Pajtim Struga me kolegë artistë
Pajtim Sruga mbetet një ndër këngëtarët më të pëlqyer të këngës popullore qytetare të Tiranës. Ai ndoshta sot është këngëtari me më shumë eksperiencë në këtë lloj kënge. Besnik i këngës së mirëfilltë popullore tiranase, të cilën e interpreton me aq pasion për të kënaqur gjithë artdashësit e tij dhe veçanërisht ato të Tiranës. Në një intervistë për CMG Struga na tregon për rrugëtimin e tij artistik si dhe projektet që mendon se do t’i realizojë së shpejti.
CMG: Përshëndetje Z.Struga dhe është kënaqësi të të kemi në emisionin Bio Folk.
Pajtim Struga: Faleminderit për intervistën në Radio Ejani.
CMG: Keni dekada që këndoni muzikën e mirëfilltë popullore. Si ishin fillimet tuaja në muzikë?
Pajtim Struga: Unë kam që në vitin 1975 që merrem me muzikën e Shqipërisë së mesme, tabanit tonë tiranas sepse unë pak a shumë asaj i mbështetem gjithë kohës dhe për atë punoj vazhdimisht. Edhe sot vazhdoj akoma që të merrem me muzikën popullore tiranase.
Pajtim Struga me grupin e tij muzikor gjatë një eventi
CMG: Ju e keni ruajtur me fanatizëm këngën tiranase dhe e interpretoni bukur atë.
Pajtim Struga: Unë e kam thënë gjithmonë që këngëtari lind dhe nuk bëhet rrugës. Unë plus asaj që e kemi pasur si traditë familjare, kam vazhduar edhe shkollën e muzikës për kanto dhe vazhdoj akoma t’i jap kësaj Tirane një muzikë të pastër, të lexueshme dhe të kuptueshme.
CMG: Disa nga këngët që ju keni interpretuar janë bërë hite, si kënga “Tirana kampion” që këndohet nga të gjithë, por dhe këngë të tjera. Mendoni se është një nga këngët më të bukura tuajat?
Pajtim Struga: Unë plus kësaj kënge që është hit për mua dhe për të gjithë dashamirësit e mi, por edhe për qytetin e Tiranës, unë kam dhe këngë të tjera që për mua janë hite, qoftë dueti me këngëtaren Artiola Toska, por edhe dueti me Valbona Memën dhe para dy viteve kam realizuar dhe këngën “Një tironas jam” dhe këngën e “Nondajës” që pëlqehet nga të gjithë shqiptarët si në Shqipëri, por dhe nga ato që jetojnë jashtë vendit. Kështu që unë mendoj se kjo kënga e Nondajës është një këngë e bukur. Unë jam akoma në vazhdim të kompozimit të këngëve të mia dhe pres shumë shpejt realizimin e dy këngëve të tjera që i kushtohen sërish Tiranës.
Pajtim Struga duke interpretuar në skenë
CMG: Shumica e këngëve tuaja i dedikohen Tiranës. Kaq shumë e doni Tiranën?
Pajtim Struga: Por që të lindësh në një lagje Tirane dhe në rrugicat e saj është gjë e shtrenjtë dhe një nostalgji e madhe, sepse ne jemi rrit në këtë qytet dhe kemi marrë edukatën e tiranasve të vjetër. Gjithashtu Tirana është mikpritëse për të gjithë njerëzit kudo qofshin.
CMG: Pandemia, sa ka ndikuar në jetën tuaj personale dhe atë artistike?
Pajtim Struga: Me thënë të drejtën kjo periudha e pandemisë ka qenë një pengesë e madhe dhe kemi kaluar një situatë shumë të vështirë. Në këtë kohë pandemie nuk mund të mendosh për muzikën, njeriu në radhë të parë duhet të ruajë veten, por edhe të tjerët.
CMG: Para disa vitesh ju krijuat një ambient tuajin në periferi të Tiranës ku përveç se këndonit vetë, ftonit dhe këngëtarë të tjerë aty. Ky ka qenë një investim personal i juaji?
