Argjend Lloga në piano
Argjend Lloga është një këngëtar i mirënjohur nga komuniteti shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ai ka lindur në fshatin Livadh të Strugës. Studimet e mesme i ka kryer në Strugë ndërsa ato të larta në Ohër, ku ka studjuar për turizëm. Sa i përket muzikës meritat më të mëdha për suksesin e Argjendit i kanë prindërit e tij, Rexhep dhe Meradie Lloga që e kanë patur muzikën pasion. Që në moshën 6 vjeçare Argjendi ka luajtur në tre instrumente fyell, çifteli dhe fizarmonikë dhe që në atë moshë spikati vokali i tij. Ka kontribuar në shumë aktivitete muzikore si festivale, koncerte, duke krijuar disa albume dhe videoklipe profesionale. Argjendi njeh muziken e të gjitha trevave shqiptare nga jugu, Shqipëria e mesme e deri në very. Ai interpreton këngën qytetare korçare dhe shkodrane, duke i shoqëruar në piano. Argjendi ka një familje të mrekullueshme që përbëhet nga bashkëshortja Samijet dhe tre fëmijët Era, Erindi, dhe Rudini. Që nga viti 2010 Argjend Lloga bashkë me familjen jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ëndrra e tij është që të kthehet në trojet shqiptare për të lënë gjurmë,vepra në botën e artit muzikor dhe kulturës shqiptare. Argjendi ka marë pjesë në vitin 2004 në Top Fest 1 me këngën "Me këngë më zure pritë " dhe po në të njejtin vit ka publikuar albumin "Përqafim". Në vitin 2005 së bashku me Flori Llogën, Argjendi mori pjesë në festivalin Mikrofoni i Artë me këngën "Njeri qesh e tjetri qan", ndërsa një vit më pas publikoi albumin me të njejtin titull. Ndërsa në 2008, Argjendi dhe Flori Lloga publikuan videoklipin "Vendi ku u rrita, si dhe albumin "Prisni 1 minutë". Bashkëpunimi me Florin vazhdoi dhe në 2012, kur publikuan videoklipin "Gurbeti", bashkë me Shqipe Kastratin. Më tej Argjend Lloga ka pubikuar disa videoklipe si "Potpuri", "Nga ajo ditë", "Jemi një", "E bukura shqiptari". Në vitin 2019, Argjend Lloga dhe Dorina publikuan videoklipin "Grimcë parajse", prodhim i DArt Channel. Së fundmi, më 5 shtator të këtij viti Argjend Lloga publikoi videoklipin "Veç një mundësi", përsëri në bashkëpunim me Dorinën dhe të prodhuar nga DArt Channel.
Argjend Lloga në një videoklip
CMG : Argjend në gjithë këtë bagazh tuajin sa për qind ia njihni vetes aftësitë?
Argjend Lloga : Është e vështirë të flasësh për veten. Por përpara vetes, nëse më duhet të flas, e di që kam një natyrë dhe mendje të fortë. Jam tepër kërkues nga natyra.Jam një shpirt i dashur dhe i ngrohtë. Një prind shembullor dhe artist me autoritet në shoqëri. Mbi të gjjtha jam natyrë tolerante.Ky jam unë një djale që ja ka dalë duke pasur ëndrra dhe duke i vendosur vetes synime për t’i arritur gjërat.
CMG : Çfarë ju pëlqen të vlerësojnë të tjerët tek ju?
Argjend Lloga : Seriozitetin! Dua dhe jam i bindur që ata e spikasin atë tek unë. Respektin, mbështetjen, këshillat dhe mbi të gjjtha do të doja të vlerësonin tek unë zërin. Është e rëndësishme kjo e fundit, pasi unë jetoj me këtë pasion dhe dashuri për muzikën.
CMG : Argjend cilat kanë qenë nisjet tuaja të para?
Argjend Lloga : Puna e parë për mua ka qenë muzika. Muzika ka qenë gjëja e parë që unë kam bërë si një pasion për vete, por edhe për të ndihmuar familjen time. Nëse do flas për diçka tjetër të cilën e dua shumë është kopshtaria. E bej me shume qejf që të kujdesem për natyrën dhe bimët. Ato me fusin në një gjendje tjetër.
Argjend Lloga
CMG : Argjend, cilat janë kujtimet që ruani nga Shqipëria?
Argjend Lloga : Unë nuk ika nga Shqipëria dhe e lashë atë dhe nuk u kujtova për vendin tim. Kam qenë gjithnjë present, në kuptimin që kam kontribuar për vendin qoftë nëpërmjet muzikës apo edhe prezencës sime për të qenë aty. Pse unë ika kaq larg ? Në fakt doja një siguri më të madhe dhe një të ardhme ndryshe për fëmijët, ndaj dhe mora një hap kaq të madh. Shqipërinë e dua shumë dhe kontribuoj për të.
CMG : Si e shihni ju tregun e muzikës?
Argjend Lloga : E shoh si një konkurrencë tepër të madhe në fakt, me njerëz të shumtë që përfshihen çdo ditë e më tepër. Amatorët nuk mund të bëjnë muzikë, por duan të mbijetojnë. Tregu muzikor po bëhet ekzistencë. Mbizotëron një muzikë eksperimentale dhe jo tepër cilësore.
CMG : Kujtimet më të bukura tuajat?
Argjend Lloga : Fëmijëria! Nuk kemi qenë fort të pasur, por kemi qenë fort të lumtur. Unë një fëmijë i lëvizur dhe i turpshëm njëkohësisht. Është muzika ajo që më bëri mua mos te jem më i ndrojtur.
CMG : Çfarë është suksesi për ju?
Argjend Lloga : Suksesi është durim dhe vendosmëri. Me anë të durimit ne mund të ngremë edhe autoritetin tek njerëzit. Kështu që nuk na mbetet gjë tjetër veçse të jemi të duruar për të arritur sukses.
CMG : Kujt i keni kënduar për herë të parë?
Argjend Lloga :Natyrës! Ka qenë kënga "Ja sa bukur erdh pranvera".(Këndon).
CMG : Kënga juaj më e re çfarë suksesi ka pasur?
Argjend Lloga : Kënga është pritur goxha mirë. Titullohet "Veç një mundësi". Në bashkëpunim me Dorina Toçin, që ka filluar brenda 3 vitesh dhe vijon ende edhe tani. Idetë e përbashkëta janë gjithmonë të bukura dhe realizimet tona janë ndjekur dhe pritur mirë gjithnjë. Tani për tani nga kjo këngë ne kemi marrë atë që kemi dashur.
3 fëmijët e Argjend Llogës
CMG : Momentet e tua të dobësisë dhe ato më të lumtura?
Argjend Lloga : Kur kam shkuar në Amerikë në vitet e para, më dukej vend i zi. Pas pesë vitesh unë e kam marrë veten për t’ia nisur jetës ashtu siç duhet. Nuk është e thjeshtë të jesh në vend të huaj. Ndërsa momente të lumtura ka gjithashtu shumë. Gjithmonë kur lind fëmijë është ngjarje e lumtur. Diplomimi i fëmijëve është tepër i lumtur pasi sheh suksesin e tyre. Ka qenë një moment shumë delikat, një vit pa takuar fëmijët e mi. Kur i kam pritur në aeroport nuk kishte gëzim më të madh.
CMG : Cili është lajtmotivi juaj?
Argjend Lloga : Jini tolerant dhe respektoni shoqërinë, pasi ajo të jep gjjthçka. Mos harroni se njeriun e drejtë e ndihmon Zoti.
Intervistoi : Megi Latifi