Këngëtarja Saranda Imeri e ka nisur karierrën muzikore që në moshën 12 vjeçare, kur ka interpretuar në një aktivitet kulturor. Kur ishte 16 vjeç ajo realizoi albumin e parë muzikor me këngë të muzikës së lehtë, i cili në atë kohë ishte i pari i këtij lloji në Maqedoninë e Veriut. Më pas vazhduan pjesëmarrjet e saj në festivalet “Poli Fest”, “Nota Fest”, si dhe koncerte të ndryshme etj. Pas studimeve për Gjuhë dhe Letërsi Angleze ajo i kushtoi më tepër rëndësi profesionit të saj si mësuese, por duke ju rikthyer dhe pasionit të madh për muzikën. Saranda Imeri vazhdon të performojë live në koncerte dhe aktivitete të ndryshme kulturore me bandën e saj muzikore bashkë me bashkëshortin e saj, duke mos e lënë pas dore profesionin e saj të mësuesisë, përkushtimin për familjen, por duke punuar edhe për projektet e reja, të cilat do të vijnë këtë fundvit.
CMG: Përshëndetje Saranda! Mirë se erdhe në programin "Muzika shqip"!
Saranda Imeri: Përshëndetje të gjithëve, është kënaqësi e madhe për mua!
CMG: Ti e nise rrugën muzikore me sukses që në moshën 16 vjeçare. Për çfarë arsye u shkëpute nga muzika?
Saranda Imeri: Albumi im ka qenë ndër të parët me këngë të muzikës së lehtë në Maqedoninë e Veriut. Ishte shumë i veçantë dhe u prit mjaft mirë nga publiku. Kështu vijoi karriera ime e bujshme për vitet në vazhdim, me angazhime të shumta skenike si koncerte, festivale, programe muzikore e kështu me rradhë. Në atë kohë mendova se kjo është thjesht një fazë kalimtare dhe se duhej të kisha një profesion më serioz. Kështu që vendosa të regjistrohesha në fakultet për degën Gjuhë -Letërsi Angleze dhe në ato momente mendova se muzikën do ta kujtoja si një eksperiencë të bukur. Mirëpo të them të drejtë, u gabova.
CMG: Çfarë kujton nga interpretimi yt i parë në skenë?
Saranda Imeri: Interpretimi im i parë në skenë ka qenë shumë herët diku nga mosha 12 vjeçare, kur më kërkuan të këndoja një këngë popullore në një aktivitet kulturor. Me thenë të drejtën hera e parë ishte një eksperiencë të cilën nuk arrita ta përballoja mirë nga emocionet, ndoshta për shkak të moshës së vogël. Mbaj mend se mu ngrinë këmbët dhe nuk po vazhdoja dot më interpretimin, ndërsa publiku filloi të më duartrokiste shumë fort dhe në atë moment më dha kurajo, guximin që të vazhdoja këngën deri në fund. Ishin ato duartrokitje, të cilat më mbushëm me emocione të bukura dhe unë ia dola të përfundoja këngën në atë skenë.
CMG: Ti albumin e realizove në moshë të re. Çfarë do të na tregosh më shumë për këtë?
Saranda Imeri: Albumi im i parë ishte diçka tjetër. Ishte një album me 10 këngë kryesisht të zhanrit pop- rrok, baladë, të cilat më flejnë shumë mirë në zemër dhe i këndoj mjaft mirë edhe sot. Ky ishte albumi i parë në Maqedoni me këngë të lehta dhe unë isha këngëtarja e parë në vitet '92-93. Ajo çfarë mbaj mend në atë kohë ishte atmosfera që krijohej kur regjistroja këngët në studio, shoqëria me kompozitorët, shakatë apo bisedat që bënim, temat që diskutonim, janë këto momente shumë të bukura që kujtoj gjatë realizimit të albumit tim të parë.
Saranda Imeri Nota Fest 1997
CMG: Si ndjehesh tani që kënga jote "Baby" i ka rezistuar kohës dhe këndohet ende sot nga të rinjtë?
Saranda Imeri: Të them të drejtën këngën "Baby" kur e kam dëgjuar për herë të parë si demo nuk e pëlqeva aspak, por organizatorët e festivalit “Nota Fest” insistuan që ta këndoja atë këngë dhe në fund pranova. Kur hyra në studio për të regjistruar dëgjova orkestrimin përfundimtar dhe të gjjthë elementët e tjerë që ju shtuan këngës, vokalet përcjellëse, kitara etj dhe normalisht që ndërrova mendim. Kur kam dalë për herë të parë duke kënduar këngën "Baby", publiku e mirëpriti dhe duartrokiti aq shumë saqë mendova se do fitoja unë vendin e parë, gjë që nuk ndodhi. Edhe pse këngë të tjera u vlerësuan në atë kohë "Baby" i rezistoi kohërave. Gjithashtu kjo këngë dëgjohet dhe këndohet shumë edhe nga gjeneratat e reja, të cilët nuk kishin lindur ende kur u prezantua për herë të parë kjo këngë. Më ndodh edhe sot sa herë që më shohin të rinjtë më këndojnë ende këngën "Baby" edhe pse unë kam kënduar edhe shumë këngë të tjera ndër vite.
CMG: Ti ke patur bashkëpunime me grupin “As Band”. Na trego pak më tepër për këtë?
