Aurela Gaçe është ndër ato artiste, e cila ka me dhjetra këngë hite, shumë pjesëmarrje në festivale të vlerësuara me çmime, përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovizion, me një prodhimtari të jashtëzakonshme muzikore dhe aspak lodhje nga puna e saj e përditshme, aq më tepër kur mundi në fund vlerësohet. Ajo e di sekretin e publikut, e di se çfarë ai do dhe nuk mungon asnjëherë me mesazhet që përcjell në këngët e saj. Përpos angazhimeve familjare si një mama e përkushtuar, Aurela nuk e lë pas dore veten dhe muzikën.
Momentalisht ajo po punon për albumin më të ri muzikor, i cili do të ketë 17 këngë. Disa prej tyre do të vijnë me videoklipe, të tjerat do të jenë në versionin audio dhe deri tani janë publikuar 6 këngët e para, të shoqëruara me videoklipe. Finalizimi i albumit duhet të ketë patjetër një koncert recital, për të cilin ajo është shprehur: “Shpresoj që pasi ta mbaroj albumin, të kem një koncert shumë të madh, paçka se kam shumë koncerte recitale, e dua që ta kem një koncert të jetës time.”
Do ishte vërtetë shumë bukur që kjo dëshirë të realizohej në 30 vjetorin e karrierës së saj artistike. Aurela Gaçe ka treguar për radio Ejani ecurinë e këngëve të reja, bashkëpunimeve me DR, Florin, si edhe disa të fshehta që na i rrëfen për herë.
CMG: Ka vetëm pak ditë që është publikuar kënga më e re me titull "Djali im i keq". Disa vargje janë: "Ta dish sa herë këtu për ty kam ardh, kush më ka parë, thonë je e marr, thonë je e marrë, një gotë me lot e mbush ky mall.” Na trego pak për fabulën e kësaj kënge, dhe si erdhi frymëzimi i krijimit ?
Aurela Gaçe: Secili nga ne si vajzat ashtu edhe djemtë e kanë një dashuri që u ka ngelur pikë në zemër, vetëm se kjo dashuri nuk është nga ato qaramanet, nuk është nga ato tekstet ku thonë: “Vdes për ty, nuk jetoj dot pa ty.” Personazhi në fjalë është një vajzë e pjekur, e maturuar, di çfarë bën, e jeton jetën, por nuk e harron atë që e ka lënë shpirtin tek zemra e saj. Ajo kthehet gjithmonë aty, me shpresën se, mbase e sheh ndonjëherë. Ajo thotë: “Edhe pse s'të kam, erdha të të gjej.” Pra vajza e ka pranuar fatin e saj.
CMG: Po përse e quajte "Djali im i keq" ?
Aurela Gaçe: Sepse aty ku ka dashuri të fortë, dhimbje, ankth, adrenalinë, zakonisht e gjitha kjo ndodh në përgjithësi me djemtë e këqinj. Ky është bashkëpunimi im i parë me Pandi Laçon, por sigurisht që nuk do jetë i fundit, ndërsa muzikën e ka bërë Kledi Bahiti dhe ky është bashkëpunimi im i tretë me Kledin. Kjo këngë është e gjashta e albumit për të cilin kam një vit e gjysmë që po punoj. Këngët i kam publikuar një e nga një në mënyrë që publiku t’i mësoë dhe t’i bëjë refren.
CMG: Publiku në përgjithësi ka shumë mendime pozitive për ty. Nëpër komente të konsiderojnë si mbretëresha e muzikës, shumë energjike në skenë, artiste unike etj. Madje në këngën e fundit "Djali im i keq" një adhuruese e muzikës tënde Luneda, kishte shkruar: "Në çdo këngë tënden më ngjethet trupi, kur zëri yt unik depërton në zemrat tona". Si do e komentoje ti këtë?
