, të cilën e merrja në drekë dhe në mënyrë të çuditshme shihja atë puhizën e lehtë që frynte, shihja gjethet që lëviznin dhe përpiqesha që të improvizoja ndonjë muzikë, e cila kuptohet që ishte stonaturë e gjitha, por gjithsesi unë luaja në piano. Nëse të gjithë fëmijët kërkonin lodra, unë kërkoja instrumenta muzikorë, por kryesisht zgjidhja lodra të cilat kishin si bazë tastierën e pianos. Kjo gjë e nxiti mamanë time që të më regjistronte në kursin e pianos. Dhe kjo ishte porta për t’u dashuruar me çdo gjë që ka lidhje me artin, madje e kam dashur edhe pikturën, por aty dështova (qesh).
Ervis Saliasi me grupin e tij (Foto nga Instagrami)
CMG: Kur ke luajtur në një piano të vërtetë?
Ervis Saliasi: Kam qenë në moshën 10 vjeçare kur kisha një piano mësimore, jo profesionale me të cilën punova për 3-4 vite derisa mora një tjetër. Krijoja një lidhje empatike me instrumentin që merrrja, madje pianon e parë e kam edhe sot sepse e konsideroj si një gjë që më tërheq shumë shpirtërisht. Të ndjekësh një profesion që fëmijë dhe ta vazhdosh derisa jeta të të thotë “mos e bëj më”, kjo mendoj se është një kokëfortësi e lindur. Mirë është ta nxitësh fëmijën drejt një instrumenti sepse është kulturë, por nëse nuk e ka me dëshirë nuk vlen këmbëngulja. Nëse e ka të lindur fëmija arrin që ta bëj të vetin një talent të caktuar.
CMG: Cila ka qenë pjesa e parë e luajtur në piano dhe humori i parë që ke bërë? Përpara kujt ke interpretuar?
Ervis Saliasi: Pjesa e parë në piano me publik ishte në një koncert të fundvitit në qytetin e Beratit, ku vinin të gjithë fëmijët e mbrëmjeve qëndrore, kështu quhej dhe merrin dhurata pas atij koncerti. Kur isha në klasën e parë u mërzita që nuk shkova tek ajo mbrëmje dhe kur shkova në klasë të tretë mora pjesë në atë koncert si pianist ku kam luajtur “Santa Lucia”. Në javë rresht më filloi emocioni sepse ishte hera e parë që luaja për publikun ku ishin diku tek 600 persona në sallë. Një vit më pas fillova kursin e kantos dhe mora pjesë si këngëtar dhe pianist, për të vazhduar me festivalin e fëmijëve në qytetin e Beratit. Sa i përket aktrimit, unë kam interpretuar gjithmonë. Sa herë që më vinin miq në shtepi dilja para televizorit dhe interpretoja dhe kjo ka nisur që në moshën 5 vjeçare. Kur isha në shkollë recitoja dhe në klasën e tretë mora pjesë në një koncert të fjalës artistike ku edhe pse isha konkurrenti më i vogël fitova çmimin e tretë. Kjo më ka motivuar shumë që ta vazhdoj këtë pjesë, madje aty ku ndiqja kurset ishte dhe kursi i estradës, ku ka qenë aktori i ndjerë Ylli Mestani, me të cilin kam punuar. Kjo më dha një energji shumë të mire, të bëja njerëzit për të qeshur, kjo më nxiste që të punoja më shumë të nesërmen dhe e gjitha kjo është një energji që transmeton dhe e merr në fund nga publiku, në këtë mënyrë mund ta mbash gjallë krijimtarinë.
Ervis Saliasi me Bandën e tij (Foto Instagrami)
CMG: Ti ke filluar që në moshë të vogël të luash në instrumentin e pianos, rrugës vazhdove kanton dhe suksesin e arrite me aktrimin. Cilës prej të trejave ia di më shumë për nder?
Ervis Saliasi: Kur u paraqita në audicionin e spektaklit “Kosherja” jam paraqitur me një parodi që i përfshin të gjitha dhe këtu nuk i ndaj dot, është si të kesh disa fëmijë dhe nuk i ndan dot se cilin do më shumë, madje dhe regjia është pjesë e pandashme e imja, është dashuri e njëjtë.
CMG: Çfarë kujton nga eksperienca e “The Voice of Albania”?
Ervis Saliasi: Është shumë interesante, kur mora pjesë për herë të parë isha 18 vjeç dhe në juri ishin Genc Salihu, Elsa Lila, Alma Bektashi dhe Sidrit Bejleri. Dy të fundit i kishin zgjedhur grupet e tyre dhe kishin mbetur të zgjidhnin vetëm Elsa ose Genci. Ky i fundit më thotë “Nuk ki detaj” dhe me thënë të drejtën këshillat e Gentit ishin të vlefshme sepse më bën shumë punë, pasi kur fillova të merresha me muzikë live këshillat e tij më ndihmuan për të ecur përpara dhe pas dy viteve unë u riktheva në “The Voice” thjesht për ego dhe u zgjova në skuadrën e Rona Nishliut. Gjatë kohës ku punoja te “Kosherja” ishim të ftuar në programin “Soire” ku aty u hasa sërish me Genc Saliun dhe këndova një parodi, më pas ju drejtova Gencit me të qeshur: “Po tani, a kam detaj”? Dhe ka qenë fiks pas gjashtë vitesh kur Genti më tha: “Po plak, ki detaj” (qesh). Më pas këndoi Genti një këngë dhe unë isha në rolin e jurisë. Dua të them që çdo gjë të kthehet ashtu si e do, por vetëm duhet të punosh fort.
