Më 27 Tetor 2021 ora 19.30 në Amfiteatrin e Tiranës do të mbahet një koncert kushtuar artistit Gentjan Demaliaj, solisti i grupit “Djemtë e Detit”, i cili është ndarë nga jeta. Në këtë koncert do jenë të pranishëm për të interpretuar këngët, hitet e tij ndër vite, emra të njohur të muzikës shqiptare si Aleksandër Gjoka, Aurela Gaçe, Redon Makashi, Gjergj Jorgaqi, Rezarta Smaja, Mateus Frroku, Albina Kelmendi, Lorenc Hasrama, Tiri Gjoci, Andi Tanko, Mario Manceli, Eldis Arrnjeti gjithashtu edhe vajza e tij Edea Demaliaj. Muzika që Gentjan Demaliaj ka lënë, kjo krijimtari e pasur muzikore, duhet të kujtohet herë pas here duke ua përcjellë edhe brezave të rinj.


Edicioni i gjashtë i Festivalit të Këngës Qytetare “Luleborë”

Së shpejti do të mbahet në qytetin e Shkodrës Festivali i këngës qytetare “Luleborë”, i organizuar nga Bashkia e qytetit verior për të gjashtin vit radhazi, i cili do të sjellë një gërshetim brezash krijuesish e interpretuesish të këngës shkodrane. Edhe këtë vit kompozitorë, poetë dhe këngëtarë janë bënë pjesë e këtij festivali për t’i dhuruar spektatorit këngë të reja qytetare shkodrane. Nën drejtimin artistik të Shpëtim Saraçit dhe Markelian Kapedanit, këtë festival do ta prezantojnë Enkel Demi dhe Rosela Gjylbegu.

Festivali “Luleborë” ka si qëllim të risjellë tek publiku këngët qytetare, duke i dhënë një dimension të ri, duke nxitur profesionalizmin dhe nivelin e lartë artistik, përmes interpretimit “live” të çdo elementi të këtij festivali. Me skenar nga Ermira Alija dhe regji nga Rita Gjeka Kacarosi ky aktivitet do të mbahet më datat 29-30 Tetor 2021, ora 19.00.


Ghetto Geasy, Majk dhe Xhensila Myrtezaj sjellin këngën “Mëkati jem”

Ka disa muaj që është përfolur në media për bashkëpunimin midis artistëve Ghetto Geasy, Majk dhe Xhensila Myrtezaj. Ata kanë bashkuar forcat për një projekt të përbashkët. Kënga, e cila u publikua të mërkurën mban titullin “Mëkati jem”. Këngëtarët këtë herë kanë ndryshuar paraqitjen e tyre për këtë videoklip. Getoari, si asnjëherë më parë u shfaq me flokë të prerë anash dhe pjesën tjetër të lëshuar. Ndërsa ndryshimin më drastik e ka bërë këngëtarja, Xhensila Myrtezaj e cila vetëm pak javë më parë postoi në rrjetet sociale foto me flokë të prerë shkurt, që mesa duket ka qenë posaçërisht për projektin e ri. Teksti i këngës është shkruar nga Majk dhe Getoar Selimi, ndërsa ky i fudit është edhe producenti i këtij projekti muzikor.

Përgatiti: Sava Lena