Tribute për Djemtë e Detit (foto nga koncerti)
“Tribute –Djemtë e Detit” u mbajt mbrëmjen e së enjtes në Amfiteatrin e Tiranës, ashtu siç u premtua nga organizatorja dhe prezantuesja Kozeta Kurti. Ishte një mbrëmje ku pati lot, por dhe mjaft emocione të bukura, këngë të cilat publiku njëzëri i shoqëronte refrenet e këngëve aq dashura për të gjithë. Edhe pse një mbrëmje e ftohtë vjeshte, publiku ishte më i zjarrtë se kurrë më pare, duke kërcyer nën ritmet e muzikës rrok dhe interpretuar bashkë me këngëtarët këngët “Ëndrrat që për ty i thura”,”Kohë pa ty”, “Jo tani”, “Si gjethet” “Badadë për Jakup Ferrin” etj. Një vëmendje e veçantë ju kushtua dhe krijimtarisë muzikore të papërfunduar të solistit të grupit, të ndjerit Gent Demaliaj. Surpriza e mbrëmjes ishte aktori Donald Shehu, i cili kishte një mision ndoshta të vështirë, duke u veshur nën lëkurën e këngëtarit të ndjerë Gent Demaliaj për të hapur këtë mbrëmje rroku dedikuar pikërisht atij, për t’i lënë më pas vendin këngëtares Edea Demaliaj, vajzës së artistit. Bashkëshortja e Gentit, Rudina solli në një koreografi të interpretuar nga dy të rinj, jetën e bukur e të vrullshme që ata kishin si çift, shoqëruar gjatë gjithë kohës me fotografi ndër vite të familjes Demaliaj. Nuk munguan edhe pjesëtarët e tjerë të grupit “Djemtë e Detit”, të cilët përshëndetën publikun dhe stafin organizativ me anë të një videomesazhi.
Në këtë koncert ishte gjithçka live që nga instrumentistët e mrekullueshëm ashtu edhe vokalistët, si të rinjtë që kapën pa asnjë problem notat më të larta, Eldis Arrnjeti, Mario Manceli, por edhe artistët e kolegët e Gentit të cilët e ndezën skenën, Aleksandër Gjoka, Aurela Gaçe, Albina Kelmendi, Rezarta Smaja, Redon Makashi, Gjergj Jorgaqi, Andi Tanko, Mateus Frroku, Lorenc Hasrama, Tiri Gjoci. Gentjan Demaliaj la një pasuri në krijimtarinë e muzikës shqiptare, këngë të cilat u kënduan dhe do të vazhdojnë të këndohen gjatë edhe nga brezat e ardhshëm.