Këngëtari i njohur Dionis Delia ka mbi 35 vjet në skenën e këngës popullore, por ai nuk mungon dhe në krijime të tjera muzikore. I njohur dhe i vlerësuar për vokalin dhe interpretimin e tij në këngën popullore ai gjatë gjithë këtyre viteve e ka ruajtur të pastër muzikën tradicionale, duke e interpretuar atë me mjeshtëri artistike.
Dionisi ka punuar prej 20 vitesh në TKOB ku njëkohësisht ka qenë në spalën e tenorëve në Opera, por edhe pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Ka tre vite që jeton dhe punon në SHBA, por malli për vendlindjen është gjithmonë i madh për artistin nga Tropoja. Së fundi ai ka publikuar dhe këngën e tij më të re “Më sill pak Shqipëri”, si dhe do të publikojë dy këngë të tjera popullore të ripunuara. Në një intervistë për CMG artisti Delia na tregon për eksperiencën e tij në Opera dhe Ansambël dhe vijimin e jetës artistike në emigracion.
CMG: Ju jeni një këngëtar i mirëfilltë i muzikës popullore, veçanërisht i trevës së veriut. Si keni mundur të ruani traditën e këngës popullore?
Dionis Delia: Unë jam një këngëtar i trevës së veriut të Shqipërisë, ka vite që këndoj këngë jo vetëm të veriut në fakt, por kryesisht të kësaj treve dhe gjatë gjithë karrierës time jam munduar që të ruaj traditën, vlerat e kësaj muzike kaq të bukur, të muzikës sonë popullore e cila vazhdon të pëlqehet nga të gjithë brezat.
Kohët e fundit edhe nga brezi i ri po pëlqehet shumë muzika popullore tradicionale. Në të gjitha krijimet e mia ose në këngët që kam interpretuar unë, jam përpjekur që të kem traditën aty brenda, sepse siç e dinë të gjithë këto vitet e fundit është bërë një trend për të marrë muzikë të huazuar nga vendet rreth e rotull dhe e shesin si muzikën tonë. Kjo gjë pak a shumë po e dëmton muzikën tonë, por gjithësesi tani dhe vetë dëgjuesit kanë filluar ta selektojnë muzikën dhe po fillojnë ta duan muzikën e mirëfilltë popullore shqiptare.
CMG: Si po e përjetoni ju si artist kohën e vështirë të pandemisë dhe sa ju kanë munguar aktivitetet dhe publiku gjatë kësaj periudhe?
Dionis Delia: Koha e pandemisë sidomos në fillimet e saj ka qenë shumë e vështirë, sepse tani po këndojmë dhe kanë filluar aktivitetet. Ashtu si për të gjithë edhe për mua ka qenë një periudhë e vështirë sepse përveçse nuk ke mundësi të këndosh, ne kemi ndenjur edhe të mbyllur dhe nuk kishim mundësi për të dalë as edhe për shëtitje dhe jo të këndonim. Shpresojmë që e kaluam mirë dhe pa problem, sepse shumë kolegë tanë dhe njerëz të tjerë kanë humbur jetën nga kjo pandemi. Kështu që tani unë kam filluar të marr pjesë në aktivitete këtu në Amerikë, por që realisht ka qenë shumë e vështirë.
CMG: Keni realizuar disa këngë dhe duete gjithashtu. Si janë pritur këto materiale muzikore nga publiku?
Dionis Delia: Unë kam realizuar disa duete, ku kam kënduar me motrën time dhe kolegë e kolege dhe të them të drejtën janë pritur shumë mirë si duete. Së fundi kam kënduar me një këngëtare, e cila jeton në Amerikë dhe kjo këngë është pritur jashtëzakonisht mirë, por një duet që e kam shumë përzemër e kam me këngëtarin, i cili nuk jeton më, kolegu dhe shoku im më i mirë Arben Delaj. Kënga titullohet “Këndoma këngën sa të jem gjallë”, e cila është një këngë që është pritur shumë mirë nga publiku. Unë këtë këngë e kam si pikë të dobët sepse miku im më i mirë është ndarë nga jeta.
