Një nga emrat më të admiruar dhe të dashur, Roza Anagnosti-Xhuxha, ka festuar 78 vjetorin e lindjes. E konsideruar si zonjë e kinemasë dhe skenës së teatrit, Roza Anagnosti solli një pasuri të tërë rolesh dhe një imazh ikone, për të cilin brezat e asaj kohe kishin nevojë.

Roza

Roza

Roza Anagnosti-Xhuxha, ka lindur në Tiranë më 27 tetor të vitit 1943. I ati ishte oficer karriere, kurse nënë shtëpiake. Që kur ishte fare e vogël, familja e saj u transferua në Shkodër dhe ky destinacion ndryshoi edhe rrjedhën e jetës për aktoren.

Ishte akoma nё bankat e shkollës fillore kur fiton çmimin e parë me kёngёn “Qingji i vogël” tё Leonard Dedёs, këngë që sot e kësaj dite e këndon çdo brez fëmijësh. Nёn drejtimin e pedagogёve tё shquar si Tonin Harapi nё Shtёpinё e Pionierit dhe Prenk Jakova nё shtёpinё e Kulturёs, perfeksionoi dhuntitë e saj artistike dhe u cilёsua si njё vajzё me talent dhe me tё ardhme të madhe.

Në rolin e Rudinës, KOMISARI I DRITËS (Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, 1966) - Foto nga Arkivi Qendror i Filmit

Në rolin e Rudinës, KOMISARI I DRITËS (Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, 1966) - Foto nga Arkivi Qendror i Filmit

Talenti i saj u ndihmua nga jeta kulturore artistike qё karakterizonte qytetin e Shkodrёs nёn drejtimin e artistёve tё shquar. Nё vitin 1958 Roza Anagnosti angazhohet nё premierёn e parё tё Teatrit tё Estradёs, nё njё parodi së bashku me Hasan Smajën dhe mё vonё nё zhanrin dramatik në teatrin “Migjeni” me rolin e saj tё parё "Nuria" nё pjesёn “Kunora e Nuries” tё dramaturgut Kolё Jakova me regji të Lec Shllakut. Roza ishte vetёm 15 vjeçe dhe suksesi nё kёto pjesё teatrale do të pёrcaktonte pёrfundimisht jetёn e saj profesionale, pasi ajo do të pranohej dhe emёrohej aktore nё Teatrin “Migjeni” tё Shkodrёs. Në këtë teatër ajo luajti njё sёrё rolesh kryesore dhe tё suksesshme, ndёr tё cilёt personazhin e Norёs nё shfaqjen “Nora” tё Andrea Skanjetit.

Në rolin e Rudinës, KOMISARI I DRITËS (Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, 1966) - Fotto nga Arkivi Qendror

Në rolin e Rudinës, KOMISARI I DRITËS (Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, 1966) - Fotto nga Arkivi Qendror

Kështu nisi karriera e Roza Xhuxhës, aktores që nuk vinte nga një konkurs zyrtar bukurie, por që mbante peshën e kurorës së një nga vajzave më të bukura të qytetit të Shkodrës dhe të talentuara njëkohësisht. Në teatrin e Shkodrës, ajo luan me dhjetëra role, krahas akorëve brilantë të këtij qyteti.

Talenti, aftësitё aktoreske dhe paraqitja fizike tёrhoqën vёmendjen e kineastёve.

Ishte ishte vetëm 20 vjeç kur hyri në kinematografi me rolin e mësueses në filmin “Detyrë e posaçme” (K. Dhamo, 1963). Pastaj, në vitin 1964 interpreton rolin e Files tek filmi “Toka jonё” ku njihet me Dhimitёr Anagnostin, bashkёshortin e saj tё ardhshёm.

Afishe origjinale e filmit PLAGË TË VJETRA (Dhimitër Anagnosti, 1969)- foto Arkivi Qendror i Filmit

Afishe origjinale e filmit PLAGË TË VJETRA (Dhimitër Anagnosti, 1969)- foto Arkivi Qendror i Filmit

Prej aty, nuk u ndal më, duke i dhuruar publikut shqiptar emocionin e lojës së vet të shkëlqyer, përpos figurës së saj aq të veçantë.

Martesa me regjisorin e njohur, Dhimitër Anagnosti, ndryshoi shumë gjëra. Ndonëse, artëdashësit shkodranë e shihnin të ardhmen e teatrit, të lidhur ngushtë me yllin që kishte lindur, jeta e re me regjisorin, do ta shpërngulte Rozën në Teatrin Kombëtar të Tiranës.