CMG: Ndërkohë që janë të radhë artistët e kompletuar në skena që bëjnë gjithçka vetë, interpretojnë në instrument, këndojnë dhe aktrojnë. Si lindi kjo ide për të bërë gjithçka vetë, si një paketë?
Ervis Saliasi: Ishte e vetmja gjë ku mund t’i mblidhja së bashku të gjitha pasionet e mia, plus që unë parodinë e kam pasur shumë qejf sepse mendoj se është e vetmja formë që duke qeshur, duke shijuar muzikën merr ato mesazhe që godasin fenomene apo vese të njerëzve, situatave të ndryshme. Kjo ka qenë e vetmja mënyrë për ta sulmuar çdo ves apo fenoment me gjithë arsenalin që ke. (Qesh)
CMG: Ti interpreton me këngëtarë të njohur në skenë. Sa kohë të duhet për ta studiuar mirë një këngë të caktuar për ta sjellë më pas si parodi?
Ervis Saliasi gjatë spektaklit Kosherja (Foto Instagram)
Ervis Saliasi: Kam relativisht shumë vite që merrem me muzikë live dhe e kam shumë të thjeshtë që një këngë të artistëve të ndryshëm ta bëj timen për 2 minuta. Ndërsa për ta përshtatur në parodi ky është një bashkëpunim me skenaristen e spektaklit “Kosherja”, Benada Mulla ku së bashku fillojmë punën dhe ndoshta brenda ditës e realizojmë.
CMG: Shumë sukses ka pasur parodia me këngën “ Ku është dashuria” të cilën e solle në bashkëpunim me Mariza Ikonomin. Po për ty cila është?
Ervis Saliasi: Kjo është një këngë e Mariza Ikonomit, të cilën njerëzit kishin vite pa e dëgjuar dhe duke u sjellë në këtë mënyrë u pëlqye shumë nga publiku, por kam pasur shumë bashkëpunime të tjera me këngëtarët, Era Rusi, Genc Salihu, Elton Deda, Redon Makashi etj. Madje dhe artistët me të cilët ne kemi bashkëpunuar këtë sezon si Bujar Qamilin, Erik Lloshi, Kamela Islamaj, Albina Kelmendi dhe të gjitha këto bashkëpunime kanë qenë shumë të frytshme, shumë të suksesshme.
CMG: Ervis, ti tek cili zhanër muzikor e sheh veten?
Ervis Saliasi: Unë i kam shumë qejf baldat sepse edhe zëri im i përshtatet, por nuk e dija që mund të isha një rroker i mirë, të cilën e kam vërtetuar në një koncert me mikun tim Eni Picallin, i cili ka marrë nismën e “Teatrit Magjik”, një koncert i cili u bë në muajin korrik të këtij viti me artistët e ftuar Aleksandër Gjoka, Redon Makashin dhe Era Rusi dhe isha bashkë me grupin tim të live-t, “Ado Band” ku e kemi djegur skenën e Amfiteatrit me këngët e njohura të grupit Elita 5. Ka qenë një energji shumë pozitive, gjithashtu më pëlqen dhe muzika regge.
CMG: Ti ke një bandë muzikore, Do na tregosh më tepër për këtë grup?
Ervis Saliasi: Ne kemi pasur koncerte në Tiranë, Ulqin, ku kemi interpretuar në lokale dhe resorte të ndryshme kudo. Repertoni ynë ka larmi rrymash, ndër to edhe popullore. Mendoj se çdo këngëtar më parë duhet të njohë mirë identitetin e muzikës nga vjen dhe unë duhet t’i marr të gjitha shijet dhe energjitë që më falin të gjitha këngët për t’i përcjellë më pas në publik.
Ervis Saliasi në spektaklin- Kosherja (Foto Instagrami)
CMG: A ke filluar me përgatitjen për programet e festave të fundvitit?
Ervis Saliasi: Po merrem me një shfaqje për fëmijë sa i takon atmosferës së Krishtlindjes, e cila do të jepet më 4 dhjetor në Teatrin Eksperimental. Është një shfaqje të cilën e kam shkruar vetë dhe kam gjithashtu regjinë e saj. Kjo shfaqje është një dedikim edhe për nipin tim, i cili padiskutim që do vijë dhe do jetë spektaori im i parë aty. Më ka kapur një entuziazëm sepse nuk dua të gaboj në asgjë, dua që kjo shfaqje të jetë perfekte pasi është dhe dedikim. Ky është një ndër planet, ndërkohë jam duke punuar edhe për një Stand up- komedi, ku do të ketë edhe parody. Nuk dua të jap detaje për këtë gjë, por është në plan që të bëhet këtë vit në muajin dhjetor.
CMG: Ku do të të shohim natën e ndërrimit të viteve?
Ervis Saliasi: Nata e vitit të ri do më gjejë në televizionin Abc në transmetimin e programit special për vitin e ri, ndërsa natën e 31 dhjetorit do jem me grupin tim muzikor, ku sigurisht që do të ketë edhe Stand Up, do ketë dhe parodi si dhe muzikë shumë të mire ku unë do të performoj live me grupin tim, por nuk e kam vendosur ende se ku.
CMG: Diçka tjetër që do të doje të shtoje?
Ervis Saliasi: Kam në plan që së shpejti të sjell këngët e mia për publikun e gjerë, të cilët kanë nisur t’i kërkojnë ngaqë më kanë parë parodist, këngëtar me covera, si regjisor, dhe tani mendoj se ka ardhur momenti që të vij me këngët e mia, të cilat do vijnë shumë shpejt.
CMG: Të uroj shumë suksese në gjithçka ti realizon!
Ervis Saliasi: Shumë faleminderit! Ishte kënaqësi!
Intervistoi: Sava Lena