CMG: Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e këngëve?
Dionis Delia: Unë kam bashkëpunuar me shumë kompozitorë për realizimin e këngëve të mia, por veçoj për tekstet të madhin Gjokë Beci i cili është ndarë nga jeta, ndërsa për kompozimet e këngëve kam punuar me Edmond Zhulalin, Kol Susaj, Luan Dagistani, Behar Neli e shumë të tjerë. Këto janë emra shumë të njohur në krijimtarinë muzikore. Kohët e fundit kam bashkëpunuar dhe me një poet të ri, Shkëlqim Ziraj nga Berati, i cili me të thënë të drejtën tani ka filluar që të dalë në treg si poet, por mua më ka pëlqyer shumë një material i tij dhe e kam marrë për një këngë.
CMG: Ju jetoni prej vitesh larg Shqipërisë. Sa ju mungon vendi juaj dhe a e viziton shpesh Shqipërinë?
Dionis Delia: Unë jetoj prej tre vitesh në SHBA dhe të them të drejtën më mungon shumë Shqipëria si çdokujt, por mua personalisht më mungon shumë. E kam vizituar njëherë në vit sepse nuk kemi mundësi të vijmë më shpesh, ngaqë këtu na duhet punë që të përshtatemi me jetën. Tani është një jetë e re për mua, plus që është dhe larg, por me mendje dhe me zemër jemi në Shqipëri. Unë prej disa viteve kam jetuar në Tiranë dhe kam punuar në Teatrin e Operas dhe Baletit kështu që më mungon Shqipëria, skena e Operas, më mungojnë kolegët e mi dhe gjithçka.
CMG: Prej vitesh keni punuar në Opera dhe Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Si ka qenë për ju kjo eksperiencë artistike?
Dionis Delia: Unë kam punuar prej 20 vitesh në Teatrin e Operas dhe Baletit, në korin e Operas dhe kam qenë si spalë e tenorëve, por normalisht jam aktivizuar dhe me Ansamblin sepse ato janë të dyja bashkë. Unë kam kënduar gjithmonë me Ansamblin dhe për mua ka qenë një eksperiencë e shkëlqyer, si në opera ashtu edhe në ansambël. Është një kënaqësi që të këndosh në atë institucion sepse ai është institucioni më i lartë i artit në Shqipëri dhe aty ka cilësi dhe artistë të jashtëzakonshëm dhe është kënaqësi të këndosh përkrah tyre. Gjithashtu duke punuar me profesionistë bën edhe gjëra të bukura dhe mua më mungon shumë ajo pjesë, jo se këtu nuk ka profesionistë, por mundësitë i kemi më të pakta që të bashkëpunojmë, sepse secili ka drejtimet e veta këtu në Amerikë dhe është pak më e vështirë që të mblidhesh dhe të realizosh një koncert të madh ose diçka tjetër.
CMG: Keni ndonjë projekt artistic, apo këngë të re për të publikuar së shpejti?
Dionis Delia: Unë së shpejti kam tre projekte. Kam tre këngë që do t’i publikoj, ato pothuajse janë mbaruar dhe tani ka mbetur thjeshtë montazhi i videoklipeve. Njëra nga këngët është e re me poezi të Shkëlqim Zirajt dhe muzika e Edmond Zhulalit dhe është një baladë për kurbetin, ndërsa dy këngët e tjera janë të ripunuara, njëra titullohet “Çikat e Tropojës” dhe kënga tjetër “Bëhem zog”. Këto dy këngë janë të ripunuara dhe unë po i sjellë me videoklipe. Kështu që së shpejti do t’i kem tre videoklipe në kanalin Youtube dhe në treg gjithashtu.
CMG: Së fundi një përshëndetje për degjuesit e Radio Ejani.
Dionis Delia: Kam një përshëndetje për të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani dhe emisionit Bio Folk, duke ju uruar gjithë të mirat, të kenë gëzime në shtëpitë e tyre. Ju falenderoj dhe juve për ftesën në këtë emision dhe shpresoj të shihemi së shpejti në Tiranë.
Intervistoi: Gazmend Agaj