Vjeshta në ekranet shqiptare nis me rikthimin e programeve të munguara gjatë muajve të verës si dhe risitë e programeve dhe formateve të reja.
Televizionet shqiptare janë vënë në një garë të disafishtë. Lufta për audiencë bëhet në çdo sezon edhe më e fortë, sepse pas audiencës, vijnë reklamat që në gjuhën e shifrave përkthehen në para.
Përpjekja për audiencë bëhet edhe më e fortë, pasi televizionet ndiejnë jo vetëm konkurrencën mes tyre, por edhe me platformat me pagesë si Netflix, PrimeVideo HBO Go, pa harruar të përmendim këtu edhe platformat shqiptare si Digitalb dhe Tring, të cilat ofrojnë një galeri me shumë programe tematike, kryesisht filma dhe seriale.
Kjo është arsyeja që televizionet kryesore në Shqipëri po rrisin numrin e programeve të reja dhe po joshin të punojnë me ta emra të njohur të gazetarisë, për një audiencë që rend pas personazhit.
Televizione si Top Channel, Klan, Vizion Plus, por edhe ABC, kanë rritur prodhimet edhe këtë sezon të ri televiziv. Të gjitha këto ekrane, vijojnë të zbatojnë të njëjtën formulë klasike të programacionit.
Të gjithë kanë nga një emision klasik mëngjesi, ku konkurrojnë mes tyre Ori Nebial e Isli Islami në Top Channel, me Aldon Lipen në Klan, kanë emisionin e paradites ose të drekës, me gatim, amvisa dhe këshilla për shëndetin dhe orët e pasdites ku shohim sërish studio ku trajtohen tema të familjes apo show bizit (përmendim Bieta Sulo në Top Channel dhe Rudina Magjistari në Klan) dhe orët e mbrëmjet, që ndahen mes spektaklit dhe debateve të aktualitetit.
Duhet thënë se lufta më e madhe këtë sezon do të jetë për të fituar audiencën e spektaklit. Në ekranin e Top Channel po përgatiten të fillojnë disa të tillë, përshembull rikthehet “Big Brother Vip” me drejtimin e Arbana Osmanit, një reality show që do të jetë live 24 orë në 24 për 100 ditë nga tetori në dy kanale Digitalb, kurse çdo ditë ora 16.30 përmblidhja ditore. Spektakli, do të jepet të shtunave ora 21.
“Goca dhe gra”, një tjetër produksion i ri, drejtuar nga katër prezantuese, ndër ta edhe Fatma Haxhialiu, do të transmetohet të dielave në orën 12.45. Gjithashtu, po të dielave në ekran do të jetë edhe “Vip Dado”, një format i ri ky, ku nga java në javë emra të njohur të fushës së artit, do të bëhen dado për disa fëmijë. Koncepti bazohet mbi një familje, prindërit e së cilës do të duhet të dalin jashtë për darkë, ndërsa për fëmijët e tyre do të kujdeset një figurë publike. Ky program do të drejtohet nga Lola Haradinaj dhe Edi Manushi, ndërsa producente e programit është gazetarja Anita Haradinaj. Ndërkohë, i shumëpërfolur, i kontestuar dhe i shumë parë, vijon edhe këtë sezon emisioni “Për’puthen”çdo ditë të javës në 18.15. Pa harruar kulmimin e së dielës me Spektaklin kabare “Portokalli”.
Ndërkohë edhe në ekranin e Klanit pritet të fillojnë spektakle të së njëjtës peshë. Të dielave shikuesit do të vazhdojnë të ndjekin maratonën 6 orëshe “E Diela Shqiptare” nga Ardit Gjebrea, i cili do të vijë me një risi këtë sezon të ri televiziv. Ai do të sjellë tek “E Diela shqiptare” një rubrikë ku protagonistë do të jenë fëmijët dhe nënat e tyre.
Çdo të diel fëmijët do të jenë në garë me njëri-tjetrin dhe përballë tyre do të jenë mamatë.
