Grupi “Urban Band” u krijua në qershor të vitit 2016. Ata janë katër djem, të cilët krijuan këtë band muzikore ku luajnë muzikë pop-rock dhe rock n`roll. Pjesë e grupit Urban Band janë: Andi Tanko –vokal, Jurgen Cara – kitarë, Dritan Hekurani – kitarë bass, Sajmir Tatushi – bateri. Në shtator të vitit 2019, ata morën pjesë në festivalin “Kënga Magjike” me këngën "Rock n'roll". Në mars të këtij viti konkuruan sërish te “Kënga Magjike” me këngën "Edhe një natë", ku u spikatën për talentin e tyre dhe për këtë këngë kaq të veçantë, duke u vlerësuar me çmimin “Best New Artist”. Për radio Ejani dhe CMG ata na kanë treguar të rejat e tyre në muzikë, por edhe nga jeta private.
Urban Band (Foto nga Instagram)
CMG: Përshëndetje djema dhe mirë se erdhët në programin “Muzika shqip”!
Urban Band: Përshëndetje dhe mirë se ju gjejmë!
CMG: Rastësia ju bëri bashkë që prej vitit 2016, por cili ka qenë aktiviteti juaj përpara se të takoheshit?
Andi Tanko: Unë bashkë me Jurgenin kemi patur një grup tjetër më parë “Elementium Band”, më pas grupi “Atdhetarët”, pra kemi funksionuar edhe më vete, por edhe me grupe të ndryshme, ndërsa viti 2016 shënon pikënisjen e grupit tonë “Urban Band”.
Dritan Hekurani: Edhe unë kam pasur eksperienca të mira e të këqija më përpara dhe më pas erdhi “Urban Band”. Përgjatë këtyre pesë viteve ky grup po funksionon shumë mirë.
CMG: Përse grupi juaj mban emrin Urban Band?
Andi Tanko: Emrin “Urban Band” na e ka vënë një menaxher i një lokali ku unë së bashku me Jurgenin shkuam për të interpretuar dhe kur na pyeti se me çfarë erdhëm ne i treguam se shkuam aty me urban. Ndërkohë që ne kishim filluar të performonim live, po mendonim për t’i vënë një emër grupit. Në atë kohë menaxheri i lokalit tha; Urban Band, meqënëse ju keni ardhur me urban.
Urban Band interviste per CMG
Jurgen Cara: Në fillim isha vetëm unë me Andin dhe pas dy muajve u bëmë bashkë me djemtë e tjerë.
Andi Tanko: Emri i grupit na u duk i goditur sepse edhe ne të katërt jemi nga qytete të ndryshme të vendit, plus që jemi një grup kompakt, i marrim instrumentet në bagazh të makinës dhe shkojmë për të performuar kudo.
CMG: A i keni marrë dhe instrumentet muzikore ndonjëherë në urban?
Andi Tanko: Urbani është patentë e vështirë, mirë do ishte që ta nisnim me një furgon, por do ishte shumë e veçantë po të ndodhte kjo gjë.
CMG: Mendoni se ja ka vlejtur të qënurit bashkë në këtë grup?
Andi Tanko: Ja ka vlejtur sepse kemi performanca të suksesshme live, por edhe nga ana e të ardhurave kemi qenë mirë dhe mendoj se do të vazhdojmë kështu.
Urban Band (Foto nga Instagram)
CMG: Ju jeni fituesit e nje çmimi të rëndësishëm në “Kënga Magjike” ajo e “Best New Artist”. Çfarë përgjegjësish i keni vënë vetes, pas atij çmimi?
Andi Tanko: Pas kësaj nate duhen disa ditë që të marrim veten (qesh). Në fillimin e pandemisë kur gjithçka u mbyll, filluam të punonim për realizimin e kësaj këngë. Duke qenë se na kishte marrë malli për të performuar live qoftë edhe një natë të vetme, menduam se kjo do ishte tema më e përshtatshme për të sjellë këngën e re.
Jurgen Cara: Të gjithëve na kishte marr malli për netën live dhe ishte Andi që idenë tonë të përbashkët e pasqyroi në tekstin e këngës.
Dritan Hekurani: Në kohën e pandemisë kemi punuar nga shtëpia, duke luajtur muzikë dhe pas këtyre erdhi dhe frymëzimi për të realizuar këtë këngë të cilën më pas e prezantuam në “Kënga Magjike”.
