Olen Cesari (Foto nga Facebook)
Olen Cesari ka lindur në qytetin bregdetar të Durrësit. Ai u ngjit në skenë në moshën 5-vjeçare si një virtuoz i lindur dhe në moshën 7-vjeçare dha koncertin e tij të parë recital në teatrin "Aleksandër Moisiu" të Durrësit. Kur ishte vetëm 10 vjeç ai mbaroi gjithë programin e Liceut Artistik, duke qenë i vetmi fëmijë mes studentëve 24-vjeçarë që po korrte sfidat në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.
Shteti shqiptar e dërgoi djaloshin e talentuar Olen në Romë për të vazhduar studimet për violinë dhe në moshën 18- vjeçare ai kishte mbaruar 3 konservatore: një në Shqipëri, një në Itali, dhe një në Austri. Olen Cesari që kur ishte fëmijë studionte shumë, duke u ushtruar në violinë disa orë në ditë, ndërsa shihte nga dritarja e dhomës moshatarët e tij që luanin me top. I duhej të studionte shumë sepse, e prisnin përpara konkurse të shumta, për të cilat i duhej të ushtrohej në instrumentin e violinës 6 orë në ditë, ndërsa kur kishte konkurse ndërkombëtare duhet të studionte deri në 10 orë në ditë.
Olen Cesari 10 vjeç (Foto nga Facebook)
Olen Cesari u rrit në një familje artistësh, nga nëna e tij instrumentiste dhe mësuese violine në qytetin e Durrësit. Ai është përballur për herë të parë me instrumentin e violinës kur ishte vetëm tre vjeç dhe kjo është arsyeja përse ky fëmijë u konsiderua “gjeni”, pasi në moshën 5-vjeçare ai realizoi shfaqjen e tij të parë në publik.
Ai u diplomua në mënyrë të parakohshme, në moshën 14 vjeçare në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, ndërsa 17 vjeç u diplomua në Romë në Konservatorin “ Santa Cecilia”, duke rezultuar deri më sot, studenti më i ri në moshë i diplomuar në atë konservator. Një vit më pas ai u diplomua në Konservatorin “Mozarteum” në Salzburg.
Olen Cesari ka interpretuar në tempujt më të mëdhenj të muzikës botërore, nga Teatri i Lashtë i Taorminës, në Wiener Konzerthouse të Vjenës, nga Carnegie Hall i New-York-ut, në Auditorium Parco della Musica në Romë, nga Théâtre Le Palace në Paris, në Teatromonumental RTVE të Madridit.
Një ndër shfaqjet e tij më veçanta përmendet ajo mbi shpatullën e statujës së Krishtit Shpëtimtar në Rio de Janeiro të Brazilit, si hap i parë i projektit ambicioz mbi zbulimin e 7 mrekullive të botës së re.
Olen Cesari ka interpretuar edhe para personaliteteve të larta, si udhëheqës shtetesh, përveçse në prani të Papa Gjon Pali II, Papa Ratzinger dhe Papa Françeskut.
Olen Cesari në statujën e Krishtit në Rio de Janeiro (Foto nga Facebook)
Olen Cesari ka qenë pjesë e cast-it të artistëve shqiptarë, të cilët morën pjesë në koncertin e madh të datës 19 nëntor 2018 në Romë në Teatrin “Argentina”, në nderim të Skënderbeut, në kuadër të mbylljes së vitit përkujtimor të Heroit tonë Kombëtar, duke u kremtuar në të njëjtën ditë, me një takim në vijim me Papa Françeskun.
“Artisti shqiptaro- me vlerë të jashtëzakonshme e ka bërë artin e tij një mjet unik integrimi”, thuhet në tekstin e motivimit, që shoqëron titullin për yllin shqiptar të skenave botërore. Violinisti virtuoz shqiptar Olen Cesari u dekorua nga Presidenti i Italisë si “Commendatore dell’Ordine della Stella d’Italia”, “Komendador i Urdhrit të Yllit të Italisë”. Olen Cesari së fundi ka deklaruar për mediet se ka realizuar një album muzikor, i cili është tërësisht me shije shqiptare.
Përgatiti Sava Lena