Arian Çani vazhdon maratonën 4 orëshe të së premtes me “Zonë e Lirë” duke nisur nga ora 21. Ndërkohë spektakli i dashurisë “Love Story 2” në drejtimin e Alketa Vejsiut, pritet të fillojë shumë shpejt. Këtë vit ky program do të vijë ndryshe, pasi në qendër do të ketë një princeshë dhe një princ, ku secili konkurrent do të përpiqet që t’u fitojë zemrën.
Ndërkohë një spektakël shumë intrigues do të rikthehet në ekran. Bëhet fjalë për “Kutia e fundit”, nën drejtimin e moderatorëve Enkel Demi dhe Edi Oga, një program që vite më parë pati shumë sukses, kësaj here do të transmetohet në ekranin e ABC-së.
Por, pa dyshim, programet e aktualitetit, temat e nxehta dhe ato politike, vazhdojnë të konsiderohen “patatja e nxehtë”. Eni Vasili vazhdon programin “Open” nga e hëna në të enjte ora 21 në Top Channel, “Opinion” nga Blendi Fevziu, vazhdon të transmetohet çdo mbrëmje, duke marrë si gjithmonë shumë audiencë. Ndërkohë edhe televizionet e tjera, më të vogla apo më të reja, në pamundësi reale për të prodhuar spektakël, janë vënë në “garë për politikën”.
Nga “Tv Ora” janë larguar disa emisione, kurse në “Report” nuk duket se ka firo. Sonila Meço u largua nga “Ora” e po ashtu edhe Alfred Lela, por erdhi ish deputeti dhe njëkohësisht gazetari Luan Rama, me emision “Drejt” që transmetohet të hënave dhe të enjteve në mbrëmjnë “TV Ora”.
Në “Euronews” largimi i Ilva Tares është zëvendësuar me Erla Mëhillin, ndërsa vazhdojnë emisionet si “Ballkan” me Franko Egro, “Shok” me Andi Bushatin e Baton Haxhiun, si dhe “Me pak fjalë”, një emision ekonomik nga Neritan Sejamini.
Ndërkohë A2, filial i CNN në Shqipëri, ka fokusuar ekonominë me një emision nga Aurora Sulçe. Ndërsa në ekranin e ri MCN vijon emisioni “Të Paekspozuarit”, nga Ylli Rakipi, por edhe programe të reja.
Telenovelat turke vazhdojnë të zënë hapësira të shumta në ekranet shqiptare edhe gjatë këtij sezoni. Televizionet janë në garë për të sjellë premierat e serialeve më të reja turke, duke rritur audiencën e tyre.
Ndërkohë Autoriteti i Mediave Audiovizive në nisje të sezonit të ri televiziv, risjell në vëmendje detyrimet që rrjedhin nga ligji për mediet audiovizive, duke u ndalur në tre problem të evidentuara më parë:
Trajtimi i fëmijëve si të rritur, apo si gjenerues të emocioneve të panevojshme në emisione, janë dukuri që duhet të shmangen, qoftë në transmetimet e drejtpërdrejta apo ato të regjistruara, komunikon AMA, ndërkohë që vë theksin tek shmanget nga përdorimi i fëmijëve në ekran, apo transmetimi i përmbajtjeve të papërshtatshme për moshën e tyre, në orare që ata mendohet se janë para ekranit.
Nga ana tjetër, AMA ka vlerësuar dhe vlerëson maksimalisht rolin e redaksive në mbulimin e ngjarjeve mbi pandeminë dhe trajtimin e situatës dhe bën thirrje për zbatimin e kërkesave etike dhe profesionale në paraqitjen e lajmeve në mënyrë të vërtetë, të paanshme dhe objektive, duke mos krijuar hapësira për zhvillimin e tryezave të debatit me jo ekspertë të fushës.
Gjithashtu AMA ka bërë thirrje për përdorim korrekt të gjuhës shqipe.
Rezultatet e gjithë kësaj pune të ethshme nga televizionet, redaksitë, stafet dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive, ka nisur të shpaloset me fillimin e sezonit të ri në ekranet e vjeshtës.
Neritana Kraja