Bruno Pollogati e ka nisur herët muzikën. Pjesëmarrjet e tij në një skenë të njohur ka qenë në vitin 2005, ku së bashku me Febin ata u prezantuan në Top Fest 2 si grupi “Revolt Klan” me këngën “Përgjithmonë me ty”. Më pas vërshuan prezantimet e tyre në festivalet Kënga Magjike, Festivsli i RTSH-së, Çelësi muzikor, Netët e Klipit shqiptar, etj. Ata kanë dhuruar muzikë për publikun shqiptar, por jo vetëm, pasi këngët dhe videoklipet e tyre janë transmetuar edhe jashtë vendit.
Kulmi i suksesit për ta si grup ishte bashkëpunimi me artistin e njohur rumun Mario Bischin me këngën "Id Lover" në vitin 2010, ku ata sollën frymën e bashkëpunimit me artistë të huaj “duke thyer akullin”, për të vazhduar shumë të tjerë më pas. Prej dy vitesh Bruno Pollogati ka ardhur ndryshe për publikun, si solist për t’u rikthyer shumë shpejt me një projekt me grupin “Revolt Klan”.
CMG: Përshëndetje Bruno! Të pëlqen të të thërras Bruno Pollogati, apo Bruno i Revoltit?
Bruno Pollogati: Si të duash më thirr!
CMG: Po fansat si të thërrasin?
Bruno Pollogati: Më thërrasin Bruno, por më shumë Bruno i Revoltit. Sido që të jetë, ndjehem mirë.
CMG: Në grupin tuaj, cili revoltohej më shumë, ti apo Febi?
Bruno Pollogati: Për të mirën e punës, të dy (qesh).
CMG: Të flasim pak për këngën tënde më të re si solist “I don”. Një vlonjat, që këndon kaq bukur gegërisht!
Bruno Pollogati: Ma kanë thënë shumë persona këtë. Është një eksperiencë e re për mua, jo e vështirë, por pak e sikletshme. Tekstin e këngës e ka bërë Endrit Mumajesi apo shkurt MUMA, një tekstshkrues shumë i mirë. Pata një disktim me të, në lidhje me mënyrën e të kënduarit, sepse unë nuk ja them mirë të kënduarit gegërisht, por ai më bindi pasi kjo mënyrë e të kënduari bëhet çdo ditë dhe kështu më qetësoi.
Mendoj se kënga më ka qëndruar mirë dhe patjetër që e kam ndjerë dhe veten komod. Nga publiku duket se kënga është pritur mjaft mirë deri tani dhe nuk kam patur kritika, por ju gazetarët i shihni më me detaje këto gjëra (qesh).
CMG: Si e kanë pritur vlonjatët këngën “I don”?
Bruno Pollogati: E kanë pritur shumë mirë. Kjo mënyrë e të kënduarit është bërë shumë trend kohët e fundit. Doli pak vonë se është me ritme verore, por planet nuk ecin gjithmonë ashtu si i menduam, por e rëndësishme është që është pritur shumë mirë.
CMG: Këtë herë mos është synimi yt tregu muzikor i Kosovës?
Bruno Pollogati: Synimi im është që të nxjerr material të bukura dhe të eci gjithmonë përpara, por synimi im nuk është vetëm për Kosovën, edhe pse në të vërtetë na ka pëlqyer me këngët që kemi bërë, por thjesht uroj që të pëqehet sa më shumë.
CMG: Ke qenë shumë produktiv kohët e fundit, përveç këngës “I don” ti ke sjellë dhe këngën “Dashuri” në muajin gusht. Është një dedikim?
Bruno Pollogati: Kënga “Dashuri” është komplet tjetër si këngë, në ritëm e në çdo gjë, të cilën e ka punuar Pirro Çako dhe Edlir Begolli. Ja kam dedikuar dashurisë së vërtetë, bashkëshortes time. Kjo këngë erdhi si një surprizë ditën e dasmës dhe u prit shumë mirë. Pjesë të videoklipit janë marrë nga xhirimet e dasmës sonë. Janë dy këngë shumë ndryshe nga njëra- tjetra, por që të dyja janë pritur mjaft mirë nga publiku.
CMG: Duke qenë një këngë surprizë edhe ajo e dëgjoi në dasmë për herë të parë?
Bruno Pollogati: Po, në momentin e dasmës.
CMG: Ti e interpretove këngën live në dasmë?