Aurela Gaçe: Ku ka gjë më të bukur se kjo! Ky është edhe qëllimi im, të depërtoj në zemrat e njerëzve, por edhe i të gjithë krijuesve, mendoj. Këtë profesion unë nuk e kam zgjedhur, e bëj sepse e dua dhe qëllimi im është që të shkoj me gjithë ndjesitë e mia tek ata që më dëgjojnë. Dhe nëse Luneda e ka thënë këtë, ky është çmimi më i bukur që mund të fitojë një artist që krijon, kështu që e falenderoj shumë Lunedën.
CMG: Nga artistët shqiptar që unë njoh, je vajza më energjike në skenë. Nga të buron kjo energji dhe këtë energji e ke edhe në shtëpi?
Aurela Gaçe: Sigurisht! (Qesh) Në familje jam shumë e qetë, ndryshe nga sa mund të mendojnë njerëzit. Gjithë energjinë time e harxhoj në skenë dhe në studio, ndërsa në shtëpi jam një mama e qetë dhe të them të drejtën në shtëpinë time e dua këtë qetësi.
CMG: Në përgjithësi kur fëmijët kanë energji, prindërit i regjistrojnë në kurse të ndryshme sportive. Po ti Aurela, kur ke qenë e vogël, si të kanë përballuar prindërit?
Aurela Gaçe: Mendoj se atëherë të gjithë fëmijët kanë qenë energjikë. Krijonim lojërat vetë, i qepnim vetë fustanet kukullave, bënim karroca me kuzhineta, etj. Të gjithë fëmijët po t’i lesh të lirë, energjikë janë, nuk kanë qenë më ndryshe as në kohën time. Në kohët e sotme, duke qenë telefoni në duar, i kushtëzon pak.
Unë vajzat e mia i kam regjistruar në sportin e Kung-Fu-së sepse të dy me bashkëshortin besojmë në energjinë pozitive që të jep sporti, në besimin e vetvetes, në discipline. Sporti t’i jep të gjitha këto. Unë nuk e njoh mirë këtë sport, por im shoq e ka ndjekur që në rininë e tij dhe thotë se, filozofia e Kung-Fu-së është e duhura për t’u rritur fëmijëve vetvesimin. Kur i flasim njerëzve për artet marciale, mendojnë se në sport mëson vetëm si të godasësh njerëzit, në fakt ajo që të mëson sporti është të shkarkosh energjitë e këqija dhe të dish si të mbrohesh. Është mirë që njerëzve t’u përcillet më shumë informacion rreth sporteve, sepse më ndodh shpesh kur unë postoj diçka në rrjetet sociale, e shoh që kam plot komente ku njerëzit tregojnë se i frymëzon kjo gjë, sikurse ka edhe nga ata që qeshin me një femër që merret me veten. Aktivitetin fizik e kam njësoj si dushin dhe ta kesh këtë edukatë të përditshme është mënyra më e mirë për të hequr energjitë negative. Unë nuk jam sportiste, jam një njeri i thjeshtë që më pëlqen sporti dhe ja uroj të gjithëve që të merren me aktivitet sportiv.
CMG: Deri tani ti ke publikuar disa këngë me videoklipe, të cilat i paraprijnë albumit tënd të ri. Si është ecuria etij?
Aurela Gaçe: Deri tani janë publikuar gjashtë këngë të shoqëruara me videoklipe, të cilat janë pjesë e albumit, ndërkohë që janë duke punuar deri në 17 këngë për këtë album. Dua të nxjerr çdo skutë të shpirtit tim në forma të ndryshme. Nuk besoj se njeriu është vetëm në një dimension, nuk besoj se njeriu vetëm qan, qesh apo çmendet, njeriu ka shumë anë të tij negative dhe pozitive. Të gjitha ato që besoj, ato që ndjej unë dua t’i hedh në këngë sepse në fund do mbetet nga unë puna që lë pas.
