Jon Tarifa është këngëtar dhe autor këngësh shqiptar, por i rritur jashtë vendit ku dhe ka studiuar. Ai e ka ndërtuar jetën në Hollandë, aty ku po korr dhe frytet e punës së tij disa vjeçare. Djaloshi nga Tirana, i cili profesion ka marketingun, shoqërohet çdo ditë nga muzika. Që të ecësh në tregun e muzikës hollandeze, sidomos si një i huaj, për të ka qenë mjaft e vështirë, pasi shkalla e konkurrencës ka qenë shumë e madhe, por gjithsesi Jon Tarifa ja ka dalë me sukses. Kënga e tij “Focus” u ngjit në vendin e parë të klasifikimit në një prej radiostacioneve më të mëdha në Hollandë, “FunX Radio”.
Jnn Tarifa në koncert (Instagram)
Joni ka shumë dëshirë që suksesin e tij në Hollandë ta sjellë edhe në Shqipëri. Shumë sukses ka patur gjithashtu kënga “We Can Make It", një bashkëpunim me këngëtarin Mame Balla. Jon Tarifa prezantoi videoklipin e këngës "Together" në spektaklin “Netët e klipit shqiptar” në vitin 2015, në një duet me kushërirën e tij këngëtaren Eneda Tarifa. Kanë qenë të shumta bashkëpunimet që ai ka sjellë me artistë të ndryshëm. Për herë të dytë Joni u prezantua në spektaklin “Netët e klipit shqiptar 2021” me këngën “Don't Think About Tomorrow". Momentalisht është shpërngulur për pak kohë me familjen në Bali të Indonezisë, ku xhiroi së fundi edhe videoklipin e këngës "Give You Everything", një dedikim për bashkëshorten, me rastin e ditëlindjes së saj.
CMG: Përshëndetje Jon! Si po kalon në Bali?
Jon Tarifa: Përshëndetje Sava! Uroj të jeni sa më mirë dhe faleminderit për ftesën. Në Bali po kalojmë mjaft bukur dhe po kënaqemi jashtë mase, sidomos vajza jonë, Olivia e cila po kënaqet çdo ditë në këtë vend kaq të bukur.
CMG: Je duke bërë pushime të gjata, apo je shpërngulur përfundimisht në Bali?
Jon Tarifa: Ne kemi ardhur këtej për një ose dy vite, sepse aq kohë duhet deri kur Olivia të fillojë shkollën. Më pas kemi ndërmend të kthehemi sërish në Hollandë, ku banojmë dhe kemi shtëpinë tonë.
Jon Tarifa me familjen në Bali (Instagram)
CMG: Si do e krahasoje jetën tënde prej vitesh në Hollandë dhe tani?
Jon Tarifa: Ka shumë ndryshime në fakt, por ndryshimi më i madh është që në Hollandë ishim gjatë gjithë kohës duke punuar dhe nuk kishim shumë kohë të merreshim me vajzën. Kemi qenë të angazhuar me punë dhe jetën e përditshme dhe harronim të shijonim njeri-tjetrin. Gjatë pandemisë ne ishim të mbyllur në shtëpi duke punuar. Kurse këtej jemi më të lirë, kalojmë gjithë ditën së bashku me Olivian. Plus që koha në Hollande nuk krahasohet dot me kohën këtu në Bali, ku temperatura është po thuajse 30 gradë gjatë gjithë vitit dhe jetojmë vetëm dy minuta larg plazhit.
CMG: Së fundi ke sjellë një dedikim për bashkëshorten videoklipin e këngës "Give you Everything".Na trego disa detaje rreth këtij projekti dhe pse pikërisht tani?
Jon Tarifa: E vërtetë. Para disa ditësh unë kam publikuar këngën time më të re “Give You Everything”. Këtë këngë e kam shkruar dhe regjistruar në Hollandë, para se të vinim në Bali. E kisha gjithçka gati të masterizuar dhe mendova ta publikoja më datë 28 Shtator kur bashkëshortja ime, Kimberly kishte ditëlindjen. Kjo këngë është realizuar posaçërisht për të, dhe ja dedikova asaj për 33 vjetorin.
Jon Tarifa me bashkëshorten Kim në Bali (Instagram)
CMG: Si është pritur ky videoklip duke qenë se jeni bashkë protagonistë të saj?
