Ilir Shaqiri shkollën e baletit e filloi në moshën 10-vjeçare. Nuk kishte shumë dëshirë për të ndjekur këtë shkollë, pasi si të gjithë djemtë donte më shumë të merrej me futboll, por prindërit e tij të dy balerinë e nxitën të realizonte ëndrrën e tyre. Iliri nisi kështu udhën e vështirë të baletit, e cila kërkon shumë punë, sakrifica për më tepër në një kohë kur kushtet ishin të pakta.
Pas vitit të pestë të studimeve Iliri filloi ta donte baletin, Tashmë ndjehej i sigurtë dhe kishte fituar pavarësi, ndaj kishte dëshirë për ta demonstruar talentin e tij. Në shkollën e baletit hynin 20 persona dhe çdo tre muaj kishte provime seleksionuese. Nëse studentët nuk e kalonin provimin ata nuk kishin të drejtë të vazhdonin shkollën e baletit, por mund të vazhdonin një shkollë tjetër.
Balerini Iliri Shaqiri ka spikatur në Shqipëri në vitet e para të karrierës së tij, por ai u bë i njohur në Itali, ku krijoi dhe familjen e tij. Iliri u larguar nga Shqipëria në vitin 1992 drejt Italisë ku me shumë vuajtje dhe mundime arriti t’ja dalë me sukses, falë ndihmës së madhe të ikonës së ekranit italian Maria De Filippi, e cila besoi në talentin e tij dhe i dha mundësinë Ilirit, por edhe shumë balerinëve të talentuar shqiptarë, të kërcenin në programet e saj televizive.
Ilir Shaqiri në kulmin e karrierës si balerin ka interpretuar në programe të njohura televizive italiane si, “Buona Domenica”, “Amici”, dhe ”La Corrida”. Ai tashmë i afirmuar në baletin kontemporan dhe atë modern ka rreth 4 dekada që ushtron baletin. Iliri, me stilin dhe talentin e tij është një ndër balerinët shqiptarë më të suksesshëm jashtë kufijve. Vitet e fundit Ilir Shaqiri ka qenë prezent në Shqipëri me disa projekte televizive, si pjesë e kastit të jurisë në disa edicione të spektaklit “Dancing With The Stars”.
Përgatiti Sava Lena