Jam në moshën që kam arritur një lloj pjekurie, kam realizuar shumë gjëra në jetën time dhe jam në fazën që i shikoj gjërat edhe më ndryshe nga sa i kam parë më herët. Kënga e parë e albumit është kënga me titull, "Veten dua gjallë" kushtuar femrave të dhunuara. Teksti i këngës shkruar nga Rozana Radi thotë; "E kam mbushur sot një valixhe plot me lot, më lëndon, lëndon dhe unë e fal, por do shkoj se veten dua gjallë", kur ajo vendos të ikë. E di që kjo nuk është këngë që mund të bëhet hit, nuk është një këngë që ke qejf ta dëgjosh, por është një këngë që të bën të reflektosh. Kam investuar shumë në këtë këngë dhe nuk e kam bërë pa qëllim, pasi në gjerdanin e këngëve të mia dua që kjo këngë, të jetë një ndër ato këngët me të cilat unë të krenohem, të mburrem kur të jem ndoshta 80 vjeç, të lë shenjën time.
Dhe pse jo, sikur qoftë edhe një grua e vetme të reflektojë me këtë këngë e të më thotë; “dëgjova këngën dhe mora vendimin.” Në të vërtetë kam pasur plot mesazhe që më kanë thënë; "e kam mbushur valixhen plot me lot dhe kam ikur." Ky është qëllimi im, diku të bëj të qash, diku të bëj të reflektosh, diku të bëj të reflektosh bashkë me mua.
CMG: Disa javë më parë ti solle një këngë në bashkëpunim me këngëtarin Stine, por sollët mjaft bukur në audio dhe video, mikun, kolegun tuaj të ndjerë Dr.Florin në këngën "S.F.L." . Çfarë do ndaje me ne për këtë bashkëpunim ?
Aurela Gaçe: Ishte rastësi mënyra si e gjetëm zërin e Dr. Florit. Kënga nisi fillimisht mes meje dhe Stines dhe të them të drejtën zgjati pak koha e përgatitjes, pasi duke punuar atij i prishet kompjuteri dhe ju zhdukën të gjitha materialet. Në përpjekje për t’i rimarë çfarë mund të shpëtonte nëpër 800 file që kishte, zbuloi zërin e Dr. Florit i cili kishte hedhur zërin e tij në studion e Nestit vite më parë. Dhe kur Stine ma tha këtë gjë, unë në fillim nuk po e besoja. Ishte një pjesë e vogël e kënduar nga Dr. Flori e cila nuk mund të bëhej një këngë të vetme që mund ta përdorte familja dhe kështu ne morën lejen e familjes, gjithashtu nga ana artistike morëm dhe leje nga vëllai i Dr.Florit, Albani dhe ja ku jemi sot, zëri i Dr. Florit u bë pjesë e këtij bashkëpunimi. Gjithashtu morëm disa xhirime nga familja ku Flori luante me vajzën e tij, të cilat nuk ishin publikuar më pare, që ja bashkangjitëm videoklipit dhe mendoj se do të mbetet një kujtim shumë i bukur edhe për fëmijët.
CMG: Kujtoj se ti Aurela ke pasur shumë bashkëpunime të suksesshme me Dr. Florin me këngët “Jehonë”, "Origjinale" etj. Kjo e fundit ka qenë një ndër më të klikuarat.
Aurela Gaçe: Unë kam pasur shumë bashkëpunime me Dr.Florin, e para ka qenë kënga "Jehonë", pas kësaj Flori ka shkruar shumë këngë për mua ku herë ka qenë autor teksti, herë producenti, pra shumë këngë në repertorin tim mbajnë firmën e Florit. Më ngacmove pak me këtë punën e klikimeve dhe doja të thoja se, një këngë e cila është më e klikuara nuk mund të jetë edhe më e mira, por e rëndësishme është që kur i këndoj këngët nëpër koncerte ato i këndojnë të gjithë bashkë me mua. Psh. këngën "Fati ynë shpresë dhe marrëzi" që është kënduar më shumë se dy dekada më parë nga koha kur është krijuar, e këndojnë të gjithë me mua, gjithashtu këngën "Ku po shkon kjo botë" nuk ka shumë klikime, por njerëzit rënqethen dhe e këndojnë të gjithë me mua.Treguesi më i mirë nuk janë klikimet, por jetëgjatësia e një kënge. Për më tepër që sot klikimet dihet që blihen.
CMG: Gjatë periudhës së verës ti solle këngën "Çupa nga Vlora". Si vlonjate që je, e ke sjellë shpirtin e vërtetë të një vajze nga Vlora në atë këngë?