Urban Band (Foto Instagrami)
CMG: Ju si grup jeni prezantuar për të dytën herë radhazi në festivalin South Outdoor Festival, pjesë e së cilit kanë qenë edhe artistë ndërkombëtarë. Si ishte kjo eksperiencë për ju?
Dritan Hekurani: Kjo ka qenë një nga eksperiencat më të bukura që kemi patur këtë verë, por edhe vitin e kaluar. E kemi pritur me padurim festival dhe kemi kaluar tre netë të mbushura plot me aktivitete në Borsh. Kjo eksperiencë ka qenë ndryshe nga netët live që ne kalojmë shpesh sepse aty patëm mundësinë të shihnim performanca të Dj –ve, grupeve të ndryshme shqiptarë e të huaj, etj. Këtë herë përveçse kemi interpretuar gjithashtu dhe kemi shijuar mbrëmjet e tjera.
Jurgen Cara: Deri tani kjo është një nga performancat më të bukura që kemi kaluar, në një skenë aq të madhe duke qenë se ishte një aktivitet ndërkombëtar dhe një nga festivalet më të bukura që është bërë ndonjëherë në Shqipëri.
CMG: Cila ka qenë paraqitja më e mirë skenike këtë vit në “South Outdoor Festival”?
Andi Tanko: Për mua performanca më e mirë mbetet ajo e Mahmut Orhan. Madje fishekzjarret dhe efektet e dritave për të ishin ruajtur, ai ishte kampioni, më pas dhe Nana, por do të veçoja Eugent Bushpepën për shijet e mia muzikore, pasi ai luan hard rrok & metal dhe unë atë muzikë e kam shijuar.
Jurgen Cara: Edhe mua më pëlqen shumë Genti si artist.
CMG: Cili është grupi i preferuar shqiptar dhe i huaj, i cili ju frymëzon?
Andi Tanko: Grupi im i preferuar janë shqiptarë të Kosovës, grupi “Troja” sidomos me albumi e tyre "One", një nga albumet më cilësorë që kam dëgjuar deri tani, ndërsa nga grupet e huaja janë “Metallica”.
Jurgen Cara: Nga shqiptarët dhe unë do të veçoja grupin “Troja”, ndërsa nga të huajt AC/DC, gjithashtu të gjithë ata që e kanë mbajtur filozofinë e rrokut gjallë si “Nirvana”, “Led Zeppelin”, “The Beatles” të mëdhenjtë e historisë. Unë jam më shumë për muzikën gjithëpërfshirëse. Më pëlqen muzika e mirë qoftë ajo rrok, jazz, etj.
Urban Band live (Foto nga Instagram)
CMG: Në një intervistë ju jeni shprehur se, e keni ëndërr të jeni përfaqësuesit e Shqipërisë në Eurovizion. Sa i keni pritshmëritë për të arritur këtë?
Andi Tanko: Ne presim që të bëjmë hapa të njëpasnjëshme, sepse nëse vrapojmë edhe mund të rrëzohemi. I kemi vënë detyrë vetes që të krijojmë sa më shumë këngë tonat, të marrim pjesë në të gjitha festivalet. Pastaj vitet do e tregojnë si të gjithë artistët e tjerë dhe do Zoti të qëllojmë që të jemi ndonjëherë edhe ne fituesit e festivalit të Rtsh-e që më pas të përfaqësojmë Shqipërinë në Eurovizion.
CMG: Na trego pak për këngën që ke dërguar për konkurrim në festivalin e Rtsh-së ?
Andi Tanko: Fabula flet për sistemin shqiptar, mënyra se si funksionojnë gjërat, si shkon jeta jonë me muzikën si edhe jeta jonë personale. Kënga mban titullin "Padrejtësi" dhe së pari shpresojmë që kënga jonë të pranohet.
CMG: Uroj që mos ju bëhet asnjë padrejtësi.
Jurgen Cara: Në fakt deri tani nuk na është bërë ndonjë drejtësi (qesh). Bëj shaka. Deri tani ne e ndjejmë veten shumë të vlerësuar edhe në “Kënga Magjike”, shpresojmë që të vlerësohemi edhe në vazhdim.
Andi Tanko: Kënga “Padrejtësi” fillon si tek filmi "Misioni i pamundur" dhe kemi menduar që në këtë performancë të lidhim me litar Jurgenin vertikalisht me tokën dhe më pas vjen Saimiri dhe e pret litarin.
