Justina Aliaj (Foto nga google)
Për dy netë rresht u zhvillua në skenën e teatrit "Migjeni" të Shkodrës festivali tashmë traditë “Luleborë”. Në skenë u interpretuan 16 këngë, të cilat u sollën live nga këngëtarët me shoqërimin e orkestrës së drejtuar nga maestro Mario Deda. Kënga fituese e këtij viti mban titullin “Si n’andërr” e kënduar me mjaft mjeshtëri nga këngëtarja Rezarta Smaja, punuar me mjaft kujdes nga kompozitori kosovar Florent Boshnjaku dhe tekst nga Arjola Zadrima. Në festival morën pjesë këngëtar të rinj si dhe emra të njohur të skenës, por surpriza e këtij viti ishte rikthimi në skenë i artistes së madhe Justina Aliaj. Këtë herë në rolin e prezantueses Rosela Gjylbegu, nuk mungoi me interpretimin e saj, ku solli për publikun dy këngë të kompozitorit të mirënjohur shkodran Simon Gjoni. Nën drejtimin artistik të Shpëtim Saraçit dhe Markelian Kapedanit u mbyll me sukses sipari i festivalit “Luleborë“ në qytetin e Shkodrës, ku kultivohet ndër breza kënga qytetare.
Përgatiti Sava Lena