Këngëtari i njohur Vedat Ademi pas një karriere të pasur muzikore në Shqipëri, prej pesë vitesh bashkë me familjen jeton në SHBA. Edhe pse larg, ai nuk i ka munguar publikut, fansave të tij me materiale të reja muzikore ku vazhdon të jetë mjaft aktiv edhe me videoklipe. Vetëm këtë vit ai ka realizuar disa këngë shoqëruar me videoklipe si “Kënga jonë”, “Do vij” dhe këngën “Edhe një herë”, të cilën e solli në duet me këngëtaren Redina Trieshi. Në një intervistë ekskluzive për Radio Ejani Vedat Ademi flet për pushimet verore në Shqipëri, jetën në SHBA si dhe planet për të ardhmen.
Vedati ne skene (Foto nga instagrami)
CMG: Përshëndetje Vedat! Mirë se erdhe në programin “Muzika shqip”!
Vedat Ademi: Përshëndetje Sava! Kur realizuam intervistën e kaluar isha jashtë vendit dhe të premtova që do të vij nga Amerika për emision dhe ja ku jemi.
CMG: Ti shpesh vjen e ikën, ikën e vjen, duke sjellë përherë materiale të reja muzikore për publikun tënd. Thonë se, Amerika është vendi i ëndrrave, po për ty si ka qenë aty?
Vedat Ademi: U bënë gati 10 vite që unë shkoj e vij, ndërsa prej pesë vitesh jetoj në Nju Jork bashkë me familjen. Mendoj se në asnjë vend njeriu nuk plotësohet me të gjitha ato që kërkon, por unë jam falenderues për gjithë kohën që kam kaluar aty, si dhe mbështetjen e miqve që kam aty. Rininë time e kam kaluar në Mitrovicë, më pas për 15 vite jetova në Tiranë, qytet i cili u bë si shtëpia ime e dytë. Më pas në Amerikë. Në fillim e kisha disi të vështirë që të largohesha, por ishte një vendim të cilin e morëm dhe nuk jemi pishman. Mendoj se do qëndrojmë aq kohë sa ta shohim të arsyeshme se si do jetë.
CMG: Në një intervistë vite më parë ke thënë; “Sapo të marr pasaportën amerikane, do vij të jetoj përgjithmonë në Shqipëri.” A i qëndron sërish këtij mendimi?
Vedat Ademi: Nuk mund të them po apo jo, por mund të them se unë kam investuar për shumë vite në muzikë për karrierën time gjithashtu edhe bashkëshortja ime në profesionin e saj si ekonomiste. Tirana është një vend që unë e dua shumë, ndoshta tani është herët për të vendosur, por nuk është jashtë mundësive. Këtë vit pajisem me pasaportë amerikane, më pas të shohim se si mund të vendosim, por është një vendim që duhet parë me kujdes.
Vedati me pushime ne jug te Shqiperise -Vere 2021 (foto nga instragrami)
CMG: Ti ke lënë këtu karrierën tënde muzikore, ishe në kulmin e suksesit. Sa i vështirë ishte vendimi për t’u larguar?
Vedat Ademi: Në biseda të ndryshme të gjithë thonë që mendojnë për të ardhmen e fëmijëve, por unë do thoja, në rast se ne nuk jemi mirë, nuk janë as fëmijët, por nëse ne jemi mirë, ndjehemi komod patjetër që do i japim mundësi edhe fëmijëve për një shkollim më të mirë. E vërtetë është që Amerika të jep shumë mundësi, madje janë të shumtë shqiptarët të cilët kanë ardhur dhe e kanë zhvilluar jetën këtu, por çdo fillim ka vështirësitë e veta, më pas shumë kanë arrritur me biznese të suksesshme.
Në Shqipëri unë kam patur një aktivitet shumë të ngjeshur ku për 15 vite me rradhë kam performuar pesë herë në javë nëpër klube të ndryshme live dhe për mua ishte disi i vështirë ndryshimi, pasi në Amerikë aktiviteti është më i vogël. Komuniteti shqiptar është i madh, por nuk ka festa në mënyrë të vazhdueshme. Jam munduar që të marr pjesë në aktivitete me komunitetin shqiptar, gjithashtu kam interpretuar live edhe me grupe të huaja apo amerikane.
CMG: Ti ke qenë në Shqipëri gjatë sezonit veror, ku edhe ke performuar live. A ishte ende ai publiku i zjarrtë si dikur?
Vedat Ademi: Patjetër që po. Gjithësecili përfaqëson muzikën e vet në tregun muzikor edhe unë kam publikun tim besnik, i cili më ndjek gjithmonë me të rejat e mia. Patjetër që më kishin munguar netët live dhe i falenderoj të gjithë ata të cilët kanë qenë prezent në çdo mbrëmje muzikore apo koncert, e kam shijuar me bollëk.
Redina Trieshi & Vedat Ademi (foto nga instragrami)
CMG: Në intervistën e kaluar folëm pak për këngën “ Dua të iki larg” dhe më pas ti ike shumë larg prej këtu. Më premtove se do të bëje një këngë “Do vij” dhe e mbajte fjalën, këtë verë solle pikërisht këngët “Do vij” si dhe bashkëpunimin me Redina Trieshin “Edhe një herë”. E ke ndarë përfundimisht mendjen se çfarë do bësh në vazhdim?!