Aurela Gaçe: Me pak fjalë kam treguar se çfarë mund të bëjë një vajzë vlonjate, nëse ajo të do vërtetë. Kjo është një këngë rregeton, verore, që të bën të ndjehesh mirë dhe çupa nga Vlora kur të do, nuk ka nevojë për luks, ajo martohet në mes të detit, mjafton ta duash, t’i vesh vellon, e t’i thuash të dua, pastaj ajo jep jetën për ty.
CMG: Martesa jote e parë u bë në tokë dhe e dyta në det. Si ishte kjo eksperiencë në këtë videoklip?
Aurela Gaçe: Po ashtu i bie. Unë nuk jam një motorriste e vërtetë dhe bashkë me vellon u zhyta në ujë bashkë me motorrin. Në videoklip më shkonte ai luku me flokë të lagura dhe këtë punë bëja rrëzohesha dhe prapë dilja nga uji, hipja sërish në motorr. Skerdi i jepte motorrit bashkë me mua, ndërsa unë e rrëzova disa herë motorrin dhe mbeta si pasagjere, më vuri përpara dhe i ka dhënë motorrit si i çmendur se dontë atë adrenalinën e duhur. Shpeshherë i thoja; "Më nxorre veshkat nga vendi" (qesh).
CMG: Ti e ke pasur dhe një vajzë dublanten tënde në videoklip?
Aurela Gaçe: Vajza dublante e cila quhet Ola, shprehu dëshirën që t’i jepte motorrit se unë nuk i jepja dot. Këto janë detaje që nuk i kam thënë ndonjëherë. Është ai momenti ku unë këndoj pjesën: "Kape, kape, kape, dorën, ti më jep adrenalinën, vellon e kurorën". Vajza dublante edhe pse nuk dinte t’i jepte mirë motorrit, si vlonjate që ishte, vendosi që do ta bënte (qesh).
CMG: Aurela ti ke performuar ne skena të ndryshme këngë të muzikës pop, rrok, balada, popullore etj. Po dashuria jote muzikore ku fle më mirë?
Aurela Gaçe: Nuk mund ta ndaj. Dëgjova një koment të një zonje që tha: "Ti mund të eksperimentosh shumë, por është balada ajo që të fle në shpirt". Ndoshta dikujt i shkon në vesh më mirë balada, dikujt tjetër një zhanër tjetër, por unë nëse i këndoj të gjitha këto zhanre, i këndoj sepse i kam dashur, pa i kam bërë. Çdo rrymë muzikore që kam bërë deri tani, do të thotë se ka qenë dëshira ime që të eksperimentoj. Nëse nuk e kam bërë më parë do të thotë se, nuk kam pasur mundësi. Dikur mundësia ka qenë një dalje në vit në festival. Para 10 viteve mendoja ndryshe, tani mendoj ndryshe, pastaj unë gjithën jetën kam eksperimentuar kështu që nuk është hera e parë.
CMG: Duke qenë prezent shpesh në performanca live, publiku çfarë repertori kërkon të dëgjojë më shumë nga ty?
Aurela Gaçe: Publiku i kërkon të gjitha. Aurelën me baladën, me energjinë, me këngën polifonike, me këngët tironce, të jugut apo të veriut. Ngaqë i dua këto këngë, i kam në repertor, sigurisht përveç këngëve të mia.
CMG: Ti je pranë publikimit të albumit të ri muzikor. Duke qenë se ke prezantuar disa albume, që në periudhën e kasetave apo CD. Mendon se suksesi ka qenë më i madh dikur, apo sot në mënyrë dixhitale?
Aurela Gaçe: Është shumë ndryshe dhe unë e përshtas veten shumë kollaj. Atëherë kanë qenë kasetat dhe ne e masnim suksesin me shitjen e tyre, sot matet në mënyra të tjera, sa dëgjohesh, sa e këndojnë këngën me këngëtarin, etj. Unë i testoj këngët në publik. ka këngë që janë shumë të mira, por për një arsye apo një tjetër nuk arrijnë të përçohen në publik. Mua kjo më intereson, të dëgjohet kënga sa më shumë, të mësohet nga publiku, ndërsa për shitjen do pyes bashkëshortin se ai merret me shitjen dixhitale (qesh).
