Todi Gjeka është instrumentist i njohur i muzikës popullore shqiptare. Ai që në moshë të vogël u dashurua me instrumentin e klarinetës dhe që nga ajo kohë dhe deri sot vazhdon të ketë të njëjtin pasion për të. Ka marrë pjesë në shumë aktivitete muzikore në Shqipëri dhe diasporë. Instrumentisti Todi Gjeka ka realizuar edhe disa orkestrale të trevës së Myzeqesë dhe jugut të Shqipërisë, të cilat janë publikuar në kanalin YouTube. Në një intervistë për CMG instrumentisti Gjeka na tregon për jetën e tij artistike si dhe bashkëpunimet që ka pasur me muzikantë dhe këngëtarë të muzikës popullore.
CMG: Përshëndetje zoti Gjeka dhe faleminderit për pjesëmarrjen në emisionin Bio Folk.
Todi Gjeka: Faleminderit për ftesën dhe ndjehem i lumtur që marr pjesë në këtë emision.
Todi Gjeka me grupin e tij muzikor (Facebook)
CMG: Ju keni dekada që merreni me muzikën popullore. Si kanë qenë fillimet tuaja në këtë fushë?
Todi Gjeka: Unë kam filluar që në moshë të vogël të merrem me muzikë dhe në moshën 15 vjeçare kam filluar të luaj në instrumentin e klarinetës. Në fillimet e mia unë e kam pasur shumë qejf muzikën dhe merresha edhe me pipza në atë kohë, sepse isha i vogël dhe nuk kisha mundësi që të luaja në instrument. Qysh i vogël unë kam marrë pjesë nëpër koncerte, sepse ngaqë e kisha pasion shkoja gjithmonë në koncertet e organizuara para viteve 90-të në disa fshatra të Myzeqesë. Disa vite më vonë, nga dëshira që luaja me pipëz më thonin të gjithë që luaja mirë dhe pse mos të merresha me klarinetën. Kështu që dalëngadalë më hyri në qejf dhe fillova të luaja në instrumentin e klarinetës.
Në moshën 16 vjeçare fillova të luaja në klarinetë dhe më vonë mora pjesë në koncerte dhe festa të ndryshme familjare.
Unë e kisha shumë pasion klarinetën dhe e mësova shumë shpejt këtë instrument. Disa vite më vonë, para viteve 80-të shkova dhe u regjistrova në një kurs për muzikë në Tiranë.
Todi Gjeka me kengetaren Rilinda Velaj (Facebook)
CMG: Ju keni qenë pjesë edhe e ansamblit popullor të qytetit të Lushnjes. Çfarë kujtoni nga ajo kohë me këtë ansambël?
Todi Gjeka: Po është e vërtetë që unë kam qenë edhe me ansamblin e Lushnjes, ku më kujtohet që në ato vite organizoheshin shumë festa, si festa e 25 nëntorit dhe festa e ndarjes së tapive në Myzeqe. Në ato vite kemi bërë koncerte me artisten e madhe Vaçe Zela, me Hysni Zelën dhe shumë artistë të njohur të zonës së Myzeqesë dhe të gjithë trevës së jugut. Pavarësisht se unë origjinën e kam nga Myzeqeja, por luaj dhe trevën e Përmetit, trevën e zonës së Labërisë nga Gjirokastra, si dhe nga Korça. Gjithashtu me klarinetë luaj muzikë nga trevat e tjera të vendit sepse na ka bërë puna që t’i mësojmë të gjitha trevat dhe të jemi sa më pranë publikut.
CMG: Me kë keni bashkëpunuar për realizimin e orkestraleve tuaja popullore, të cilat janë të publikuara dhe në YouTube?
Todi Gjeka: Unë për realizimin e orkestraleve kam bashkëpunuar me orkestruesin Agim Xhemali, i cili është shoku dhe kolegu im prej shumë vitesh dhe që nga koha që unë erdha në Tiranë kemi punuar bashkë. Kemi realizuar shumë pjesë instrumentale, por edhe regjistrime të këngëve me këngëtarë të ndryshëm të muzikës popullore. Para disa vitesh bashkë me Agimin dhe disa këngëtarë shkuam edhe në Australinë e largët për disa koncerte.
CMG: Kjo besoj ka qenë një eksperiencë e bukur në Australi. Na tregoni pak si u pritët nga publiku shqiptar në Australi.
Todi Gjeka: Në Australi na bënë një pritje shumë të mirë që nuk e kishim parë asnjëherë më parë. Gjithë shqiptarët që jetonin atje na kanë bërë një pritje madhështore dhe gjëja më e mirë ishte se ata kishin kënaqësi që unë luaja në instrumentin e klarinetës kabanë me të qarë, kabanë e Përmetit dhe kabanë e Usta Laver Bariut. Ata në çdo moment emocionoheshin dhe na ftonin nëpër shtëpitë e tyre që të luanim muzikë. Ne dhamë disa koncerte edhe në sallat koncertore për një pubik më të madh. Bashkë me mua të ftuar ishin edhe disa këngëtarë të polifonisë si Xhevahir Bora dhe Nesim Mano si dhe këngëtaret e mrënjohura të muzikës popullore të jugut Rovena Ibrahimi dhe Rilinda Velaj.
Todi Gjeka ne interviste per CMG
CMG: Këtë vit sa ka ndikuar tek ju pandemia në lidhje me aktivitetet muzikore?
Todi Gjeka: Koha e pandemisë me të thënë të drejtën si për të gjithë muzikantët, instrumentistët dhe këngëtarët ka ndikuar jo mirë sepse edhe koncertet dhe festat familjare kanë qenë të kufizuara. Këtë vit ka qenë diçka më ndryshe, por jo ajo punë që kemi pasur para pandemisë.
CMG: Sa orë në ditë ja kushtoni klarinetës?
Todi Gjeka: Unë me klarinetën studioj çdo ditë të paktën dy orë, sepse unë instrumentin e kam pasionin më të madh dhe nuk mund të rri dot pa studiuar çdo ditë.
Todi Gjeka me Ansamblin e Lushnjes dhe artisten e madhe Vace Zela para viteve 90 (Fzcebook)
CMG: Së fundi një përshëndetje për të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani.
Todi Gjeka: Përshëndes të gjithë dëgjuesit kudo që ndodhen si në Shqipëri ashtu edhe ata që jetojnë jashtë vendit.
Intervistoi: Gazmend Agaj