Vedat Ademi: Të thashë do vij dhe e mbajta premtimin, ja ku erdha e bashkë me mua erdhën dhe këngët e reja. Dua të të falenderoj ty Sava se më ke dhënë një ide shumë të veçantë për të realizuar një këngë me të gjitha titujt e këngëve të mia, të cilat për hir të së vërtetës shkonin shumë me njëra-tjetrën… Më ngacmoi ajo ide dhe duhet të ulem e ta shoh me detaje se çfarë duhet t’i shtoj që të ketë një kuptim, por mendoj se do tingëllojë bukur, do dalë një tekst shumë i veçantë.
CMG: Planet e tua në ardhmen ku i sheh?
Vedat Ademi: Nuk dua të tregohem egoist e të mendoj vetëm për veten time, por mendoj se aty ku e gjithë familja ime ndjehet mirë do jem edhe unë. Jam munduar që të mos i mungoj publikut tim të dashur me këngë dhe krijime të reja muzikore. Nuk e kam problem që të vij në Shqipëri 5 apo 10 herë në vit, sa herë që unë do të duhem këtu apo mund të lindë nevoja për të qenë pranë familjarëve apo edhe të gjithë atyre që e kanë mbështetur karrierën, muzikën time në gjithë këto vite.
CMG: Dikur ke premtuar për një koncert recital. Na trego se kur e mendon si projekt?
Vedat Ademi: Këtu unë e bëj një gabim që premtoj shpejt e pastaj më duhet të forcohem për ta bërë sa më shpejt (qesh).
Vedati Ademi ne SHBA (foto nga instragrami)
CMG: E rëndësishme është idea, pastaj ne presim...
Vedat Ademi: Në të vërtetë kam shumë ide, ku disa prej tyre i kam shpalosur. Kur nisem nga Nju Jorku, i bëj si planet familjare ashtu edhe ato artistike. Disa realizohen e disa të tjera zbehen rrugës për shkak të pamundësive që dalin. Vera e këtij viti ishte shumë e ngarkuar me pushime, me vizita familjare se ne jemi dhe shumë fis i madh, ndoshta e lë pak veten time anash, për t’i takuar të gjithë, por edhe me kohën e përkushtuar me performancat live, etj. Shpresoj që të vij vetë përsëri dhe të shoh me kujdes edhe mundësitë që mund të më krijohen për të realizuar këtë projekt. Idea ka qenë më herët për të bërë një album, por të gjitha kanë qenë opsionale, në varësi të mundësive që krijohen rrugës. Dashtë Zoti që situata të mos jetë problematike prej pandemisë, në mënyrë që të lëvizim lirshëm, e të ushtrojmë aktivitetet artistike.
CMG: Si i realizon këngët kur je në Amerikë?
Vedat Ademi: Kam disa opsione ku unë regjistroj këngët në Amerikë. Në fillim marr muzikën nga artistë shumë të mirë shqiptarë, shkoj më pas në një studio muzikore të cilën e marr me qira për disa orë, regjistroj zërin në kompjuter në fund kënga punohet deri në momentin që është gati për transmetim. Tashmë teknologjia ka përparuar që mund të punojmë edhe në distancë.
CMG: Një thënie e lashtë e cila i ka rezistuar kohërave është: “Pas një burri të suksesshëm, qëndron një grua e fortë”. Sa e vërtetë është kjo për ty?
Vedat Ademi me familjen (foto nga instragrami)
Vedat Ademi: Jam vërtetë falenderues për personin që kam zgjedhur në jetën time. Ka qenë një mbështetje e jashtëzakonshme për mua, pasi nuk është e lehtë për një grua të ketë bashkëshortin artist, pasi artisti është gjatë gjithë kohës larg shtëpisë dhe Dorela ma ka bërë punën shumë të thjeshtë. Por edhe unë jam një bashkëshort i mirë, nuk e kam lënë asnjëherë familjen anash, di të bëj shumë mirë detyrën e bashkëshortit dhe babait. Kemi plotësuar njëri-tjetrin dhe kemi qenë në mbështetje të njëri-tjetrit vazhdimisht. Dashtë Zoti të jemi kështu gjithë jetën.
CMG: Të kam ndjekur në një intervistë televizive, ku të shihnim si një baba të shkëlqyer. A je vërtetë një bashkëshort e një baba kaq i përkushtuar në familje?
Vedat Ademi: Vërtetë jam dhe ndjehem krenar për këtë. Ata janë fëmijët e mi e të bashkëshortes time, kështu është detyrë e të dy prindërve, kush më shumë e kush më pak, në varësi të mundësisë dhe të kohës. Në Amerikë kam patur unë më shumë kohë të lirë që të merrem me fëmijët dhe ndjehem vërtetë krenar për këtë.
Vedat Ademi intervistë për CMG
CMG: Lum prindërit, bashkëshortja dhe fëmijët që të kanë, e lum ne që të kemi një artist të mirë të skenës shqiptare!
Vedat Ademi: Shumë faleminderit për intervistën Sava! Me kënaqësi do vij sërish për të treguar të rejat dhe projektet e mia muzikore. Uroj që të jeni të gjithë mirë me shëndet e të shihemi së shpejti me projekte të reja!
Intervistoi: Sava Lena