CMG: Sipas teje, cili është vlerësimi më i arrirë për një artist, çmimet apo duartrokitjet e publikut?
Aurela Gaçe: Çmimi harrohet shpejt. Publiku nuk shkon të dëgjojë një këngëtar se ka fituar një çmim të caktuar. Po nuk e derdhe djersën në skenë, po nuk e dhe shpirtin në skenë, në këtë mënyrë ti i ke merituar duartrokitjet e tyre. Sigurisht që çmimet kanë ardhur pas një pune shumë të mirë. Kur shkova në Amerikë sa kisha fituar çmimin e parë në festival me një këngë të Adrian Hilës. Aty kuptova se askush nuk e dinte që ekzistonte kjo këngë, po flas për shqiptarët që banonin prej dekadash aty dhe më dukej çudi kur më pyesnin se çfarë është festivali? Ka qenë viti 2001 kur unë aty rashë me këmbë në tokë, sepse nuk më njihnin fare. Atëherë fillova punën nga e para.
Për ta isha e panjohur, por vetëm se kisha disa eksperienca mbi supe. Nëse nuk u bëje përshtypje, nëse nuk ja merrje dot zemrën, e kishe të kotë. Të rrofshin çmimet! Jeta më ka treguar se çmimi më i madh është dashuria e publikut dhe kaq.
CMG: Si do vazhdosh t’i përcjellësh më tej materialet e reja muzikore?
Aurela Gaçe: Po vazhdoj të punoj me këngët, disa do të vijnë vetëm në audio të shoqëruara me ndonjë foto apo animacion sepse është e pamundur që të investoj me videoklipe për të 17 këngët, janë shumë, por shumë të ardhura. Plus që bëhen rreth dy vite që nuk po punojmë për shkak të pandemisë. Nuk e kemi më atë luksin që kemi pasur dikur, por do mundohem që të sjell këngët që do të shkojnë në publik nëpërmjet videove. Shpresoj që pasi ta mbaroj albumin, të kem një koncert shumë të madh, paçka se kam shumë koncerte recitale, e dua që ta kem një koncert të jetës time. Shpresat i kam të mëdha, por të ardhurat mungojnë në këtë vend, çdo gjë është në krizë, gjithsesi le të shpresojmë.
CMG: Është një punë kolosale për të realizuar një album muzikor me plot 17 këngë, ka shumë energji, duhen muaj e vite me radhë punë, por unë uroj me zemër që ta finalizosh ashtu si ti do.
Aurela Gaçe: Duhet ditur një gjë, që njerëzit shohin vetëm ato 3 minuta të një kënge, por për ato 3 minuta mua më është dashur shumë punë çdo ditë të vitit, derisa kënga dhe videoklipi janë bërë publike. Koha e ka treguar se puna e mirë vlerësohet, ndoshta vonon, por besoj se rruga e vështirë në fund vlerësohet. Nuk më pëlqejnë llafazanët. Dhe madje kam dhe një këngë tjetër që do publikoj, ku energjisë negative i them "ik, ik" pra dua të nxjerr veten në të gjitha dimensionet, në të gjitha mendimet që kam dhe 17 këngë janë pak (qesh). Madje pas këtij albumi do nis punën për tjetrin.
CMG: Vazhdo gjithmonë kështu si je, me këto energji pozitive që të karakterizojnë dhe shpresojmë që herës tjetër të na nderosh me prezencën tënde edhe në versionin video në programin “Muzika shqip”.
Aurela Gaçe: Po, patjetër!
CMG: Aurela, të falenderoj shumë për intervistën dhe suksese!
Aurela Gaçe: Falenderoj çdo person që më dëgjon, që më dërgon dashuri nëpërmjet mesazheve, komenteve apo në rrugë. Faleminderit të gjithëve!
Intervistoi: Sava Lena