Bruno Pollogati: Po. Kjo ndodhi nga fundi i dasmës, kur unë mora mikrofonin dhe u thashë të gjithë të ftuarve që kisha një surprizë. Në atë moment prezantova për herë të parë këngën “Dashuri” dhe u thashë të ftuarve të përgatiteshin se do dilnin të gjithë në videoklip dhe në televizion (qesh).
CMG: Ka ndonjë detaj që nuk e dimë ne për këngën “Dashuri”, apo dhe për dashurinë tënde të zjarrtë?
Bruno Pollogati: Sa i takon dasmës ajo erdhi pas tetë vjetësh njohje dhe katër viteve bashkëjetesë.
CMG: Një dasmë hermetike dhe një videoklip ku shohim të gjithë dasmën tënde. Ishte kënga dhe videoklipi i këngës “Dashuri” e ndjerë vërtetë, apo e kishe menduar për show?
Bruno Pollogati: Në të vërtetë ishte një dasmë disi hermetike, ishte një dasmë e vogël, miqtë nuk i ftova të gjithë, sepse ishte diçka familjare dhe me thënë të drejtën më pëlqen pak privatësia.
CMG: Bruno, por dasma jote u bë publike…
Bruno Pollogati: Në videoklip kanë qenë vetëm disa momente, jo e gjithë dasma (qesh).
CMG: Si ndjehesh tani, pasi e dogje shaminë e beqarit?
Bruno Pollogati: Mirë që më kujtove! Të vetmen gjë që nuk e bëra në dasmë, nuk e dogja shaminë e beqarit. Dhe më e bukura është se u kujtova pas dy javësh, që e kisha harruar të digjja shaminë e beqarit.
CMG: Ti dhe Febi keni patur mjaft sukses si grup muzikor me “Revolt Klan”, ku keni prezantuar shumë bashkëpunime, hite, por dhe mjaft pjesëmarrje në festivale të ndryshme. Si është marrëdhënia juaj sot?
Bruno Pollogati: Marrëdhënia ime me Febin ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë shumë e mirë. Jemi duke punuar për një pojekt të ri me një kompozitor vlonjat, Iris Kaso dhe besoj se shumë shpejt përfundon demoja e këngës.
CMG: Paralelisht me këngën ti jep edhe mësime muzike?
Bruno Pollogati: E vërtetë. Paralelisht jam duke dhënë leksione për kanto, muzikë dhe është një nga profesionet që e kam pjesë të jetës time. Kam 20 vite që kam studiuar në Akademinë e arteve për muzikë. Kam gjithë këto vite që kam krijuar dhe tani gjithçka dua ta transmetoj te fëmijët, te brezat e ardhshëm.
CMG: Ty të plotëson më shumë mësimdhënia, apo një pjesëmarrje në festival?
Bruno Pollogati: Çdo gjë ka bukurinë e vet. Të punoj me fëmijët e ndjej veten shumë me fat, se jap dashuri dhe marr nga fëmijët. Kur shoh fëmijë të talentuar është kënaqësi të punoj me ta, aq më tepër kur e shoh që ecin përpara ndjehem mirë që kanë qenë studentët e mi. Ky është vlerësim i madh. Ndërsa koncertet, festivalet i kam prekur që në moshën e adoleshëncës, nuk i ndaj dot sepse secila prej tyre ka emocionin dhe bukurinë e vet.
CMG: Cili ka qenë bashkëpunimi yt më i veçantë, por edhe që publiku e do fort?
Bruno Pollogati: Bashkëpunimi i parë i joni, por edhe ndër të parat bashkëpunime midis artistëve shqiptarë me artistë të huaj. Ne patëm fatin të realizonim hitin e këngën “ID Lover” me këngëtarin e njohur rumun Mario Bischin. Dhe atëherë mediet shkruanin “artistët shqiptarë që thyejnë akullin me një bashkëpunim me artistë të huaj”. Unë në atë kohë isha 19 vjeç dhe për mua ishte një emocion shumë i madh. Kjo gjë u realizua falë Febit, i cili përveç se pjesë e grupit “Revolt Klan” ishte edhe menaxheri i grupit. Nuk mund ta përcaktoj se cila është ka qenë më e suksesshme…
CMG: Mendoni që të realizoni sërish bashkëpunime të tilla meqënëse në ato fillime keni thyer akullin, a do të keni sërish bashkëpunime me “Revolt Klan”?