Jon Tarifa: Ky videoklip është xhiruar këtu në Bali dhe me aq sa kam vënë re, është pritur shumë mirë dhe më kanë ardhur disa mesazhe nga Shqipëria si dhe nga Hollanda që njerëzve i ka pëlqyer shumë. Me këtë rast, kanë parë dhe disa pamje të bukura nga Bali. Jam mjaft i kënaqur për pritshmërinë pasi dhe videoklipin bashkë me montazhin i kam realizuar vetë dhe është hera e parë që gjithçka mban firmën time.
CMG: Ti je bërë edhe baba. Si është kjo ndjesi për ty?
Jon Tarifa: Nuk di se si mund t’jua shpjegoj, por është kënaqësia më e madhe që kam patur gjatë gjithë jetës sime. Olivia tani eshte dy vjeç e gjysmë dhe vazhdon të na pasurojë jetën ditë për ditë me dashurinë e saj, sa herë që ajo buzëqesh. Ne lëvizëm për në Bali pikërisht për të shijuar këto vitet e para me të dhe të kalonim sa më shumë kohë së bashku, përpara se ajo të rritet dhe të fillojë shkollën.
CMG: Në një ditë normale, sa kohë kalon ti në studion e regjistrimin?
Jon Tarifa: Këtu në Bali, jo edhe aq shumë se unë herë pas here shkruaj këngë edhe në shtëpi pa shkuar në studio. Ndërsa në Hollandë, zakonisht mund të kaloja një ditë të tërë në studio nga mëngjesi deri në darkë. Disa herë kam qëndruar edhe gjatë natës, deri sa projekti të mbaronte. Kur të kap frymëzimi e harron fare kohën, je në një zonë tjetër dhe nuk e ke haberin e kohës që ecën apo mbase nëse ka ardhur vakti për të grënë. Kjo më ka ndodhur shpesh dhe mua.
Jon Tarifa ne Bali
CMG: Ti e konsideron këngën pasion dhe jo profesion. Por na trego pak për punën tënde të përditshme..
Jon Tarifa: Po, për mua muzika është pasion dhe pa atë unë jam i njejti person. Përveç muzikës, në Hollandë punoja full -time, në një organizatë ndërkombëtare ku jam marë me marketingun. Ndërsa këtu në Bali vazhdoj të merem me marketing, por më shume si “freelancer”, kam disa projekte në Hollandë të cilat mund t’i bëj edhe online që këtej.
CMG: Si është të jesh në qëndër të vëmendjes në tregun hollandez?
Jon Tarifa: T’ju them të drejtën, që kur jam bërë baba në vitin 2019, mund të jem marrë më pak me muzikë, por para asaj kohe kam qenë mjaft i angazhuar, madje kam publikuar shumë këngë dhe albume, kam dhënë koncerte javë për javë. Disa nga këngët e mia kanë qenë në krye të top-listave në radiot hollandeze ku edhe jam ftuar shpesh nëpër intervista në televizione dhe radio. Në fillim, gjithçka mu duk si e pabesueshme, më pas dalëngadalë u mësova, gjithsesi kam qenë gjithnjë dhe vazhdoj të jem shumë mirënjohës për këtë mundësi që më është dhënë.
Jon Tarifa ne koncert (Instagram)
CMG: Ti ke vite që realizon këngë në gjuhën angleze. Ke menduar që në të ardhmen të sjellësh edhe këngë në gjuhën shqipe?
Jon Tarifa: Patjetër, madje e kam menduar disa herë dhe ka disa producentë në Hollandë që duan të bashkëpunojnë me mua po të bëj këngë në gjuhën shqipe. Them se së shpejti mund t’ju bëj ndonjë surprizë të bukur.
CMG: Cilat janë projektet e reja muzikore?
Jon Tarifa: Së shpejti do publikoj dy këngë të reja, të cilat janë regjistruar dhe xhiruar në Hollandë. Janë pothuajse gati, vetëm videoklipi do dhe pak punë sa të përfundojë. Njëra këngë titullohet “When I Was Younger” dhe e dyta është “Slow Down”.
CMG: Shumë faleminderit për këtë bisedë. Suksese!
Jon Tarifa: Ju lutem, faleminderit juve. Ju përshëndes nga Bali i Indonezisë, nga ana tjetër e botës. Ju uroj gjithë të mirat dhe mirupafshim!
Intervistoi: Sava Lena
Jon dhe Eneda Tarifa (Instagram)