Shahin Dalipi në duet me Petrit Lulon së shpejti në tregun muzikor
Shahin Dalipi është këngëtar i njohur i muzikës së mirëfilltë popullore të Shqipërisë së jugut. Gjatë karrierës së tij artistike ai ka realizuar 6 albume muzikore si dhe shumë videoklipe. Gjithashtu ai ka marrë pjesë në shumë koncerte brenda dhe jashtë vendit. Së shpejti artisti përmetar do të publikojë disa këngë dhe kolazhe popullore përmetare në bashkëpunim me këngëtarin gjitokastrit Petrit Lulo. Në një intervistë për Radio Ejani Dalipi na tregon për aktivitetin e tij artistik në vite si dhe planet krijuese.
Shahin Dalipi ne interviste per CMG
CMG: Karriera juaj në muzikën popullore është shumë e gjatë. Mund të na flisni pak për fillimet dhe vazhdimësinë tuaj me këngën popullore?
Shahin Dalipi: Unë linjën e muzikës popullore e kam filluar që fëmijë, kur isha në Përmet. Më vonë kur shkova në shkollën e mesme vijova me aktivitetet, duke arritur në fazën e pjekurisë të muzikës popullore, dinim sesi këndohej kënga popullore. Disa vite më vonë shkova në një kurs profesional të këngës popullore në Tiranë dhe më pas fillova të aktivizohesha me ansamblet popullore në Tiranë, siç ishin Ansambli Tirana dhe Ansambli Dajti. Pra është një karrierë jo shumë e shkurtër që unë u mora me këngën popullore të jugut në Tiranë. Gjithashtu më vonë filluan edhe videoklipet dhe kërkesat e tregut muzikor për këngën popullore. ku unë arrita të realizoj 6 albume me këngë popullore.
CMG: Zëri juaj është i veçantë në interpretimin e këngës popullore të jugut dhe besoj se të gjitha albumet që ju keni realizuar kanë qenë me këngë popullore të Shqipërisë së jugut?
Shahin Dalipi: Është e vërtetë sepse këtij zëri që i përshatet këngës së jugut, unë i kam bërë shumë shërbim duke bërë vokalica çdo mëngjes që na i bënin artistët Ibrahim Tukiçi, Janaq Mici, Drita Papajani, Naile Hoxha. Unë kam studiuar me këta artistë të mëdhenj dhe prandaj kam këtë vokal edhe sot. Në bazë të mësimeve të tyre unë eci sot në rrugën e muzikës ku mbizotrues te unë është vokali.
Shahin Dalipi me kengetarin Petrit Lulo (Facebook)
CMG: Këngët në albumet tuaja muzikore janë këngë popullore të vjetra apo keni sjellë dhe krijimtari të re popullore?
Shahin Dalipi: Si fillim unë ju kam kushtuar këngëve të vjetra popullore që kanë qenë baza e muzikës popullore dhe ato kërkoheshin nëpër albumet muzikore. Në albumet e mia ka këngë të vjetra popullore, por ka dhe këngë të reja të mirëfillta. Një këngë e imja, e cila është krijim i ri, ia kam dedikuar mjeshtërit të klarinetës Usta Laver Bariut, i cili është një krijim shumë i bukur. Përveç kësaj kënge unë kam sjellë edhe këngë të tjera të reja popullore si një këngë që i kushtohet fshatit Panarit të Përmetit ose një këngë tjetër për qytetin e Këlcyrës ku dhe videoklipi është realizuar te gryka e Këlcyrës në Përmet. Shumica e këngëve janë këngë të vjetra të mirëfillta popullore, por që unë kam sjellë edhe këto krijime të reja në repertorin tim.
CMG: Pak më parë ju folët për këngën kushtuar Usta Laver Bariut, ndërkohë që keni një kujtim të bukur me mjeshtërin e klarinetës në videoklipin tuaj. Cili është vlerësimi juaj për këtë artist të madh?