Pajtim Struga: Kam që në vitin 2006 që krijova një biznes të familjes sime dhe aty kam gjithë mundin dhe djersën e jetës time. Para pandemisë jam munduar gjithmonë që t’i jap këtij populli një muzikë të pastër shqiptare. Çdo fundjavë organizoja evente me këngëtarë të ndryshëm dhe tani presim të mbarojë pandemia dhe të nisim sërish me aktivitete.
Pajtim Struga në intervistë për CMG
CMG: Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e këngëve popullore?
Pajtim Struga: Meqë më jepet rasti dua të përshëndes autorin e teksteve profesorin dhe të madhin Jorgo Papingji, i cili ka shkruar pjesën më të madhe të teksteve të këngëve të mia. Përsa i përket muzikës, në fillim kam bashkëpunuar me kompozitorin Dritan Baftjari, më vonë kam bashkëpunuar dhe me Ilir Ballën dhe së fundi me kompozitorin e mirënjohur Edi Balili. Për mua ka qenë një punë shumë e mirë me të tre këto kompozitorë sepse aty kam gjetur dhe vetveten dhe ata janë përshtatur shumë ndaj karakterit tim dhe themi se kemi bërë diçka të bukur.
CMG: Shumë nga këngët tuaja të fundit janë krijimtari e re popullore?
Pajtim Struga: Ne gjithmonë duhet të krijojmë këngë të reja, por duhet të bazohemi te e vjetra sepse po nuk shikove çfarë ka pasur më përpara nuk mund të vazhdosh më tej. Kënga tiranase nuk është aq e thjeshtë për t’u kënduar, ka ato motivet e veta dhe nuancat e bukura. Kështu që unë jam munduar gjithmonë që këngët e reja t’i bazoj te këngët e vjetra dhe të jem ky që jam sot dhe të jem gjithmonë i freskët te publiku edhe te qytetarët e Tiranës.
CMG: Përveç këngëve të Shqipërisë së mesme, cila nga trevat e tjera të pëlqen që të interpretosh në muzikën popullore?
Pajtim Struga: Mua më pëlqejnë shumë serenatat korçare që i kam kënduar gjithmonë, por dhe këngët shkodrane që janë pjesë e jetës sime. Flas gjithmonë për ato këngëtarë që kanë kënduar serenatat korçare, apo jaret shkodrane që janë shumë të bukura.
Pajtim Struga
CMG: Do ju shohim së shpejti me një koncert recital tuajin, pasi të mbarojë pandemia?
Pajtim Struga: Shpresoj që pasi të mbarojë pandemia nga viti tjetër them që do të organizoj një koncert recital timin me të gjitha këngët e repertorit tim për qytetin e Tiranës.
CMG: Pak më përpara thatë se po realizoni dy këngë të reja popullore. Kur mund të dalin këto këngë në tregun muzikor?
Pajtim Struga: Dy këngët e reja që po përgatis në bashkëpunim me kompozitorin Edi Balili, shpresoj se së shpejti do të dalin në tregun muzikor dhe do të jenë surprizë për publikun.
CMG: Gjatë koncerteve jashtë vendit si jeni pritur nga publiku që jeton në diasporë?
Pajtim Struga: Me thënë të drejtën kur shkoj jashtë ngaqë shoh shumë tiranas sepse unë zakonisht tek ata shkoj dhe më duket sikur me qenë në Tiranë. Jam shumë i kënaqur se më presin mirë duke më respektuar, ndërkohë që dhe unë mundohem t’i kënaq sa më shumë.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit dhe adhuruesit tuaj.
Pajtim Struga: Unë dua t’i falënderoj të gjithë artdashësit e mi duke ju thënë që unë më punën time të vazhdueshme nuk do t’i zhgënjej me muzikën time.
CMG: Unë ju uroj suksese dhe faleminderit për intervistën.
Pajtim Struga: Faleminderit ju dhe Radio Ejani për mundësinë që më krijoi për këtë intervistë.
Intervistoi: Gazmend Agaj