Që nga viti 1964, Roza u emërua aktore në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar), duke ndryshuar mbiemrin, nga Xhuxha, në Anagnosti. Vajza nga veriu do të dashurohej me djalin nga bregu, duke u bërë bashkëudhëtarë jete dhe karriere.

teatri

teatri

“Kam lindur në teatrin “Migjeni” në Shkodër, dhe jam rritur në Teatrin Kombëtar”, kujton Roza.

Roza ishte në kulmin e energjive të saj, të moshës, talentit, bukurisë dhe famës. Për të fillon periudha më e shkëlqyer e karrierës, me role të shumta në Teatrin Kombëtar në Tiranës dhe në kinematografi. Ajo bëhet një aktore shumë e kërkuar nga regjisorët. Luan mbi 20 filma dhe fiton disa çmime të rëndësishme kombëtare. Çifti Anagnosti bëhet simbol i suksesit në art.

Variant i afishes së filmit PLAGË TË VJETRA (Dhimitër Anagnosti, 1969) i realizuar nga Shyqyri Nimani - Foto Arkivi Qendror i Fimit

Variant i afishes së filmit PLAGË TË VJETRA (Dhimitër Anagnosti, 1969) i realizuar nga Shyqyri Nimani - Foto Arkivi Qendror i Fimit

Gjatë këtyre viteve, Roza interpreton rolin e protagonistes në një rradhë filmash, si “Komisari i dritës”, “Ndërgjegjia”, “Plagë të vjetra”, ku luan përkrah aktorit tjetër shkodran, Rikard Ljarja, duke krijuar një dyshe unike në kinema.

Më tej erdhën filma si “Fije që priten”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjëtorja”, “Taulanti kërkon një motër”, “Vrasje në gjueti”, “Rikonstruksioni”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, etj, për të mbërritur tek filmi i vitit 2006, “Gjoleka, biri i Abazit”, me regji të bashkëshortit të saj, regisorit, Dhimitër Anagnosti.

Ndërkohë aktorja ka një arkiv të tërë rolesh në Teatrin Kombëtar, me të cilët ka fituar simpatinë e publikut. Të tilla janë pjesët dramatike, si “Cuca e maleve”, “Vizita e inspektorit”, “Valsi i Titanikut”, “Medea”, etj.

Roza Anagnosti ne dhomen e trukut - foto nga Ariva Qendrore e Filmit

Roza Anagnosti ne dhomen e trukut - foto nga Ariva Qendrore e Filmit

Gjatë karrierës artistike i është përkushtuar poezisë dhe prozës poetike të autorëve më të shquar shqiptarë dhe të huaj me interpretime të shumta në emisione radiofonike, televizive dhe koncerte si brenda dhe jashtë Shqipërisë ku ka marrё duartrokitje dhe vlerёsime tё shumta.

Ishte dhe mbeti e bukur, si në fotografi, në skenë dhe në përditshmërinë e vajzës së dlirë dhe gruas së përkorë, aktores së talentuar dhe bashkëshortes së dinjitetshme të një regjisori të madh. Luftoi, u përpoq, sfidoi dhe arriti, i’a dorëzoi veten një karriere të suksesshme skenike dhe kinematografike.

Ajo është një hir që edhe sot pas 78 vitesh nuk ka mundur mosha ta zbresë nga piedestali, edhe pse ka lejuar që vitet të rishkruajnë në dritat e një skalitjeje fryme, portretin e Rozës artiste.

Me disa tituj mbi supe ndër to, “Mjeshtre e Madhe” dhe “Nderi i Kombit”, ajo ëhtë dëshmi e një arkivi të pasur dhe lavdiplotë.

Aktorja Roza Anagnosti dhe bashkeshorti i saj Dhimiter Anagnosti, gjat xhirimeve te filmit Toka jone

Aktorja Roza Anagnosti dhe bashkeshorti i saj Dhimiter Anagnosti, gjat xhirimeve te filmit Toka jone

Ky portret njohës është një vlerë trashëguese e thesareve të gjalla të artit tonë skenik dhe i personalitetit interpretues dhe njerëzor të Roza Anagnostit. Kujtesa na fton të jemi mirënjohës për çfarë kjo aktore dha përmes kontributit të saj interpretues. Ditëlindja na thërret që ne t’i rijetëzojmë ato momente të bukura që ajo na dhuroi përmes roleve dhe karaktereve, personazheve dhe identiteteve që ajo dhuroi artistikisht.

Neritana Kraja