Bruno Pollogati: Kur të realizohet demo-ja e këngës do shohim nëse ka nevojë për një bashkëpunim apo jo. Ne na ka ndodhur edhe një herë kur kemi qenë duke punuar në studio, kishim një këngë si serenatë dhe menjëherë na vajti mendja për të bashkëpunuar me këngëtaren Eli Fara. E kush më bukur se ajo mund ta këndonte një serenatë! Kështu erdhi dhe ai bashkëpunim.
CMG: Fundviti do ju gjejë bashkë si “Revolt Klan”?
Bruno Pollogati: Unë i solla këngët solo, për Febin nuk e di nëse ka ndonjë projekt vetëm, por për mua projekti i ardhshëm do të jetë me grupin “Revolt Klan”. Nuk mund të them fundi i këtij viti, apo fillim i vitit tjetër.
CMG: Si është marrëdhënia juaj me fansat?
Bruno Pollogati: Marrëdhënia ime me fansat është shumë e mirë dhe këngët i kanë pritur shumë mirë, nuk i kam zhgënjyer deri tani.
CMG: A i takon fansat?
Bruno Pollogati: Natyrisht që edhe i takon, u jap dhe marr dashuri për aq kohë sa kam mundësi dhe aq kohë sa mundemi. Por ka edhe fansa specialë me aftësi të veçanta, siç është vajza me emrin Ana Cara. Ajo së fundi ka botuar një libër dhe dua t’i ftoj të gjithë dëgjuesit që ta lexojnë librin e saj se do ndjehen vërtetë shumë mirë. Kjo është fansja që më ka emocionuar shumë. Unë shkova në promovimin e librit të saj dhe këndova për të. Ajo u surprizua dhe më tha se i dëgjon këngët e mia edhe kur shkon të flerë. Një emocion shumë i veçantë, i cili më ka bërë që të luftojë më shumë për veten time.
U bëj thirrje të gjithë atyre që kanë ëndrra në jetë, t’u japin drejtim dhe t’i realizojnë sepse çdo njeri ka fuqi nëse ka besim dhe siguri te vetja. E përshëndes Anën, e cila është një shembull për të gjithë, për të treguar se asgjë nuk e ndan përveç aftësive të veçanta që ka. Po e zbuloj dhe diçka për ju, në koncertin tim të parë recital që do kem në të ardhmen, Ana do të jetë e ftuara ime spciale. Shpresoj që Ana mos e dëgjojë këtë .
CMG: Bruno, ti si bariton si i ke marrëdhëniet me muzikën klasike?
Bruno Pollogati: Deri në 2009-2010 kur shkoja të ture të ndryshme nëpër Europë, kisha bindjen se do bëhesha një bariton i suksesshëm, por duke parë mundin, më vjen keq ta them, por nuk kishte të ardhura të mira, nuk kisha një stimul që ta vazhdoja. E ushtroj këtë muzikë për qejfin tim në shtëpi, ndonjëherë hap dhe librat e shkollës.
CMG: Është më e lehtë apo më e vëshirë, kjo rrymë muzikore për ty?
Bruno Pollogati: Nuk mund ta quaj të vështirë, për mua është njësoj si të gjitha rrymat e tjera muzikore, por kërkon më tepër përkushtim, do mjaft kujdes, secila ka veçantinë e vet. Nëse je profesionist në atë fushë nuk ka vështirësi. Ka mjaft nga kolegët tanë të cilët i bëjnë të gjitha rrymat muzikore dhe janë mjaft të zotët.
CMG: Ti fëmijëve që u meson, i orienton nga muzika e lehtë apo ajo klasike?
Bruno Pollogati: Nëse ka fëmijë të talentuar dhe kanë mundësi të shkojnë jashtë shtetit dhe të provojnë mundësi të reja, atëherë po. Çdo njeri e zgjedh vetë se cilën rrymë muzikore dëshiron që të vazhdojë. Por më së shumti janë të orientuar drejt muzikës së lehtë dhe asaj popullore. Unë i lë gjithmonë në gjendje të lirë, të këndojnë atë çfarë ata dëshirojnë.
CMG: Faleminderit shumë për këtë bisedë Bruno! Të uroj suksese!
Bruno Pollogati: Faleminderit shumë Sava! U ndjeva mjaft mirë në këtë intervistë.
Intervistoi: Sava Lena