Sokol Guga një emër i njohur në botën e showbiz-it, një djalë me energji mjaft pozitive dhe një punë të jashtëzakonshme, i cili ka arritur që të ecë në rrugën e vështirë të artit. Producenti dhe prezantuesi i cili çdo vit vjen me një risi në spektaklin e fundvitit në këtë edicion të shtatë vjen ndryshe, sepse për herë të parë do të ngjiten në skenë emra të njohur të artit shqiptar, por edhe nga bota e biznesit.
Artistët e këtij edicioni janë bërë publik nga producenti Guga si këngëtarja: Liljana Kondakçi, Myfarete Laze, Kozma Dushi, Eranda Libohova, Redon Makashi, Fitnete Tuda, Mariza Ikonomi, Kamela Islamaj, Festina Mejzini, Xhesika Polo, Gerald Celibashi, artistja Alisa Luzi, por e ftuar e veçantë në një vallëzim do të jetë dhe politikania Elisa Spiropali. Ndër të ftuarit ndërkombëtarë në spektakël do të jenë, këngëtari i famshëm italian Albano Carrisi, fituesja e Eurovision 2004 Ruslana, dhe grupi njohur Rednex.
Ky edicion për herë të parë do të ketë 9 prezantues. Sokol Guga do të ftojë në skenë, prezantuesin Albert Dumani, biznesmenen e suksesshme Antonela Hako, avokaten e njohur shqiptare Eni Çobani, spikerin e lajmeve, ikonën e RTSH-së Dhimitër Gjoka, Miss Albania 95, moderatoren Hygerta Sako, biznesmenen Florentia Xheka, prezantuesen e njohur Silvana Braçe, presidenten e Radio Televizionit 21 ne Kosovë Afërdita Saraçini Kelmendi si dhe Ina Jaupi, ish studente e gazetarisë dhe një figurë e re në këtë event.
Sokol Guga është kujdesur për të gjithë brezat që janë dashamirës të produksionit “Krishtlindje në Tiranë”, duke ngjitur në skenë nga një përfaqësues të tyre. Skenografia e spektaklit i është besuar si çdo vit, mjeshtrit Bashkim Zahaj, i cili duket se këtë edicion ka hequr dorë nga teknologjia dhe do të sjellë një skenografi tërësisht bazuar në konstruksionin metalik. Sokol Guga premton se do të jetë një super spektakël si çdo vit, ndërsa teleshikuesit do të kenë mundësinë ta ndjekin në 25 dhjetor, në televizionin Klan Plus.