Saranda Imeri: Grupi “As Band” është shtëpia ime e parë, dashuria ime e parë. Jam takuar me ta shumë herët që kur unë kam qenë në klasën e shtatë, koha kur fillova bashkëpunimin me këtë grup, bashkëpunim i cili vazhdon ende sot e kësaj dite. “As Band” është një grup familjar, i cili përbëhet nga katër anëtarë të cilët janë bashkëshorti im dhe vëllai i tij, si dhe djemtë e xhaxhait. “As Band” do të mbetet përherë kujtimi më i bukur.
CMG: Pas sa vitesh mungese u riktheve në skenë?
Saranda Imeri: Nuk mund të them se kam munguar në skenë. Ndoshta nuk kam qenë shumë aktive, por kam patur disa paraqitje në televizione, kam marrë pjesë dy herë në festivalin “Poli Fest” me dy këngë të bukura dhe kohë pas kohe kam patur ndonjë xhirim në televizionin e Maqedonisë.
CMG: Cili ishte personi që insistoi për të vazhduar muzikën?
Saranda Imeri: Që t’i rikthehesha muzikës nuk ka patur ndonjë person të veçantë që të ketë ndikuar tek unë, ka qenë thjesht dëshira ime për t’u kthyer pranë publikut. Muzika është nevojë e shpirtit, nuk është dëshirë, është e rëndësishme si puna e ushqimit ashtu edhe kënga për çdo artist. Isha vetë unë që insistova t’i kthehesha përsëri muzikës, jo në mënyrë intensive, por kohë pas kohë. Mendoj se është vendim i qëlluar dhe asnjëherë nuk pendohem për këtë.
CMG: Bashkëshorti yt është muzikanti i njohur, Armend Stafai. Të qënit në një profesion është fat, apo e kundërta e kësaj?
Saranda Imeri: Të kesh bashkëshortin në të njëjtin profesion është fat, por ndonjëherë edhe fatkeqësi. Në rastin tim ka qenë vërtetë fat sepse ne e kuptojmë mirë njëri-tjetrin dhe e dimë rëndësinë e punës. Të merresh me muzikë dihet që orari është tepër i ngarkuar, punohet natën, inçizimet zgjasin me orë të tëra dhe me partnerin kemi mirëkuptim në këto gjëra. Është fat sepse ne na ndodh që të punojmë edhe larg njëri-tjetrit, por e rëndësishme është se kudo ku të jemi ne mirëkuptohemi.
CMG: Gjatë periudhës së pandemisë ti ke kënduar edhe në karantinë, në një aktivitet të zhvilluar nga Qëndra Kulturore e Gostivarit. Na trego si shkoi kjo eksperiencë dhe si e priti publiku?
Saranda Imeri: Periudha e pandemisë na goditi të gjithëve, sidomos ne artistëve. Në kohën kur u mbyllën të gjithë në muajin mars të vitit të kaluar, ishte periudha kur ne kishim të prenotuar shumë angazhime dhe si rrjedhojë të gjitha u anulluan. Kjo ishte tepër e vështirë për ne si shpirtërisht ashtu edhe nga ana financiare, sepse artistët jetojnë nga muzika. Për të mos u mërzitur, drejtori i Pallatit të Kulturës në Gostivar mori iniciativën duke angazhuar të gjithë artistët e Gostivarit që të bënin nga një program të shkurtër muzikor, i cili do i servirej publikut në atë periudhë kohe kur të gjithë po rrinin në shtëpi. U mblodhëm dhe realizuam një koncert të shkurtër online. Mbaj mend atë natë kemi marrë telefonata të shumta dhe falenderime nga publiku, pasi koncerti pati një shikueshmëri tepër të lartë. Kjo ishte një kënaqësi e madhe për ne artistët që të argëtonim sado pak publikun në kohë pandemie.
CMG: Si është e përditshmja jote?
Saranda Imeri: Në përgjithësi e përditshmja ime është shumë e qetë. Nuk kam impenjime të mëdha gjatë ditës, pasi fëmijët e mi tashmë janë rritur. Çdo njeri ka angazhimet dhe përgjegjësitë e veta, kështu që mua më mbetet mjaft kohë të merrem me veten. Sa zgjohem më mëngjes konsumoj kafen e mëngjësit kryesisht vetëm, lexoj diçka e më pas bëhem gati për në punë. Kur vij nga puna përgatis drekën, në mbrëmje shohim ndonjë emision, sidomos programin "Opinion" nga Blendi Fejvziu. Ndërsa fundjavat i kemi shumë të ngarkuara.
CMG: Na trego pak për planet e tua në të ardhmen?
Saranda Imeri: Në plan të parë dua që të jem e lumtur ( qesh). Jam një tip tepër pozitiv dhe nuk merrem me cikërima shumë, shoh gjithmonë anën e mirë të gjërave, nuk merrem me anët e errëta. Unë kam kaluar shumë sfida në jetë dhe ato sfida kanë qenë për mua një mësim i mirë. Sa i takon muzikës jam duke punuar për një këngë, të cilën do e sjell edhe me videoklip gjithashtu do të realizoj edhe një këngë tjetër, e cila do transmetohet në programet e Vitin të Ri.
CMG: Shumë faleminderit Saranda! Suksese!
Saranda Imeri: Shumë faleminderit dhe ju që ndatë kohën me mua sot.
Intervistoi: Sava Lena