Shahin Dalipi: Laver Bariu ishte profesori për të gjithë ustallarët e tjerë dhe unë kam kujtime shumë të mira me Laverin sepse në koncertet që unë merrja pjesë në Përmet takoheshim bashkë. Usta Laveri nuk arrihet, ai është artist i mirëfilltë i muzikës popullore dhe unë pata rastin që të realizoj një videoklip me të dhe atij i pëlqeu shumë kënga dhe më tha se ku i kisha gjetur ato fjalë në këngë. Vetëm nga teksti i kësaj kënge unë përfitova një respekt nga e gjithë familja e Usta Laverit. Kjo këngë është pritur shumë mirë në Shqipërinë e jugut, që nga Lushnja, Fieri, por edhe në Përmet e Gjirokastër. Edhe këngët e tjera janë pritur shumë mirë, por e veçantë ishte kënga dedikuar Usta Laverit.
CMG: Më cilët bashkëpunoni për realizimin e këngëve tuaja popullore?
Shahin Dalipi: Unë edhe vetë kompozoj muzikë popullore, ndërsa orkestrimet i kam bërë në studion e Sokol Marsit si dhe në disa studio të tjera muzikore.
Shahin Dalipi gjate realizimit te videiklipit me Usta Laver Bariun (Facebook)
CMG: Kostumin popullor e vishni kur realizoni videoklipet ose në koncerte të ndryshme?
Shahin Dalipi: Kostumin popullor unë e kam pikë të dobët dhe nëse në një videoklip nuk vesh kostumin popullor, nuk e pëlqej atë videoklip. Gjithmonë kur realizoj videoklipet e këngës i them një shoku që më ndihmon për fotografitë që të gjitha fotot që kam me kostumin popullor të mi dërgojë. Pa kostumin popullor nuk shkon kënga popullore e jugut.
CMG: Ju keni dhe shumë bashkëpunime me këngëtarë të tjerë popullore të trevës së jugut. Si kanë qenë këto bashkëpunime?
Shahin Dalipi: Unë kam shumë bashkëpunime me të tjerë këngëtarë ku në fillim një ndihmë të madhe më ka dhënë vokali i Hysni Zelës, gjithashtu edhe këngëtari Petrit Lulo ka hedhur vokalin te kënga e Këlcyrës. Bashkëpunime të tjera kam pasur në duet me Shpëtim Levendin ku kemi realizuar kolazhe të bukura popullore, një bashkëpunim tjetër kam edhe me këngëtaren përmetare Evgjeni Çuli. Të gjitha këto bashkëpunime kanë qenë të suksesshme.
CMG: Sa ka ndikuar pandemia në aktivitetet tuaja artistike këto dy vite?
Shahin Dalipi: Kjo pandemi nuk ishte shumë e lehtë për ne artistët sepse ishte një mungesë totale e të gjitha gëzimeve familjare dhe koncerteve jashtë vendit. Ishte vërtetë një periudhë e gjatë që artistët nuk morën pjesë në aktivitetet kulturore dhe artistike. Tani është përmirësuar pak situata dhe pak e nga pak po marrim pjesë nëpër aktivietet artistike dhe për festat e nëntorit jam i ftuar në një koncert të madh këtu në Tiranë ku janë të ftuar dhe këngëtarë të tjerë të muzikës popullore.
CMG: Përveç muzikës së jugut, keni provuar ndonjëherë të interpretoni këngë të ndonjë treve tjetër?
Shahin Dalipi: Nëpër gëzimet familjare ne jemi të pregatitur për të gjitha trevat dhe në një vlerësim që më bëri njëherë këngëtari Petrit Lulo, më tha se unë këndoja më mirë këngë të Shqipërisë së mesme sesa ato të jugut.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore së afërmi?
Shahin Dalipi: Unë së shpejti do të nxjerr një këngë të bukur ku tekstin e kemi realizuar, por që po kërkojmë për krijimin e një muzike pak vajtuese pogonishte. Një projekt tjetër që kam është realizimi i disa kolazheve popullore përmetare me Petrit Lulon dhe së shpejti do të dalin në tregun muzikor. Këto kolazhe janë me tekst dhe muzikë të re.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit dhe adhuruesit tuaj.
Shahin Dalipi: Përshëndes të gjithë stafin e radios si dhe dashamirësit e këngëve të mia, duke ju uruar sukese dhe të dëgjojnë të gjitha këngët që ne krijojmë sepse ne i krijojmë për kënaqësinë e tyre.
Intervistoi: Gazmend Agaj