Jurgen Cara: Unë i kam fobi lartësitë, nuk e di se si mund ta realizoj, gjithashtu duhen shumë para për këtë performancë, nuk e dimë a na përgjigjen dot nga ana teknike, por të shohim deri atëherë. Këto janë disa nga dëshirat tona që kemi menduar për ti realizuar.
CMG: Të mbash një grup muzikor nuk është e lehtë. Ju djema mendoni se nuk do dorëzoheni asnjëherë?
Jurgen Cara: Koha ka treguar se edhe grupet më të mëdha në histori kanë patur krisje, ne deri tani jemi mirë dhe shpresojmë të mos na ndodhi kjo.
Andi Tanko: Unë mendoj krijimet që mund të realizohen së bashku dhe toleranca.
Dritan Hekurani: Impenjimi me punë për të krijuar art, kjo gjë na ka mbajtur dhe deri tani.
Urban Band ne interviste për CMG
CMG: Cila është e veçanta juaj si grup muzikor që ju identifikon?
Andi Tanko: Pika jonë më e fortë si grup është se mundemi që të japim një muzikë shumë të mirë live.
CMG: Përse duhet të vijë publiku t'ju ndjekë live?
Jurgen Cara: Se jemi çuna shumë të bukur (qesh).
Dritan Hekurani: Ne kur luajmë live covera të ndryshëm luajmë 100 % njësoj, por mund të fusim edhe diçka nga vetja në instrumentale.
Jurgen Cara: Unë mendoj se e veçanta tek ne është performanca.
Andi Tanko: Na kanë thënë se reflektojmë shumë pozitivitet.
CMG: Gjatë interpretimeve live, cili nga ju bën zërin e dytë?
Jurgen Cara: Gjatë performancave unë ndonjëherë marr mikrofonin dhe bëj rrepin e këngës "Tirona" të “West Side Family”.
CMG: Djema a jeni të dashuruar?
Andi Tanko: Unë jam i dashuruar me të dashurën time.
Saimir Tatushi: Unë me instrumentin e baterisë dhe me muzikën.
Jurgen Cara: Unë me kitarën.
Dritan Hekurani: Unë jam në një lidhje serioze dhe i dashuruar me bashkëshorten time.
Jurgen Cara: Dritanin e kemi si babain e grupit (qesh), na orienton për çdo gjë.
CMG:Cilat janë planet tuaja më të afërta?
Saimir Tatushi: Plani më i afërt është dorëzimi i këngës më të re në Festivalin e Rtsh-së, dhe tani të shohim se si do shkojë. Sa i përket muzikës kemi dëshirë që të realizojmë një album së bashku.
Andi Tanko: Për tregun muzikor shqiptar kam një pesimizëm shumë të madh, në rradhë të parë duhet të jesh pasanik e pastaj të jesh artist që të investosh shumë që kënga të dëgjohet, por kështu si po i marrim ne hapat dalëngadalë është mirë që të krijojmë sa më shumë muzikë e të njihemi sa më shumë nga publiku .
Urban Band 5 vjeç (Foto Instagram)
CMG: Impenjimet tuaja janë vetëm me grupin apo ju punoni dhe në profesione të tjera?
Andi Tanko: Unë kam mbaruar shkollën për Dizajn-Grafik dhe punoj në këtë profesion.
Saimir Tatushi: Unë punoj në një shkollë private si profesor muzike ku jap mësim për instrumentin e baterisë.
Jurgen Cara: Unë jam i pasur nuk punoj (qesh). Më parë kam dhënë mësim për instrumentin e kitarës në një kishë në Rubik.
CMG: Përpos grupit ti Andi ke qenë pjesë e koncertit “Tribute” për “Djemtë e Detit” të organizuar në Amfiteatrin e Liqenit të Tiranës. Si ishte kjo eksperiencë për ty?
Andi Tanko: Mund të them se ishte një nga eksperiencat më të bukura,ku morën pjesë artistë të njohur si Aleksandër Gjoka, Aurela Gaçe, Redon Makashi etj, dhe për mua ishte një emocion i madh të isha në një koncert me ta. Unë këndova këngën "Si gjethet" që i përket albumit të fundit të “Djemve të Detit”. Me thënë të drejtën nuk e njihja më parë këtë këngë dhe në skenë bashkë me performancën dhashë 100 % nga vetja, por dhe publiku na priti mjaft mirë mund të them se ishte një adrenalinë e veçantë.
CMG: Faleminderit djema që ishit sot emisionin "Muzika shqip"!
Urban Band: Ishte kënaqësi dhe për ne. Rock On!
Intervistoi Sava Lena